“Kaubojsi” Eduart Ndocaj braktis Nard Ndokën, shkon te PS
Deputeti i qarkut të Lezhës, Eduard Ndocaj, ishte i pranishëm në mbledhjen e parë të tij në Grupin Parlamentar të PS. Edhe pse është demokristian, Ndocaj kishte hequr kapelen dhe u paraqit me kostum në mbledhje.
“Sot isha në vendin që më takon që në 23 qershor dhe u ndjeva shumë mirë,” tha ai. I pyetur nëse është deputet i PS, edhe pse është nënkryetar i PDK, ai tha: “Unë do të jem deputet i mazhorancës”.
I pyetur se si ishte dita e parë në mbledhjen e grupit, Ndocaj tha: “Pati një deklaratë urimi mirëseardhëse e kryetarit të Grupit Parlamentar socialist, zotit Ruçi, por pata një urim mirëseardhës edhe nga kryeministri Edi Rama”.
Ndocaj në grupin e PS, Ndoka: S’kam informacion
Edhe pse zëvendësoi Arben Ndokën e PSsë, Eduard Ndocaj kishte deklaruar se nuk do të përfaqësonte socialistët në Kuvend, por demokristianët. Por ndryshe nga çfarë deklaroi në fillim, Ndocaj dje mori pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të PSsë.
I pyetur nga “GSH” nëse ky veprim nënkupton largimin e Ndocaj nga PDK, kreu demokristian Nard Ndoka u përgjigj shkurt: “Nuk kam asnjë informacion”.
Pak ditë më parë Ndoka bëri të ditur në “Facebook” se po iu bien deputetët nga qielli. “Zyrtarisht PDK me dy deputetë në Kuvend. Demokristianëve u ‘zbresin deputetët nga qielli”, – shkruante ndër të tjera Nard Ndoka.
KOHA JONË SONDAZH

