Klodian Allajbeu do të blejë Spitalin Amerikan për 24 milionë euro
Biznesmeni Klodian Allajbeu do të jetë pronari i ri i Spitalit Amerikan (American Hospital).
Blerja do të kryhet nëpërmjet marrjes së kontrollit të aksionerit të vetëm të American Hospital, shoqërisë holding të regjistruar në Hollandë Balkan Alliance Healthcare B.V. Klodian Allajbeu do të blejë 86.3% të shoqërisë nëpërmjet një tjetër kompanie (të regjistruar po në Hollandë), KA Healthcare BV, për një çmim të vlerësuar në rreth 24 milionë euro.
Blerja do të financohet pjesërisht me një kredi nga banka hungareze OTP dhe filiali i saj shqiptar, OTP Albania, në vlerën e 16 milionë eurove.
Kredia do të merret nga kompania American Hospital, që në vijim do të hyjë në marrëdhënie huaje me aksionerin e ri kontrollues KA Healthcare BV, për ti siguruar fondet e nevojshme për blerjen e paketës kontrolluese të aksioneve në Balkan Alliance Healthcare B.V.
Për këtë qëllim, American Hospital ka vendosur si kolateral financiar (veç garancive të tjera) në favor të OTP dhe OTP Albania 100% të aksioneve saj, si edhe të filialeve të kontrolluara International Hospital dhe American Hospital Kosova.
OTP është angazhuar të disbursojë gjithashtu një kredi të dytë, në vlerën e 9.5 milionë eurove që do të shërbejë për rifinancimin e detyrimeve që kompania e kontrolluar nga American Hospital, Intenational Hospital, ka te Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka e Detit te Zi për Tregti dhe Zhvillim.
Spitali Amerikan është spitali i parë privat në Shqipëri, i themeluar në vitin 2006 (si Univers-Alb sha) pikërisht nga Klodian Allajbeu, në partneritet me dy kompani turke. Në vitin 2008, kompania u ble nga Balkan Alliance Healthcare B.V., shoqëri e regjistruar në Hollandë, por e kontrolluar nga një fond investimesh amerikan, i specializuar kryesisht në investime (private equity) në kapitalin e ndërmarrjev të vogla dhe të mesme.
Pas blerjes nga aksionerët e rinj, Spitali Amerikan ndoqi një proces zgjerimi të mëtejshëm në Shqipëri, ndërsa në vitin 2011 hapi edhe filialin e saj në Kosovë, American Hospital Kosova shoqëri e kontrolluar në masën 100% nga American Hospital në Shqipëri. Në vitin 2018, American Hospital u zgjerua më tej me blerjen e filialit shqiptar të grupit spitalor grek Hygeia (sot International Hospital).
Me kalimin e viteve, Spitali Amerikan është bërë gjithnjë e më dominues në tregun e shërbimeve spitalore private në Shqipëri. Për vitin 2021, American Hospital dhe filiali i saj International Hospital raportuan një xhiro prej më shumë se 10.4 miliardë lekësh.
Kjo shumë përbënte mbi 85% të xhiros së spitaleve të licencuara private në vend. Spitali Amerikan dhe filiali International Hospital, në fund të vitit 2021 raportonin një total aktivesh në vlerën e 11 miliardë lekëve (rreth 96 milionë euro me kursin e sotëm).
Mbështetur në pasqyrat e audituara financiare të kompanisë, performanca e Spitalit Amerikan qysh nga themelimi e deri në fund të vitit 2021 ka qenë gjithmonë negative. American Hospital e mbylli vitin 2021 me një humbje neto në vlerën e 181 milionë lekëve. Humbjet janë zgjeruar me 158% krahasuar me vitin 2020.
Kompania raporton në bilanc humbje të akumuluara ndër vite për një shumë totale prej 1.44 miliardë lekësh, shumë kjo sa gjysma e kapitalit të paguar aksionar. Megjithatë, sipas burimeve nga kompania, humbjet fiskale nuk duhen lexuar detyrimisht si indikator i një performance negative të investimit.
Burimet shprehen se vlerësimi i brendshëm i ecurisë së investimi bëhet mbështetur në treguesin e EBITDA (fitimi para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) dhe për vitin 2021 grupi American Hospital (përfshi filialet) kishte një EBITDA pozitive në vlerën e rreth 9 milionë eurove.
Gjithnjë sipas këtyre burimeve, në aktivitetin spitalor amortizimi ka një peshë të lartë në strukturën e kostove dhe ky zë sjell një ndikim negativ në rezultatin final financiar të shoqërisë. /E.Shehu/
(marrë nga monitor.al)