Kandidati i LSI-së për Qarkun Berat, Blenard Nonaj: 25 Prilli, një kapitull i ri për Shqipërinë

Mjeku i njohur, Blenard Nonaj do të jetë kandidatura risi e LSI në qarkun Berat dhe rrethin e Skraparit. Emri i mjekut Nonaj është propozuar nga forumet e LSI në Skrapar, si një figurë që përfaqëson më së miri qytetarët e këtij rrethi dhe ata të qarkut të Beratit.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, mjeku Blenard Nonaj tregon pse arsyet se përse pranoi të kandidonte në Qarkun e Beratit, lidhjet e tij me banorët e këtij qarkut, si dhe prezanton piketat e para të programit që do të paraqesë për qytetarët.

Z.Nonaj prej disa javësh flitet në media dhe mjediset politike në lidhje me vendimin e LSI-së për të kandiduar emrin tuaj në zgjedhjet e 25 Prillit, në Qarkun e Beratit. Si e keni pritur ju personalisht këtë vendim?

Vendimi i lidershipit të LSI-së për kandidimin tim në Qarkun e Beratit dhe më konkretisht në rrethin e Skraparit në fakt e ka pikënisjen tek kërkesa e shprehur nga forumet bazë të LSI-së së rrethit Skrapar. Kanë qenë pikërisht baza e anëtarësisë së LSI Skrapar, që nëpërmjet forumeve dhe organizatave të saj kanë propozuar emrin tim për zgjedhjet e 25 prillit, propozim i cili më pas ka gjetur dhe miratimin e lidershipit të LSI-së dhe Kryetares së LSI-së, znj.Monika Kryemadhi. Tashmë i gjithë ky proces po shkon drejt zyrtarizimit përfundimtar për të nisur më pas, një proces komunikimi intensiv dhe të pandërprerë me të gjithë qytetarët e Qarkut Berat, proces i cili jam i bindur që do të jetë edhe më solid, më i afërt dhe gjithashtu i pandërprerë edhe pas zgjedhjeve të 25 Prillit.

Sigurisht që e kam mirëpritur me shumë entuziasëm propozimin e LSI-së për të garuar në zgjedhjet e 25 Prillit. Qarku i Beratit është një nga qarqet më të rëndësishme të vendit, është një qark i cili nuk e ka kursyer asnjëherë mbështetjen për LSI-në, dhe LSI ka detyrimin të bëjë gjithçka që ky qark të  intensifikojë ritmet e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të vetë.

Ne kemi Beratin, qytetin tonë 2400 vjeçar, për të cilin kemi detyrimin madhor që në katër vjeçarin e ardhshëm ky qytet të rifitojë rëndësinë e padiskutueshme që Berati ka, jo vetëm si qendër e Qarkut, por edhe si një nga qytetet me më shumë vlera historike, kulturore dhe ekonomike të vendit. Qytetarët e Beratit meritojnë një të ardhme të shkëlqyer dhe LSI është plotësisht e vendosur për këtë.

Sigurisht që në fokusin e ekipit konkurrues të LSI, por jam i sigurt dhe në ekipin qeverisës të LSI-së pas 25 Prillit, do të jenë padiskutim dhe bashkitë e Kuçovës, Urës Vajgurore dhe Poliçanit. Ne duhet të bëjmë gjithçka që në këto qytete të rikthehet shpresa dhe ku njerëzit e veçanërisht të rinjtë të mos mendojnë ti braktisin ato në rastin më të parë, por ti shohin si prespektiva të sigurta dhe të begata për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, do të doja të përmendja Bashkinë e Skraparit.  Si një djalë i lindur dhe i rritur në Skrapar, i lidhur fortësisht dhe emocionalisht me të, unë besoj se të përfaqësoj në Parlament qytetin tim, bashkëqytetarët e mi, rrethin e Skraparit, të gjithë banorët e tij, është nderi dhe privilegji më i madh që një Skrapali mund të ketë ndonjëherë. E sigurisht, do të shtoja gjithashtu se të ngresh zërin në Parlament, të luftosh për zgjidhjen e halleve dhe shqetësimeve të bashkëqytetarëve të tu është një detyrim i pashmangshëm dhe shprehja më e mirë e mirënjohjes për atë çka ka bërë vendi yt për ty.

Çfarë tjetër e bën entuziaste kandidimin tuaj në zgjedhjet e 25 prillit?

Padiskutim që do të përmendja pa më të voglin dyshim, forcën politike për të cilën do të kandidoj. Lëvizja Socialiste për Integrim, një realitet politik, që prej 15 vjetësh ka konsoliduar një profil politik konstruktiv dhe të suksesshëm vjen në këto zgjedhje me entuziasmin e jashtëzakonshëm të të rinjve dhe të rejave, grave, profesorëve, akademikëve dhe profesionistëve të njohur e të suksesshëm, të cilët do të jenë në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

Të kandidosh për LSI-në në zgjedhjet e 25 prillit, është zgjedhja më e mirë dhe pikërisht e duhura, pasi LSI në këto zgjedhje ka një mision historik, misionin e ndryshimit. Më 25 Prill, LSI do të mundësojë që Shqipëria të rinisë vrullshëm rrugëtimin e saj drejt Europës, një rrugëtim që nuk do të ndalet më kurrë, deri në përmbushjen e aspiratës sonë 30 vjeçare, integrimin e plotë në familjen europiane.

25 Prilli është më shumë se sa një ditë votimi. Unë besoj fortësisht, ashtu si qindra mijëra qytetarë shqiptarë, se 25 prilli do të jetë një datë historike, do të jetë hapja e një kapitulli të ri për Shqipërinë tonë. Dhe LSI do të luajë një rol kyç në këtë proces jetik për të ardhmen europiane të vendit.

Ju përmendi fjalët një “kapitull i ri për Shqipërinë” pas 25 prillit. Çfarë do të thotë kjo më konkretisht?

Do të kemi një kapitull të ri për Shqipërinë, sepse 25 prilli do ti japë një drejtim të ri dhe të sigurt Shqipërisë sonë. Një kapitull i ri për Shqipërinë do të thotë: rikthim të mbizotërimit të ligjit, funksionimit të institucioneve dhe konsolidimit të demokracisë. Do të thotë rimëkëmbje ekonomike të Shqipërisë, hapje e mijëra vendeve të punës, garantimin e arsimit cilësor dhe vendeve të punës të mirëpaguara, do të thotë ulje të numrit të azilantëve shqiptarë në Europë, rikthim të shpresës dhe rikthim të qindra dhe mijëra të rinjve që do të donin ta ndërtonin të ardhmen e tyre në Shqipëri, por që për shkak të papunësisë janë detyruar të emigrojnë. Kapitull i ri për Shqipërinë do të thotë që pas 25 Prillit, ne të kemi një qeveri të qytetarëve, që prioritet ka qytetarët dhe çdo vendimmarrje e saj është në funksion dhe në të mirën e qytetarëve.  Ne besojmë fortësisht se pas 25 prillit e gjitha kjo do të ndodhë dhe kapitulli i ri për Shqipërinë është një proces që askush nuk do të jetë në gjendje ta pengojë.

Çfarë ju bënë ta besoni fortësisht këtë gjë?

Dëshira e njerëzve për ndryshim, entuziasmi i qindra mijëra të rinjve që duan ta ndërtojnë të ardhmen në shtëpinë e tyre në Shqipëri, riaktivizimi i mijëra potencialeve intelektuale dhe akademike të vendit, të cilët janë mëse të vendosur për të kontribuar për përmirësimin e Shqipërisë. Të gjithë këta që përmenda, por gjithashtu dhe dëshira e madhe për ndryshim e të gjjthë njerëzve të thjesht, janë ata që më bëjnë të besoj plotësisht dhe fortësisht se 25 prilli do të ndryshojë të ardhmen e Shqipërisë, duke i dhënë asaj të ardhmen që meriton. Shqiptarët kanë nisur prej kohësh numërimin mbrapsht, dhe shoh entuziasmëm që ky numërim tashmë është reduktuar në dyshifror. Unë këtë e kam konstatuar në takimet e shumta dhe komunikimet intensive që kam zhvilluar me banorë të bashkisë së Beratit, Skraparit, Poliçanit, por edhe Kuçovës, Urës Vajgurore dhe njësive të tjera administrative. Është pikërisht ky entuziasëm i shqiptarëve, garancia e rrugëtimit të pandalshëm të Shqipërisë drejt integrimit europian, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies ekonomike të qytetarëve të saj. Intervistoi Mili Xhani

 

SHKARKO APP