Kejdi Mehmetaj: Të gjendet zgjidhja për maturantët
Intervista e deputetes dhe Nënkryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Kejdi Mehmetaj për Ora News
Keni zhvilluar një mbledhje me kryesinë për maturën shtetërore. Cili është feedback-u i kësaj mbledhje, e cila është kërkuar nga ju?
Në fakt ne kemi ndjekur shqetësimet e maturantëve që prej të hënës kur filluan të dilnin rezultatet e para në universitete dhe shqetësimi ka qenë shumë i madh ndërmjet maturantëve dhe familjarëve të tyre. Shqetësim ky totalisht i justifikuar sepse marr parasysh edhe pasojat sociale që i gjithë ky proces ka por mbi të gjitha edhe faktin që familjet shqiptare mund të vuajnë shumë probleme por prioritetin kyç të zhvillimit të tyre kanë arsimimin e fëmijëve. Do jepnin çdo gjë që ta realizonin këtë. Dhe absolutisht për ato studentë të cilët kanë pasur rezultate shumë të mira ndër vite, që të flasim realisht është i shumtë në numër deri në momentin që po flasim, të mos arrijnë që të regjistrohen nëpër universitete dhe pa pasur informacionin e duhur se si vazhdon më tej ky proces, ka krijuar jo thjesht konfuzion por edhe shqetësim të madh. Faktikisht edhe për shkak të punës që bëj pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim si pjesë e strukturave aty por edhe për shkak të moshës kam qenë pak më e ndjeshme në këtë aspekt dhe kontaktin e kam pasur më të përditshëm. Realisht ky qëndrim që po mbajmë tani nuk është thjesht një qëndrim i tanishëm por ka filluar që në momentin e parë të miratimit të ligjit të ri për Arsimin e Lartë, ku si unë, po ashtu z. Vasili, po ashtu dhe z. Luan Rama, që kemi folur gjatë asaj seance kemi thënë se kleçka e këtij ligji do të qëndrojë pikërisht te zbatimi i tij. Pra, nëse në parim ai ligj ishte shumë i mirë, ajo që do mund të krijonte konfuzion do të ishte zbatimi dhe ajo të cilës ne i druheshim ndodhi pikërisht tani. Ndodhi për tre arsye madhore në gjykimin tim dhe kjo është shumë personale. E para ka të bëjë me faktin se ndoshta ishte i parakohshëm zbatimi i këtij ligji. Nuk është e drejtë, unë e thashë edhe gjatë fjalës sime në media dje, qëtë ndryshosh rregullat gjatë lojës, pra gjimnazistëvet’i ndryshosh rregullat gjatë një procesi, siç ndodhi me gjimnazistët e këtij viti, pra ti ndryshosh rregulloren, mesataren, kurrikulat, çdo gjë në përfundim të vitit të tretë kur në fakt kjo duhet të ndodhte për ato që filluan vitin e parë. Jepet informacioni dhe mund të futeshin pastaj në universitet sipas ligjit të ri. E dyta ka pasur të bëjë me mosnxjerrjen në kohë të akteve nënligjore, që do ta bënin të zbatueshëm ligjin në mënyrë të drejtë dhe reale ashtu siç ne e kemi miratuar. Pati vonesa shumë të mëdha në këtë drejtim. E kuptoj që ka pasur vështirësi për shkak se ligji ka ndryshuar çdo gjë sa i takon Arsimit të Lartë por kjo mbase duhet të sillte dhe reflektimin që ky nuk ishte momenti i duhur për tu zbatuar ligji. Dhe e treta që është po aq e rëndësishme në këndvështrimin tim, ka të bëjë me faktin që ne ndryshuam në total ligjin për Arsimin e Lartë ndërkohë që ligjin për Arsimin Parauniversitar e lamë të paprekur në pikën më kyçe të saj që lidhet me arsimin e lartë, që ka të bëjë me daljen nga sistemi 12-vjeçar, që ka të bëjë pikërisht me provimet e maturës shtetërore. E gjithë kjo, solli këtë kauzë, mosinformacioni, solli këtë kauzë në të cilën ne jemi sot, por që unë mendoj dhe shpresoj dhe gjykoj që mbas të gjithë konsultimeve që ne kemi bërë sot, një ndër këto konsultime e kemi pasur në fakt edhe me ministren e Arsimit e cila na siguroi disa herë se pavarësisht vonesave ose le të themi mosçuarjes së informacionit dhe mosmarrjes së informacionit në kohë reale çdo gjë do të shkojë në vendin e saj. Ne kemi bërë dhe disa propozime konkrete për ta zgjidhur situatën. E dimë që është e vështirë që tani të qetësosh mijëra familje që janë duke vuajtur këtë problem por është e rëndësishme të themi që, kjo situatë kaloi, tani duhet qetësi, duhet maturi nga të gjitha palët, por mbi të gjitha duhet përgjegjësi maksimale nga institucionet përkatëse të cilët duhet të vënë në zbatim dhe të çojnë përveçse meritën tek i zoti, por mbi të gjitha të mos vrasin ëndrrat e mijëra gjimnazistëve shqiptarë të çojnë meritën tek çdokush dhe mbi të gjitha të mos vrasin ëndrrat e mijëra gjimnazistëve shqiptarë që janë e ardhmja jonë.
Cilat janë sugjerimet tuaja ?
Sugjerimi i parë ka qenë për të zgjidhur edhe konfliktin që është krijuar, ku studentë me mesatare më të ulët kanë fituar një shkollë përpara atyre që kanë një mesatare më të lartë.
Si është e mundur kjo?
Në bazë të ligjit për Arsimin e Lartë, thuhet se janë universitetet ato që propozojnë që vendosin kriteret për pranimin në universitete të maturantëve. Ka ndodhur që disa universitete, ndoshta edhe për shkak të një moskoordinimi të mirë me ministrinë apo me pjesën parauniversitare kanë vendosur si kritere të tyre disa lëndë që nuk kanë qenë të përfshira në kurrikulat e shkollave në të gjithë vendin. Për shembull, është zgjedhur filozofia për t’u pranuar në një universitet të caktuar, ndërkohë që filozofia nuk ka qenë e përshirë në kurrikulat e 30 gjimnazeve të caktuar në gjithë Shqipërinë. Automatikisht, këtyre 30 gjimnazeve për çdo nxënës që aplikon në universitet filozofia u llogaritet zero, ndërkohë që ajo zë 5 për qind të totalit të pikëve që ato mbledhin për të konkurruar në universitet. Ky nuk është faji i nxënësve që është aplikuar një sistem tjetër dhe nuk janë lajmëruar në kohë për këtë çështje dhe nuk është as faj i tyre që nuk u morën masa për ta parandaluar këtë problem. Në një diskutim që patëm edhe me rektorë të ndryshëm të universiteteve në gjithë Shqipërinë, të cilët duke parë edhe problemet e shkaktuara kanë qenë të gatshëm që ta rregullojnë këtë gjë. Po ashtu edhe Ministria e Arsimit na siguroi që do të merren të gjitha masatqë të ndodhë ky ndryshim. Në fazën e dytë të konkurrimit që hapet pas datës 20 të këtij muaji ato do të tregojnë fleksibilitet që lëndët si filozofia t’i gjejnë një lëndë homologe të cilën gjimnazisti e ka kryer që të mos t’i llogaritet zero, por t’i llogaritet ashtu siç duhet. E njëjta gjë do të ndodhë me të gjitha lëndët që nuk kanë qenë në kurrikulën bazë në të gjitha universitetet e vendit, në mënyrë që asnjë maturant të mos mbetet pa shkollë dhe ajo që është më e rëndësishmja të shkojë në atë universitet të cilën e dëshiron dhe e ka pasion dhe ka prirje për ta bërë. Një tjetër propozim i yni i cili ka pasur reflektim nga ministria që ditën e sotme, lidhet me ngritjen e zyrave për këshillimin dhe asistimin e gjimnazistëve për dy fazat e tjera të procesit që nëse kjo fazë e parë kaloi, ndoshta maturantët nuk ditën të plotësonin ashtu siç duhet ose në gjykimin tim, jam me maturantët dhe i mbështes ata sepse nuk kanë pasur informacionin për të plotësuar informacionin në formën e duhur në mënyrë që të dilnin fitues. Këto zyra mendojmë të që të ngrihen pranë gjimnazeve dhe pranë fakulteteve. Të jenë vizualisht të gjindshme për to, por edhe në të njëjtën kohë funksionale për t’u shërbyer, këshilluar dhe asistuar në plotësimin e formularit që do të kenë në 10 preferencat e radhës në mënyrë që secili prej maturantëve të shkojë në degën që meriton por edhe që dëshiron. Mbi të gjitha nuk duhet humbur parimi meritë-preferencë dhe të kemi transparencë që të mos ketë probleme për këtë brez. Ministrja na siguroi se do të ndiqet çdo rast, qoftë edhe i një individi, që ka hasur gjatë sistemit duke pasur parasysh që ky është viti i parë që zbatohet, duke marrë parasysh që përplasjet e sistemit të vjetër me të riun. Çdo rast edhe një individ i vetëm në gjithë Shqipërinë që ka një problem është i lutur që të shkojë pranë institucioneve për të gjetur zgjidhjen më të mirë pasi asnjë maturant nuk duhet të cenohet nga ky sistem. Megjithatë, ne duhet të themi se pas datës 20 do të ketë shumë hapësira të liruara, pasi ajo që ka ndodhur aktualisht, një maturant që ka mesatare të lartë ka zënë 10 vende, por në fakt ai regjistrohet në 1 dhe automatikisht 9 vendet e tjera do të lirohen dhe kjo do të vijë me radhë. Pra, pas datës 20 maturantët do të kenë mundësi ta riplotësojnë formularin e tyre për aplikimin në universitet. Nëse degë të para të një maturanti kanë qenë degë të mjekësisë të cilat tani janë të gjitha të zëna dhe maturanti nuk i kap me pikët që ka, do të ketë mundësi ta ndërrojë atë formular dhe të vendosë 10 degë të tjera, të cilat do t’i përshtaten maturantit me atë që ai dëshiron të bëjë dhe me atë që është i zoti të bëjë.
Fakti që një maturant me mesatare të lartë zë 10 vende menjëherë a nuk është çekulibruese për sistemin?
Pikërisht 10 preferencat mund të kenë qenë ato që krijuan edhe këtë kaos të momentit, prapë do të kishim disa faza nëpër të cilat do të kalonim, dhe gjithmonë ka kaluar në disa faza, por numri i studentëve që do të ishin bërë pjesë e një universiteti ndërkohë do të ishte shumë më i madh nëse nuk do të ishin të dhjeta preferencat dhe unë të zgjidhja dhjetë shkolla njëherësh. Megjithatë, duke pasur parasysh që sistemi i vjetëm dhe i viteve të mëparshme të ka dhënë hapësirën e dhjetë preferencave, pavarësisht se përzgjedhja ka qenë në mënyrë të ndryshme, elektronike dhe pastaj kaloi vetëm në meritë dhe preferenca ngelej vetëm në të parat. Ndërsa tani, edhe për t’i qëndruar disi luajal asaj çka gjimnazistët ishin mësuar të dëgjonin dhe bënin, Ministria bëri këtë zgjidhje. Përderisa jemi në këtë situatë, mbase kjo nuk ka qenë zgjidhja më e mirë dhe ky duhet të jetë reflektimi i parë që ne duhet të bëjmë për vazhdimin. Dhe pa diskutim që ne si grup parlamentar edhe në diskutimet që kemi pasur edhe me Ministrinë, por në të njëjtën kohë edhe me Rektoratet, kemi thënë që duhen bërë ndryshime, nëse janë të nevojshme, që studentët të mos kalojnë më në këtë kalvar të lodhshëm, edhe psikologjikisht të lodhshëm. Edhe nëse në fund të muajit ata do të shkojnë në shkollat që dëshirojnë, prapë një muaj e gjysmë është shumë për një familje për të kaluar këtë lloj ankthi. Pa diskutim që kjo do jetë diçka që do të reflektohet në vitin e ardhshëm. Por duke marrë parasysh që tani janë vetë universitetet ato që i pranojnë vetë aplikimet dhe bëjnë përzgjedhjet, kjo e vonon pak në kohë të gjithë procesin dhe procedurën. Megjithatë, është shumë e rëndësishme që t’u themi sot studentëve që duhet të presin deri më datë 20, të kalojnë në fazën tjetër, do ketë shumë hapësira të lira. Dhe ajo që duhet të themi është që realisht janë më shumë kuota të ofruara nga universitetet shtetërore sesa janë aplikime të gjimnazistëve për t’i ndjekur këto universitete. Që do të thotë që gjithsecili do të ketë mundësinë të shkojë drejt asaj dege, të cilën ai do. Por thjesht tani duhet të bëhen më të kujdesshëm, më të vëmendshëm, edhe më kërkues që plotësimin e formularit të dytë ta bëjnë ashtu siç duhet për të shkuar atje ku duan.
A do të mjaftonin dy raunde apo mos ndoshta do duhet të ishin më shumë?
Ky ishte gjithashtu një diskutim që ne e patëm sot. Në fakt propozimi ynë fillestar ishte për të shtuar raundet, por nëse ne do të shtonim raundet do të duhet të ulnim numrin e preferencave, sepse përndryshe procesi do të zgjatej jashtëzakonisht shumë. Dhe meqenëse kjo do të merrte shumë kohë, ajo që ne menduam dhe i propozuam në diskutimin që patëm me ministren e Arsimit, ka të bëjë me faktin se do të ngelet sërish në10 preferenca dhe do të ketë një raund, por më pas kjo do të vazhdojë nën vizë deri sa të plotësohen të gjitha kuotat. Pra nuk është se kush arrin të futet deri në raundin e dytë, futet në universitet. Do të vazhdojë të zbresë, por pa plotësuar një listë të re dhe një formular të ri. Dhe realisht faza e dytë ka për të qenë më e kollajshme për studentët, sepse në qoftë se në fazën e parë u futën të paditur në mënyrën se si do të bëhet përllogaritja, sa do të ishte totali, cili do të ishte limiti i pikëve për të aplikuar, sepse ishte një sistem totalisht i ri, tani do të dinë se kush ka qenë minimumi i arritjes përpara tyre në një fakultet të caktuar, do të dinë të sakta pikët që ato kanë. Të kenë shansin pra që studentët të shkojnë realisht aty ku e meritojnë. E vetmja gjë që duhet t’u kërkojmë dhe vetë ata duhet të na kërkojnë shumë ne në këtë rast është të bëjnë durim dhe të kërkojnë sa më shumë informacion që në raundin e dytë të kenë mundësi të ndjekin ato shkolla që ata ëndërrojnë.
Le të ndalemi pak tek ligji, një ligj i kontestuar jo vetëm nga opozita. Ka pasur sugjerime të shumta konstruktive edhe nga ana e LSI-së në favor të përmirësimit të ligjit, por nga ana tjetër edhe akademikët nuk kanë qenë hezitues ndaj kritikave ndaj këtij ligji. A është momenti për të menduar për rishikimin e këtij ligji? Ndoshta nuk ka qenë aq funksional sa pretendohet?
Që të jemi realist, kjo provë e parë ishte pak e nxituar për të dalë në përfundimin nëse ka diçka që nuk shkon me ligjin apo jo. Në gjykimin tim ka diçka që nuk shkon në mënyrën se si u menaxhua situata, sesa me ligjin në vetvete. Aktualisht nuk po zbatojmë ligjin sepse aktet nënligjore, procedurat, udhëzimet, zgjedhjet në fakultete, çdo gjë që ndikoi që kushtet të mos ishin të përshtatshme që ky ligj të zbatohej që gjatë këtij viti. Megjithëse nga ana tjetër do të ishte ligjërisht jo e rregullt nëse nuk do të zbatohej brenda këtij viti, sepse ligji e thoshte shprehimisht në nenin e fundit të tij në dispozitat kalimtare që duhet hyrë në fuqi brenda vitit. Prandaj kjo është si të thuash nga të dyja anët ligjërisht e rregullt dhe e parregullt, ose e drejtë dhe jo e drejtë, por unë nuk e shoh këtë si provën më të mirë për të thënë që ka apo jo diçka që nuk shkon me ligjin. Ne pjesa menaxhuese e ligjit, koordinuesit e gjithë punës dhe zbatuesit e ligjit, duhet të ishim treguar ndoshta pak më të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm në zbatimin e tij. Pastaj, me kalimin e kohës nëse do të jetë e nevojshme, përgjithësisht drejtuesit e universiteteve dhe të fakulteteve kanë qenë gjithmonë të lutur, jo vetëm pranë institucionit të Ministrisë ës Arsimit, por në të njëjtën kohë edhe në Kuvend të vijnë dhe të flasin. Ne bëjmë biseda të herëpashershme në Komision me ta për gjërat që shkojnë apo nuk shkojnë. Të njëjtën derë e kemi të hapur po ashtu për studentët, qoftë ato të senatit akademik, qoftë për gjimnazistët e kështu me radhë. Pra, nëse do të jetë e nevojshme patjetër që do ta rishikojmë, por për mua ajo që do rishikim të menjëhershëm është ligji parauniversitar, sidomos në pikat e tij që lidhen me provimet e maturës shtetërore, nëse do jenë hyrëse apo dalëse dhe sa do të përputhen ato me ligjin e ri për arsimin e lartë.