Kandidati i LSI, Dhimitraq Lapa: Të nxjerrim vendin dhe fëmijët tanë nga koha e vrazhdë e keqqeverisjes
Në zgjedhjet e 25 prillit, kandidat për deputet është edhe Dhimitraq Lapa, si pjesë e LSI-së në listën e qarkut Vlorë, ku bën thirrje që duhet të nxjerrim vendin dhe fëmijët nga koha e vrazhdë e keqqeverisjes. Nga ana tjetër, ai thotë se situata në Sarandë, Delvinë, Finiq, Konispol, Ksamil, aty ku edhe ai është kandidat, e sheh shumë favorizuese për suksesin e zgjedhjeve në 25 prill, dhe kjo sipas tij, jo për faktin se përballë kanë një forcë politike që është në pushtet dhe kanë frymën e diktaturës, korrupsionit të frikshëm, por nënvizon se LSI-ja një program politik që vjen më pranë zgjidhjeve reale në komunitetet tona.
Intervista e plotë
Zoti Lapa, pse zgjodhët të kandidoni për forcën e tretë më të rëndësishme të skenës politike shqiptare, pra LSI-në?
Angazhimi im në Lëvizjen Socialiste për Integrim është një zgjedhje dhe vendim të cilin e kam marr në një kohë kur fryma politike në vend nuk të orientonte askund veçse kah një force politike e cila gjithnjë ka ruajtur ekuilibrin qeverises dhe pluralizmon demokratik në vend. Qasja ime në jetë ka qenë gjithnjë e mbështetur tek liria dhe mundësia për sipërmarrje konkurrente. Jo gjithnjë kemi jetuar dhe punuar me këtë lloj modeli, ndaj dhe këto Zgjedhje janë të një rëndësie të veçantë, sepse dëshiroj që të rinjtë dhe qytetarët punëtor të Sarandës të mos jenë më të detyruar të mbajnë peshat e rëndesës që ne kemi mbajtur në vite.
Ju vini nga biznesi me një sukses të lëvduar. Mos hyni në risk përmes këtij angazhimi politik?
Si një njeri i biznesit në qytetin tim, e shpreh publikisht se në Shqipëri është sfilitëse dhe tensionuese të krijosh, mbash gjallë dhe përmirësosh sipërmarrjen. Edhe pse retorika qeverisëse ka qënë gjithnjë imponuese se gjërat kanë ardhur duke u lehtësuar, ballafaqimi ynë me realitetin nuk përkon praktikisht me këtë nivel të propagandës.
Si do ta ndryshoni ju qasjen ndaj biznesit në raport me qeverisjen aktuale?
Në industrinë e turizmit dhe hotelerisë mund të them se nuk ka asnjë mbështetje nga qeveria, përveç se “vizitave” të shpeshta tatimore dhe dhjetëra agjensive të tjera të krijuara rishtaz në pikun e sezonit turistik, për “kontrolle” dhe monitorim. Qeveria gjithnjë thotë se ka punë por nuk ka profesionistë, madje duke e injoruar forcën punëtore dhe më aktive të shoqërisë, ndërkohë që kjo shprehje e tyre tregon se pikërisht qeveria nuk ka asnjë program të suksesshëm për t’i ofruar sipërmarrjes dhe biznesit, profesionist prej Qendrave profesionale dhe agjensive të punësimit. Ne jemi ata që krijojme vende pune, që krijojmë hapësira për rritje profesionale të stafeve tona dhe që investojme çdo sezon turistik në përmirësim të standardit që ofrojmë. Nga ana tjetër ,kemi një qeveri dhe strukturë lokale që nuk na viziton për të ndarë projekte dhe mbështetje.
Si e vlerësoni listën e kandidatëve të LSI në nivel vendi?
Listën e Lëvizjes Socialiste për Integrim e shoh si një mozaik të pasur të personaliteteve, karaktereve të forta, njerëzish të arritur në profesionet e tyre dhe padyshim qytetarësh që thërrasin fort për ta parë Shqipërinë si vendin e perspektivës, e partneriteteve të suksesshme dhe e kushteve më të mira për jetesë. Natyrisht, të gjitha këto duhet të kenë një lider tërësisht të kundërt nga figura që kemi patur për 8 vite me rradhë.
Cili është rezultati që pretendoni të arrini si LSI, në zgjedhjet e 25 prillit në qatkun e Vlorës?
Nuk mund të ketë partneritet aty ku ka sulm ndaj investimeve; nuk mund të ketë perspektivë aty ku mbisundon arroganca dhe dritë-shkurtësia. Jam i bindur se me vizionin e përzgjedhjes së kandidatëve përfaqësues për Qarkun Vlorë, Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë 3 mandate fituese për në Parlamentin e Shqipërisë.
Si do t’ia dilni për arritjen e këtij objektivi?
Unë jam në kontakt të përditshëm dhe të vazhdueshëm me grupe të ndryshme interesi, me të rinj që kërkojnë më shumë hapësira për punë dhe mundësi për t’u formuar për në tregun e punës, me intelektualë që me vështirësi dhe sakrificë sigurojnë mbijetesën e familjes së tyre dhe padyshim e ndjejmë mungesën e të gjithë atyre që largohen çdo ditë nga qyteti dhe vendi drejt emigracionit dhe azilit.
Pse mendoni se në qytetin tuaj do të keni mbështetjen që pretendoni?
Situatën në Sarandë, Delvinë, Finiq, Konispol, Ksamil e shoh shumë favorizuese për suksesin e zgjedhjeve në 25 Prill, jo për faktin se përballë kemi një forcë politike nën pushtetin dhe frymen e diktaturës dhe korrupsionit të frikshëm, por sepse ne kemi një program politik që vjen më pranë zgjidhjeve reale në komunitetet tona. Opozita në këto kushte dhe këtë klimë që I ka krijuar qeveria aktuale është nën kohët më të vështira të të bërit fushatë elektorale qysh në vitet e para të pluralizmit në Shqipëri. Nuk mund dhe nuk duhet të lëmë fëmijët tanë, familjet tona, njerëzit tanë të durojnë edhe më vrazhdësinë, hendekun e thellë social-ekonomik dhe mungesën e shpresës. Nuk duhet të tolerojmë asnjë përpjekje të keq-qeverisjes të deformojë aspiratat tona për Evropën, për sipërmarrjen e lirë dhe konkurrencën e ndershme, për të rinjtë që krijojnë familje të reja në vendin e tyre dhe për intelektualët që marrin dinjitet dhe vlerësim.
Intervistoi Anisa Muça