Kaos dhe flakë në Kuvend, Tabaku kundër: PD e fortë me argumente, jo me zërin e lartë
Në seancën e kësaj të enjte, u deshën 7 minuta për të votuar buxhetin e vitit 2024. PD-ja e Berishës hodhi flakadanë dhe shkaktuan kaos, por Jorida Tabaku thotë se demokrat do duhet të zgjidhnin një tjetër rrugë. Kjo rrugë sipas saj nuk duhet të ishte kaosi dhe flakadanët, por argumentet dhe idetë. Demokratja thekson se kjo rrugë ka rezultuar se nuk ka qenë efektive as në të shkuarën.
“Jam përpjekur që në këtë situatë të vështirë të japë se çfarë ndodhë me buxhetin, protesta e opozitës është e drejtë, arsyet janë të drejta, por ne duhet të kishim qenë pjesë e buxhetit dhe të prodhonim një strategji ndryshe, e cila ka rezultuar jo efektive edhe në të shkuarën. Ndodhemi në një situatë ku është pjesë e kauzave tona, duhet të ishim përballur me argumente dhe ide”, tha Tabaku.
E ftuar në emisionin Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, Tabaku renditi disa nga rrugët që do duhet të ndjekë opozita që zëri i saj të dëgjohet.
“Kërkesat janë të drejta, pas inceneratorëve nuk është lejuar asnjë Komision, kemi dhe seancën për ligjin e lojërave të fatit, për këtë arsye kisha propozuar që ne të ishim rikthyer diskutimeve dhe të insistonim për cështjen e Komisioneve Hetimore në hapësira të ndryshme, unë jam përpjekur që komisionet hetimore t’i çoj në progres raport, i kam dërguar në të gjitha platformat ku e kam zë”, shtoi deputetja.