Këshilltari i Metës, Gjoni: Deklarata e kryediplomatit gjerman e mangët. S’ka zgjedhje pa PD-në
Sekretari Ndërkombëtar pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ralf Gjoni tha mbrëmjen e djeshme në emisionin “Tonight Ilva Tare” se deklarata e ministrit të Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel në Tiranë ishte e mangët dhe se nuk ka ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike në vend.
Pjesë nga biseda:
Gjoni: Unë mendoj se në këtë rast, qëndrimi i zt.Gabriel, i ministrit të Jashtëm do të thoja ishte i mangët. Pse i mangët? E kërkon logjika politike dhe morale. Kur vjen në një vend si Shqipëria, për më tepër si Ministër i Jashtëm. Logjika ime personale me sa e kuptoj unë e do që ky zotëria i nderuar që përfaqëson shtetin më të fuqishëm të Evropës minimumi do të takohet edhe me opozitën, para se të thotë ndonjë fjalë për këta.
Të ishte takuar me gjitha palët dhe pastaj të jepte një deklaratë. Le t’ia jepte dushin e ftohtë edhe gjatë takimit edhe pas takimit. Më duket pak e mangët, sepse asnjë njeri nuk është kundër futjes së opozitës në Parlament dhe bërjes së politikës në institucione. Kjo është imperativa morale e demokracisë. Nga ana tjetër, ti mund të injorosh disa probleme reale. Ne nuk jemi një vend i BE-së. Jemi një vend ku ka shqetësime reale për kriminalizimin e strukturave të policisë, shumëfishim të kultivimit të kanabisit.
Ilva Tare: Nuk i di Gjermania këto?
Gjoni: Prandaj thashë e mangët, jo i pa informuar. Është i informuar. Unë mendoj se ishte një qëndrim që nuk ndihmon në zgjidhjen e krizës. Një e ulët kredibilitetin e BE-së gjithnjë e në rënie. A pati ndonjë efekt? Zt.Ministër erdhi, iku dhe opozita është më radikale në qëndrimin e saj.
“Rama protagonizëm të tepruar për drejtësinë”
Sekretari Ndërkombëtar pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim, tha po ashtu se kryeministri Edi Rama ka protagonizëm të tepruar për sa i përket reformës në drejtësi.
Ai theksoi se zgjedhjet pa opozitën na çojnë në skenare të frikshme për vendin.
“Duhet të jemi real, konkret kur të flasim për drejtësinë. Edhe kryeministri ka një protagonizëm të tepruar në gjykimin tim personal, por është bërë e ditur edhe nga eksponentë të tjerë të LSI-së, sepse merr përsipër të flasë për drejtësinë në një moment që opozita është në çadër dhe rrezikon të bojkotojë zgjedhjet, pa të cilën nuk ka zgjedhje. Të mos flasim për datë zgjedhjesh, por për zgjedhje. Flasim pastaj për skenare të frikshme për vendin pa opozitën. Prandaj, qëndrimi ynë si LSI ka qenë që në fillim konsensus, gjithpërfshirje që të gjithë të bëjnë një lëshim për interes të vendit. Edhe unë jam kthyer bashkë me nusen time të huaj që të jetoj këtu në këtë vend dhe mua më vjen turp sot për këtë situatë të krijuar, sepse unë nuk ndjej pikë të ardhme si qytetar shqiptar” u shpreh Ralf Gjoni.
/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

