Këlliçi: Në mbledhjen e Kryesisë s’ka pasur dhunë, Kuvendi mbahet më 11 dhjetor
Data për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, po përçan më shumë demokratët. Deputeti Belind Këlliçi, është i bindur që Kuvendi Kombëtar do të mbahet më 11 dhjetor, dhe jo në datë 18, siç vendosi kryesia e PD-së, me propozim të Lulzim Bashës.
Po ashtu ai pranon se ”Foltorja” e mbledhur nga lideri historik i PD-së Sali Berisha ka pasur gabime, por për të ishte e vetmja mënyrë për të sjellë ndryshimin në parti.
“Shpesh në ”Foltore” është tejkaluar e drejta e fjalës, ka pasur edhe linçime. Këto janë gabime të Foltores, por ajo ka risjellë mendimin ndryshe në PD dhe është i vetmi instrument për të bërë një ndryshim. Foltorja ka sjellë Kuvendin dhe është Kuvendi që cakton kryetarin, jo Foltorja. Por të tmerruar nga ”Foltorja” ka njerëz që e shohin si shantazh atë, por unë e shoh si mundësi”,-tha në ”A2cnn”.
Ndër të tjera Këlliçi hodhi poshtë pretendimet se në mbledhjen e kryesisë së PD-së ka pasur konfrontime fizike, por vetëm tone të larta, siç është normale, sipas tij, në një situatë të tillë. Për të kryetari Basha ka ndryshuar me 180 gradë qëndrimin që nga dita e parë që vendosi të përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar.