Kërpaçi: Pandemia nuk luftohet me burg!
Kryetarja e LRI Floida Kërpaçi flet në një intervistë për STANDARD mbi situatën që po kalon vendi për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ajo komenton masat e marra nga Qeveria si edhe ndryshimet e fundit në kodin penal. Po ashtu, ish-deputetja e LSI analizon praktikën e mësimit online që po ndjek ministria e Arsimit si edhe problematikën me maturantët.
INTERVISTOI: Gëzim SALIU
Vendi prej 40 ditësh ndodhet në kushtet e karantinës si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Cili është opinioni juaj mbi këtë situatë? Po lidhur me masat e marra nga Qeveria gjatë këtyre kohëve?
Ndodhemi në një situatë të vështirë e cila ka ndryshuar jetën tonë dhe na ka detyruar të mësohemi me zakone të reja, në respektim të distancimit social dhe të kufizimit të aktiviteteve me synim mbrojtjen e shëndetit dhe jetës. Familjet shqiptare përballen me një situatë sfiduese ku ankthi dhe stresi janë të pranishëm sepse edhe pikëpyetjet për të ardhmen janë vazhdimisht në rritje. Ne kemi apeluar si të vetmen zgjidhje të qëndrueshme, një strategji ku në themel ka testimin masiv të qytetarëve. Një udhëzim ky i dhënë edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, por edhe i rezultuar i suksesshëm nga praktika që po ndjekin vendet e zhvilluara që po ja dalin me sukses si Gjermania, Singapori, etj. Ndryshimi i masave nga qeveria disa herë brenda një kohe shumë të shkurtër ka ndikuar në paqartesi dhe dyshime mbi natyrën shkencore të këtyre vendimeve. Te gjithe jemi dëshmitarë sesi fasha shumë e kufizuar e orareve ka krijuar artificialisht grumbullime të mëdha, duke hedhur poshtë të gjithë sakrificën e qytetareve që prej 5 javëve kanë treguar një sjellje shembullore për nga përgjegjshmëria e kujdesit për shëndetin publik. Nëse qeveria do të kishte kryer testime do ti njihnim rastet, do ti izolonim dhe do të merreshin vendime bazuar në të dhëna dhe jo me strategji spontane, dhe sot do të ishim më pranë hapjes dhe rikthimit në normalitet.
Ditën e djeshme, Parlamenti votoi ndryshimet ne kodin penal për dënime deri me burg ndaj atyre që shkelin rregullat për frenimin e pandemisë. Cili është vlerësimi juaj mbi këto ndryshime?
Më tepër se vitet e burgut, qytetarët kanë preferuar të shikonin Parlamentin të mbledhur për të rialokuar buxhetin e shtetit në mënyrë që sa më parë ti vihet në ndihmë cdo shqiptari, cdo familje, cdo biznesi. Apo për të dëgjuar diskutime mbi situatën reale në terren dhe cfarë na pret në aspektin shëndetësor, social dhe ekonomik për pesë, dhjetë muajt në vijim. Pandemia fitohet me ndërgjegjësim dhe mbështetje reale për familjet dhe bizneset jo me burg.
Krahas masave penale të miratuara dje, ju rikujtoj se edhe penalitetet administrative në fuqi prej javësh, janë të rrepta, por praktika tregon se ashpërsimi i masave nuk përkthehet domosdoshmërisht në rritje të zbatimit, ndaj sygjerimi im do të ishte më tepër transparencë, më tepër komunikim serioz e korrekt nga institucionet publike me qytetarët, më shumë ndihma ekonomike konkrete e të shpejta për të përmbushur nevojat, dhe sic ka ndodhur deri më sot qytetarët do vijojnë të bashkëpunojnë.
Si e shihni praktikën e mësimit online të ndjekur nga ministria e Arsimit?
Mësimi online është stres për cdo mësues e cdo familje Shqiptare. Ministria e Arsimit i ka lënë mësuesit edhe nxënësit pa një strategji sesi do të vijohet me mësimin.
E them këtë sepse në diskutime me shumë mësues më kanë ngritur shqetësimin se ministria i ka braktisur duke i lënë të vetëm në sfidën për të zhvilluar mësimin online. Jo vetëm pa infrastrukturë mësimore, por askush nuk i ndihmoi mësuesit për ti trajnuar për zhvillimin e mësimit online. Ministria e Arsimit, ditën që u mbyllën shkollat duhet të kishte trajnuar të gjithë mësuesit e Shqipërisë që të përdornin 1 platformë komunikimi unike për të gjithë Shqipërinë.
Për Ministren e Arsimit, mësimi online është vetëm një urdhër i firmosur, por për mijëra familje është një sakrificë e jashtëzakonshme dhe një vështirësi për ta perballuar. Imagjino familje që kanë 2 apo më shumë fëmijë që duhet të bëjnë mësim online, shpesh në të njëjtin orar, cfarë vështirësie dhe shpenzimi për familjen. Mijëra të rinj sot nuk po arrijnë të ndjekin mësimin online sepse e kanë të pamundur. Mos të harrojmë se qëndrimi 5 javë brënda ka dhe implikime jo të vogla në gjendjen e pëgjithshme emocionale të të rinjve dhe kjo ndikon në aftësinë e tyre për të mësuar.
Nderkohë nga ana tjeter, Ministria e arsimit nuk ka asnje bazë të dhënash sesa te rinj po ndjekin sot mësimin online dhe sa nuk po ndjekin mësimin online. Qeveria Shqiptare ka shpenzuar 3.5 mln euro me të cilat ka blerë 5850 tableta për projektin e digjitalizimit të shkollave. Një projekt që u premtua nga Kryeministri se brenda vitit shkollor 2018-2019 të gjitha gjimnazet do të ishin digjitale. A i kemi sot gjimnazet digjitale? Jo. Edhe pse nga xhepat e qytetarëve 3.5 mln euro kanë ikur, arsimi u gjend i papërgatitur për këtë sfidë të mësimit digjital. Mendoj se sot duhet të bëhet transparencë se ku kanë shkuar këto para, dhe pse këto tableta nuk janë vendosur në funksion dhe përdorim të të rinjve ? Ministria e Arsimit ka dështuar në përballimin e situatës dhe nuk ka asnjë plan sesi do të vijohet.
Ndërkaq problem kryesor i kësaj situate mbeten maturantët. LSI ka bërë të ditur se ka një plan mbi to dhe studentët. A mund të na shtjelloni piketat kryesore të këtij programi?
Procesi i Maturës Shtetërore, ka qenë dhe mbetet një eksperiment që nuk i orienton të rinjtë sic duhet drejt së ardhmes dhe Lëvizja Rinore për Integrim e ka ngritur gjithmonë këtë shqetësim të drejtë që maturantët kanë. Në këto momente ky shqetësim për maturantët bëhet edhe më i madh.
Duke qenë se nuk ka një platformë të unifikuar të mësimit online, janë të detyruar që lëndë të ndryshme ti bëjnë me metoda të ndryshme duke e vështirësuar edhe më tej procesin. Në diskutimet e mia me maturantët më kanë ngritur shqetësimin se e kanë të pamundur të kuptojnë shpjegimin e lëndëve shkencore me regjistrim zëri në aplikacionin whatsapp.
A mund të mësohet fizika apo matematika me whatsapp? Por cfarë do të ndodh me maturantët që nuk kanë mundësi për të ndjekur mësimin online? Do të penalizohen sepse nuk kanë mundësi ?Në këto momente që mungesa e interaktivitetit është shumë e madhe, do të propozoja që të ketë një lehtësim të projekteve të cilat krijojnë një ngarkesë, por edhe shpenzime financiare për familjen. Në kushtet kur konsultimet e maturës nuk po bëhen edhe mësimi online ka vështirësi shumë të madhe, duhet që gjithë kjo kohë e shpenzuar të fokusohet më së shumti te provimet e maturës për të fokusuar maturantët dhe për të rritur produktivitetin e tyre. Duhet të ketë një manual informues për procesin e maturës.
Nuk mund të lihen mijëra famije pa asnjë informacion dhe të merren vendime të rastësishme që do ti kushtojnë shumë të rinjve dhe të ardhmes së tyre, Duhet të kuptojmë që matura është një moment shumë i rëndësishëm finalizues i jetës së një të riu që pret të hapi një kapitull të ri në jetë, por edhe i familjes së tij që ka bërë një sakrificë disa vjecare për të rritur e për të formësuar fëmijët e pikërisht në këtë moment nuk mund të dështojë për shkak të paaftësisë së Ministrisë për tu ulur dhe menduar për një plan strategjik për skenarët në vazhdim të situatës.
E njëjta situatë është edhe me studentët, të cilët sot janë pa punë dhe pa asnjë mundësi për të paguar detyrimet e shkollës, prandaj ne kemi propozuar që të subvencionohen detyrimet e studentëve për vitin akademik 2019-2020. Ka kaluar 1 muaj dhe nuk ka asnjë reagim nga Ministria, e cila dëshmon shpërfilljen ndaj të rinjve.
Po lidhur me paketat e Qeverisë të cilësuara si “ndihma lufte” për biznesin e vogël dhe qytetarët e mbetur të papunë si pasojë e karantinës, cili është qëndrimi juaj?
Deri më sot flitet për më shumë se 50 mijë largime nga puna që prej shpërthimit të koronavirusit në Shqipëri. Shqipëria kishte probleme me papunësinë edhe para virusit, që ka ndikuar dhe në shifrat gjithnjë në rritje të shqiptarëve që emigronjnë. Mendoj se paketat aktuale duhet të kenë një shtrirje më të gjërë për të mbuluar sa më tepër njerëz e biznese të prekura, ndërsa në tërësi ka nevojë për një plan afatgjatë të mirëmenduar mbi ekonominë në mënyrë që të frenojmë rritjen e papunësisë dhe të ofrojmë besim ndaj sektorit privat që të vijojnë aktivitetet e tyre dhe planet për investime në Shqipëri.
Nëse qeveria nuk do të ndihmojë biznesin, drejtpërdrejtë ka ndikuar në largimin e mijëra njerëzve nga puna