Klajda Gjosha: Nëse do të plotësojë kushtin thelbësor të integrimit, qeveria të shkojë në zgjedhje të parakohshme

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha flet mbi mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku thekson se plani i masave të qeverisë është ende në letër dhe se ekzekutivi “Rama” është shumë i vonuar në këtë aspekt. Po ashtu ajo komenton kushtet e vëna nga Brukseli ku thekson se kryesore është ai për implementimin e reformës zgjedhore, pra zhvillimi i zgjedhjeve. Nisur nga kjo, Gjosha sfidon mazhorancën qeverisëse duke i kërkuar nëse është e gatshme që të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe të plotësojë këtë kusht thelbësor të Brukselit.

1-Ditën e sotme u mblodh Këshilli Kombëtar i Integrimit, për të diskutuar mbi procesin e negociatave mes vendit tonë dhe Bashkimit Europian. Si do ta cilësoni këtë takim?

Që nga momenti kur është ngritur Këshilli Kombëtar i Integrimit, ende nuk e ka kryer detyrën kryesore të tij që është këshillimi i ekzekutivit nëpërmjet inputeve të marra nga shoqëria civile, grupet e interesit, biznesi, media, bota akademike etj. Është një potencial i madh dhe i nevojshëm, i cili nuk po shfrytëzohet për të plotësuar një nga kriteret e procesit të integrimit që është gjithëpërfshirja. Këshilli është shfrytëzuar rëndomtë për të mbajtur fjalime formale dhe për t’i dhënë hapësirë sërish faktorit politik për të politizuar një strukturë e cila duhet të jetë mbi palët!

2-Cili është opinion juaj mbi përgatitjet për procesin e negociatave në Bashkimin Europian dhe si do ti vlerësonit draft planin e masave të integrimit? A po ecën qeveria në rrugën e duhur në përmbushjen e 15 kushteve të vëna nga Brukseli?

Ky është plan shumë i vonuar. Një udhërrëfyes i tillë do duhej të ishte bërë që pas takimit të Këshillit Europian të vitit 2018. Nëse do të ishte punuar që në atë kohë nuk do të kishim sot dyfishim të kushteve për cëljen e negociatave. Ky plan i paraqitur sot mbetet ende në letër dhe ai ka një varësi të drejtë për drejtë nga vullneti politik, që ka munguar për një kohë të gjatë. Një nga kushtet është implementimi i reformës zgjedhore që do të thotë zhvillimi i zgjedhjeve. A është e gatshme qeveria të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe të plotësoj këtë kusht thelbësor?

3-Në dy ditët e fundit, në kuadër të vlerësimit të marrëveshjes për reformën zgjedhore, kanë ardhur thirrje të forta të ndërkombëtarëve, kryesisht nga Gjermanis, ku është theksuar theksuar rëndësia e mbajtjes së zgedhjeve të lira e të ndershme si edhe rikthimi sa më parë në funksion të plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Ndërkohë po Berlini ka këmbëngulur edhe për nisjen e procedurës penale kundër atyre që akuzohen për blerjen e votave në zgjedhjet e kaluara. Cili është vlerësimi juaj për këtë angazhim të ndërkombëtarëve?

Mendoj që këto janë kushte të pashmangshme në gjendjen ku ndodhet Shqipëria. Pandëshkueshmëria ka qënë një sëmundje e vjetër, por në këto momente kur ne kemi individë në nivele të larta të kapur në përgjime për vjedhje votash, intimidim të votës por edhe kriminalizim të saj, është e pafalshme që drejtësia e re nuk vepron. Kjo cështje kompromenton rëndë edhe reformën në drejtësi dhe besueshmërinë e saj.

Përsa i përket Gjykatës Kushtetuese, ky është një kusht emergjent, pasi është precedent shumë i rëndë që një qeveri po përfundon një mandat të plotë pa pasur asnjë kontroll dhe pa dhënë asnjë llogari për të gjitha aktet që shkelin rëndë Kushtetutën e vendit, si zgjedhjet lokale monopartiake, shembja e Teatrit Kombëtar, ligji për dividentin, cënimi i pronës provate etj. Ndoshta pa kushtet e Bundestagut, qeveria nuk do të angazhohej asnjë ditë për rikthimin në shinat ligjorë dhe kushtetues.

Gazeta Standard

SHKARKO APP