Kisha prishet sipas porosive të kryeministrit, PBDNJ: Vandalizëm qeveritar!
Një vandalizëm qeveritar e ka quajtur PBDNJ, prishjen nga INUV të kishës së Shën Thanasit në Dhërmi. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut shprehet se asnjë "patriotizëm" nuk mund të bëhet strehë për qëllime grabitëse.
"Qeveria që dështoi të ndërtojë shkolla, po shkatërron objektet e kultit. Ligji po i lë vendin abritraritetit, arrogancën dhe dhunës", shprehet PBDNJ.
PBDNJ vijon më tej duke deklaruar se "qeveria është e kapur nga interesa klienteliste".
Është shembur gjatë natës nga INUV-i Kisha Ortodokse në Dhërmi. Kisha është shembur plotësisht rreth orës 04:00 të ditës së mërkurë. Ndërhyrja e INUV-it është bërë në orët e para të mëngjesit për të shmangur përplasjet me banorët e zonës, të cilët dolën në mënyrë të organizuar në mbrojtje të kishës së fshatit ditën e hënë.
Banorët thanë se do ta mbronin kishën sepse e kishin ndërtuar vetë që në vitin 1994.
Zëdhënësi i Kishës, Thoma Dhima, tha se ky është një akt vandal i shtetit kundër komunitetit ortodoks. “Tani e kanë radhën eshtrat e familjeve ortodokse të fshatit që të përdhosen”, tha Dhima.
Ditën e martë, kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale dy fotografi, njëra që tregon kishën para se ajo të prishej nga regjimi komunist dhe tjetra ndërtesën aktuale.
“Kisha e vjetër e Dhërmiut, që do të rilindë në emër të trashëgimisë kombëtare, dhe garazhi pa leje që e quajnë kishë”, shkroi Rama, duke ftuar qytetarët që të kuptojnë ndryshimin mes ndërtesës aktuale dhe asaj që synohet të ngrihet si pjesë e trashëgimisë kombëtare.