Keta: Në grup ka debat por nuk ka deputetë që janë kundra protestave

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i Partisë Demokratike, Roland Keta: “Në grup ka debat por nuk ka deputetë që janë kundra protestave”

Intervistoi: Redjon Shtylla

Opozita e madhe pritet që të nisë protestat, demonstratat në dhjetor si dhe të ngrijë raportin me Kuvendin. Pas gati një viti, Partia Demokratike pritet që të rikthehet në fushë e të kërkojë rrëzimin e qeverisë, mbi akuzat e keqqeverisjes e të thërrasë shqiptarët që t’i bashkohen kauzës së madhe. Një në intervistë për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së për Qarkun e Dibrës, Roland Keta, komenton situatën, ku janë strukturat e partisë, ku pohon se ka degë që ka nevojë për riorganizim, por sipas tij degët janë gati për protesta.

Në Komisionin e Shëndetësisë, mungesa e ministrit Beqaj i thirrur për të raportuar lidhur me kontratën e koncesionit të check up-it, shkaktoi një debat të nxehtë, maxhorancë-opozitë. Pse është thirrur ministri, për çfarë është e shqetësuar opozita?

Po është e vërtetë, se në bazë të rregullores së Parlamentit, ku 1/3 e deputetëve të komisionit kërkon informacion me ministrin, ai është i detyruar ta sjellë informacionin dhe të jetë i pranishëm në debat. Ministri u kërkua nga ana jonë për të na dhënë informacion për vendimin e fundit të KM, në lidhje me Check-up, ku qeveria ka zgjeruar grup moshat nga 35-70 vjeç për të kryer Check-u. Unë mendoj se, për këtë koncesion dhe për VKM të fundit janë të shqetësuar jo vetëm ne si opozitë, por qytetarët shqiptarë, personeli mjekësor, ato shprehin se ky koncesion tashmë ka dështuar. Ishte koncension i panevojshëm për vetë realitetin që ndodhet shëndetësia sot, është koncension jo transparent, abuziv dhe klientelist. Por nuk janë pak rreth 120 mln euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Ne patëm deklaruar se do të dështojë dhe ja ku jemi sot, ku qeveria me vendimin e fundit mundohet ta maskojë këtë dështim. Kjo ka ndodhur pasi qytetarët nuk kanë besim tek ekzaminimet që kryheshin dhe për rrjedhojë nuk është plotësuar numri 470.000 sipas kontratës së koncesionit, dhe për këtë qeveria ka rritur numrin e grup moshës nga 40-65, në 35-70 vjeç. Kjo nuk është ligjore dhe është abuziv, për këtë kërkonim informacion nga ministria.

Në lidhje me vdekjet në maternitete, një ndër problemet e shfaqura, u pamoskoordinimi. Si pjesë e sistemit shëndetësor, sipas jush pse ndodh ky problem i moskoordinimit, që sjell dhe pasoja të rënda?

Vdekja e nënës dhe fëmijës para disa kohësh në maternitetin e Tiranës, mendoj që ishte e rëndë, ky rast po hetohet nga institucionet dhe besoj se do jenë këto që do japin konkluzionin për shkaqet e vdekjes. Si mjek dhe si qytetarë, mendoj se është e pafalshme të ndodhin këto në klinikën universitare, kjo është pasojë e shkatërrimit të sistemit shëndetësor nga kjo qeveri. Unë nuk dua të mbroj bluzat e bardha, por realiteti është i hidhur. Ato sot janë të braktisur nga kjo qeveri, pagat qesharake dhe më të ulëta në Ballkan, mungesat e theksuara të aparaturave dhe ekzaminimeve, edhe në rastin në fjalë në maternitet nuk punonte ekoja, nuk kishte koordinim të shërbimeve, rasti u sorollat nga një spital në një tjetër. Duhej të zhvillohej një konsultë e zgjeruar tek i sëmuri dhe nuk duhej të lëvizej në këtë rast pacienti. Ky rast tregoi se nuk funksionon shërbimi i urgjencës dhe defekte të sistemit shëndetësor.

Larg zhurmës politike dhe ndikimeve mediatike, si e shihni situatën me spitale në rrethe, i keni parë nga afër problematikat apo përmirësimet e shërbimeve?

Asnjëherë nuk kam bërë politikë me bluzën e bardhë dhe jam munduar gjithmonë të shpreh realitetin. Të flasësh për gjendjen e spitaleve sot është për të dhënë alarmin, spitalet bashkiake po kthehen si spitale lufte, mungesa të specialistëve, asnjë investim nga 3 vite. Nuk ka autonomi spitalore, ka centralizim të emërimeve, centralizim të shërbimeve dhe prokurimeve. Sot të gjitha tenderat për (ilaçet, instrumentet kirurgjikale, naftë për ambulancën apo material të tjera) bëhen nga ministria dhe jo nga spitalet. Kjo situatë nuk është vetëm në spitalet bashkiake por edhe ato rajonale. Pacientet sorollaten nga një spital në një tjetër dhe kur vijnë për konsultë në konsultën e QSUT, duhen të paktën 1-2 ditë për të mbaruar punë, në vend se të shërohesh sëmuresh më shumë nga radhët e gjata. Shëndetësia është në ditët më të vështira të sajën, as nuk bëhet fjalë për shëndetësi falas.

Z.Keta, ndarja e re territoriale, bëri që PD-ja të ishte pjesë e një organizimi të ri në mbarë vendin mbi bazën e njësive territorial. Sot, sipas jush sa u shërbeu demokratëve ky proces?

Pavarësisht ndarjes territoriale PD-ja ka pasur dhe ka strukturat e saj në çdo fshat, njësi administrative dhe çdo bashki. Sigurisht që, analizat e zgjedhjeve kanë pasur nevojë për organizime në degë të veçanta. Gjithmonë qëllimi i liderit Basha, ka qenë dhe është për të qenë strukturat e PD-së sa më afër demokratëve dhe qytetarëve, për të qenë zëri i qytetarëve për këtë keqqeverisje, nga këto 3 vite. Sot qytetarët e kanë shpresën te partia demokratike dhe kryetari Basha.

Duke parë rezultatin e zgjedhje të pjesshme në Dibër, a ka humbur PD-ja kohët e fundit për faj të strukturave të saj të dobëta siç pretendohet? Këtë herë në zgjedhjet në Kolonjë, si duhet të veprojë PD-ja?

Për rezultatin e zgjedhjeve në Dibër, mendoj se ishin shumë faktorë. Sot nuk ka zgjedhje të lira me Edi Ramën. Në Dibër fitoi krimi, presioni të çdo punonjësi të administratës. Blerja e votës tashmë është kthyer në sistem, sot trafikantët e kanabisit bashkë me qeverinë blejnë votën e qytetarëve. Humbja në Dibër nuk ndodhi nga strukturat e PD-së, por nga këto çfarë përmenda. Për rastin e Kolonjës nuk mund të bëj ndonjë koment pasi nuk e njoh mirë atë zonë, por edhe njëherë përsëris se me këtë qeveri nuk ka zgjedhje të lira, nuk ka Demokraci.

A ka nevojë për ndryshim strukturash në qendër dhe në çfarë faze janë strukturat e PD-së në qytete, a janë gati degët për një përballje dhe fitore në zgjedhjet e ardhshme?

Kryetari Basha po shkon dhe po bën takime në të gjitha degët, me demokratët dhe strukturat e partisë, po merr mendime dhe po konsultohet me këto struktura. Për këtë është për ta përkrahur dhe po mbështetet nga e gjithë struktura e partisë. Sigurisht, ka degë që ka nevojë për riorganizim dhe kështu po veprohet në disa degë. Besoj se strukturat e PD-së në bazë dhe në qendër janë të gatshëm për të qenë bashkë me qytetarët, për të rrëzuar këtë keqqeverisje. Këtë papunësi të madhe, këtë varfëri që i ka pllakosur Shqiptarët. Sot ky vend ka nevojë për tjetër qeverisje dhe e vetmja shpresë është të jemi gjithë bashkë për të fituar zgjedhjet e 2017.

Në qëndrimet e kolegëve tuaj, të cilët ndahen në pro dhe kundër protestave, që priten të nisin në dhjetor, nëse një opozitë kërkon largimin e qeverisë, sipas jush a duhet të jetë më e unifikuar dhe më e përqëndruar në reagime?

Jo unë nuk kam parë se ka deputetë që është kundra protestave, sigurisht që, në grupin parlamentar ka mendime që debatohen, por këto debate i shërbejnë PD-së. Të gjithë jemi të bindur se vetëm protestat me qytetarët do ta bëjnë të mundur largimin e kësaj qeverie. Partia Demokratike me kryetarin Basha jo vetëm se është e unifikuar, por ajo ka program të qartë në të gjitha fushat.

Ka opozita strategji për të ardhur në pushtet, duke parë dhe qëndrimet e kolegëve tuaj se nga selia blu nuk ka dalë ende shpresa që shqiptarët presim?

Jo vetëm që ka një strategji të qartë, por ajo ka një program realist për nxjerrjen e vendit nga kjo krizë qeverisje, kjo qeveri i ka braktisur qytetarët vendin e ka mbytur droga dhe krimi, varfëri, papunësi, humbja e shpresës. Kryetari Basha po e shpalos programin e shpresës për  shqiptarët në çdo qytet, në çdo qark. Të uljes së taksave për biznesin, për subvensione për bujqësinë, për nxitjen e punësimit për rininë, për një shëndetësi ndryshe duke financuar në sistem dhe autonomi spitalore, nxitje të biznesit vendas dhe atij të huaj me politika të uljes së taksave, e shumë të tjera.

 

SHKARKO APP