Klajda Gjosha: Vota për LSI është votë për zhvillim dhe një të ardhme të sigurtë në Shqipëri!
Klajda Gjosha, ish ministre e Integrimit dhe kandidate për deputete e LSI në Qarkun e Tiranës në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se kryeministri Rama i sulmon krerët e BE-së për qëllime personale, ndaj 15 kushtet e BE ndaj Shqipërisë përkthehen në një kusht të vetëm: Largimin e Ramës nga pushteti, për integrimin e vendit në BE. Zonja Gjosha thotë se LSI është një parti e Majtë me shumë vlera dhe që ofron shpresë.
– Zonja Gjosha, para disa ditësh, kryeministri Rama akuzoi komisioneren e BE, se ndërhyn në fushatën elektorale meqë mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga Basha, që nuk kishte lidhje me zgjedhjet. Po kështu, Rama ka sulmuar sistematikisht BE për shumë çështje. Sipas jush, pse Rama zgjedh këtë diplomaci kundër BE, në një kohë, që Shqipëria është në kushtet e negociatave me BE për anëtarësim?
– Frika për humbjen e pushtetit sjell edhe reagime të tilla, jo vetëm të nxituara, por që shfaqin edhe një lloj sulmi ndaj BE-së. Është paradoks të dëgjosh një Kryeministër që gjithmonë i ka përdorur ndërkombëtarët për qëllimet e tij personale dhe partiake. Besoj, që përgjigjen e mori zyrtarisht nga Komisioni Evropian, i cili hodhi poshtë çdo akuzë të Ramës dhe mendoj se ky ishte autogoli më i madh i kryeministrit në ikje!
-Shqipëria nga 2014-ta, kur u pranua me statusin e kandidatin në BE, nuk ka bërë asnjë hap progresi për anëtarësim. Përkundrazi, nga viti 2018 e deri tani, BE-ja i shton kushtet paraprake ndaj Shqipërisë, nga 5 tani kemi 15 parakushte. Kush fajësohet?
– Përgjegjësia për procesin e integrimit është gjithmonë e qeverisë, pasi është ajo që drejton dhe koordinon procesin. Shqipëria arritjen e fundit e ka pasur në vitin 2016, kur mori rekomandimin e parë pozitiv për celejen e negociatave me vetëm një kusht, implementimin e procesit të vetingut. Sot pas 5 vitesh fatkeqësisht kemi bërë shumë hapa pas për shkak të papërgjegjshmërisë, arrogances, por edhe injorancës së drejtimit të institucioneve tona. Mungesa e dialogut politik, përqëndrimi i të gjitha pushteteve në një dorë, pandëshkueshmëria, mungesa e shtetit të së drejtës dhe mungesa e lirisë së medias, janë sot tabloja më e qartë e degradimit të mënyrës se si drejtohet vendi. Ndaj sot kemi 15 kushte që ende qëndrojnë pa asnjë përgjigje në kancelaritë europiane! Këto 15 kushte përkthehen në një kusht të vetëm, largimin e qeverisë Rama dhe hapjen e rrugës për një qeveri të përgjegjshme, që të jetë një partner serioz për BE-në.
– Përse sot shpopullohet Shqipëria?
– Shpopullimi është krimi më i madh që i është bërë Shqipërisë në këto 6 vitet e fundit. Sot nuk largohen vetëm ata që kanë probleme ekonomike, sot largohen të rinjtë dhe kryesisht shtresa e mesme, e cila edhe pse ka një pozicion të mirë pune dhe mund të përballoj kostot e jetesës, nuk ka sigurinë për të ardhmen. Mungesa e mundësisë për një arsim cilësor për fëmijët e tyre dhe mungesa e një sistemi shëndetësor që i shërben të gjithëve me cilësi, janë ato që i detyrojnë shqiptarët të largohen nga vendi për të siguruar një të ardhme më të mirë! Shqipëria po plaket me shpejtësi ekstreme dhe kjo është fatkeqësi kombëtare, që duhet ndalur me çdo kusht!
– Pse kryeministri Rama zgjedh strategji elektorale, sulmet personale ndaj Presidentit Meta, ndaj ish kryeministrit Berisha, ndaj kryetares së LSI Kryemadhi, dhe jo ndaj kryetarit të PD, që është kundërshtari i tij kryesor politik, por as nuk bën bilance qeverisjeje 8 vjeçare, për të pohuar ndonjë arritje, ndonjë reformë të kryer?
– E para, kjo është një mënyrë e vjetër e të bërit politikë dhe historia përsërit vetveten në çdo fushatë. Sulmet janë gjithmonë për LSI dhe liderët e saj, pasi edhe rreziku potencial për humbjen e pushtetit, Ramës i vjen nga LSI! Ne njihemi për një parti që i qëndrojmë pranë njerëzve dhe që mbajmë premtimet. Dy cilësi, të cilave Rama i trembet shumë, pasi kurrë nuk i arriti dot nën qeverisjen e tij! Mungesa e bilancit pozitiv, mungesa e vizionit dhe të qenurit lider për të gjithë qytetarët, e shtyn Ramën drejt arrogancës dhe drejt gjuhës së urrejtjes. Qytetarët sot kërkojnë të kundërtën e Ramës dhe qeverisjes së tij, kërkojnë normalitet dhe shpresë!
-Në takimet elektorale, që ju bëni në Qarkun e Tiranës, ku jeni kandidate pë deputete, cilat janë shqetësimet, problemet, që ju thonë votuesit?
– Në kryeqytet problematikat janë nga më të ndryshmet. Nisin me pamundësinë për të gjetur një vend pune në bazë të meritokracisë dhe vazhdon me mungesēn e balancës midis pagës mujore të ulët dhe përballimit të standartit të lartë të jetesës. Trafiku i tmerrshëm e ka bërë ditën e qytetarëve jo të lehtë dhe parkimi super i shtrenjtë i ofruar nga Bashkia Tiranës, që nuk kthehet në asnjë shërbim për qytetarët, është pafund irritues! Dhe si të mos mjaftonte kjo, gjobat e përditshme nga Policia Bashkiake, janë thuajse e gjithë paga mujore e çdo kryeqytetasi. Mungesa e shpresës për një të ardhme të sigurtë, arsimi, shëndetësia dhe çështja e pronës janë më pas problematika që janë kthyer në çështje jetike për çdo qytetar!
– Zonja Gjosha, sa pranë është integrimi i Shqipërisë, nëse në 25 prill shqiptarët votbesojnë opozitën?
– Besoj që fundi i vitit do të jetë drita jeshile për procesin e integrimit europian të vendit, nëse do të kemi zgjedhje të lira dhe me standarte, nga ku të mund të dalë një qeveri e re, e besueshme dhe e përgjegjshme! Vendet anëtare e kërkojnë këtë ndryshim me urgjencë, nëpërmjet 15 kushteve të vendosura për Shqipërinë.
– Pse elektorati i Majtë, duhet të votojë LSI- në dhe jo Rilindjen?
– LSI është një parti e Majtë me shumë vlera dhe që ofron shpresë. Është një parti, ku rinia gjen vetveten dhe mund të kontribuoj për të ardhmen! Është partia e grave dhe vajzave që mund të ofrojnë një qeverisje më të paqtë dhe më të përgjegjshme për qytetarët shqiptarë. Brenda nesh ndërthuret bukur eksperienca politike me energjinë rinore dhe kjo mungon te partitë e tjera. LSI i qëndron pranë qytetarëve në çdo moment dhe mundohet të jetë zgjidhja e problemeve të tyre. Në këtë fushatë ne vijme me një program konkret dhe të panegociueshëm për qeverisjen e nesërme me fokus ekonominë, formalizimin e saj, hapjen e vendeve të reja të punës, investimin te brezat e së ardhmes përmes programit nga ‘Bebja në Bebe’, investimin në arsim dhe shëndetësi dhe mbështetjen e produkteve vendase! Rilindja nuk ka asnjë bilanc! Motoja e saj është varfëri dhe shpopullim. Motoja jonë është Shqipëria shtëpia juaj!