Klosi-Asmussen nënshkruajnë marrëveshjen për pensionet, përfitojnë mijëra shqiptarë
Është nënshkruar sot në Tiranë marrëveshja për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, si dhe Protokolli Përfundimtar i saj. Kjo marrëveshje mundëson njohjen e periudhave të punës dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore për efekt të përllogaritjes së pensioneve. Për palën shqiptare, marrëveshja është firmosur nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, dhe për palën gjermane, nga Sekretari i Shtetit gjerman, Jorg Asmussen.
Në fjalën e tij, ministri Klosi e konsideroi nënshkrimin e këtij dokumenti si një lajm të shumë të mirë për të gjithë ata qytetarë shqiptar dhe gjermanë që jetojnë dhe punojnë në vendet respektive, pasi tashmë me hyrjen në fuqi të saj, ata do kenë mundësi të përfitojnë njohjen e viteve të punës dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore, si në përllogaritjen e pensioneve, ashtu edhe në përfitimin e shërbimeve të tjera sociale. “Kjo është një ditë shumë e gëzuar për të gjithë emigrantët shqiptar në Gjermani, ata të cilët kanë punuar prej shumë vitesh në Shqipëri e tashmë vazhdojnë të punojnë në Gjermani, apo ata që kanë punuar në Gjermani dhe tani janë kthyer në Shqipëri, pasi nëpërmjet kësaj marrëveshjeje ne iu japim atyre të drejtën që këto pensione të njihen në të dyja vendet dhe kontributet e viteve të punës të mos humbasin”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se marrëveshja konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. “Rregullat koordinuese garantojnë që personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke u fituar. Bashkimi i periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare të ndryshme do të merren në konsideratë për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre”, – shtoi ministri Klosi.
Më tej ai u shpreh se në takimin që pati me Sekretarin Asmussen u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e arsimit profesional, si një nga fushat prioritare të qeverisë, dhe për mbështetjen që pala gjermane mund të japë për zbatimin e sistemit dual në vendin tonë, si dhe në trajnimin dhe kualifikimin e të rinjve tanë në profesione të tilla, si shërbimet shëndetësore dhe sociale, të cilat janë të kërkuara në tregun gjerman dhe europian të punës. “Ne folëm për binjakëzimin e disa shkollave shqiptare me shkollat gjermane, të cilat në kuadër të akreditimit nga sistemi europian i arsimit profesional, do mund të përgatisin një gjeneratë të tërë të qytetarëve shqiptarë për të qenë të gatshëm në radhë të parë për tregun shqiptar të punës, por konkurrentë dhe të barabartë të denjë e të mbrojtur nga certifikata europiane e arsimit profesional për tregun europian të punës”, – tha Klosi.
Klosi bëri të ditur se është rënë dakord që qeveria gjermane të ndihmojë vendin tonë në përgatitjen e disa shkollave të ekselencës, për t’i dhënë mundësi një gjenerate të re të të arsimuarve në arsimin e mesëm profesional për t’u përgatitur sipas kërkesave dhe standardeve, çka do t’i bënte ata konkurrentë në tregun e punës në vendin tonë, të rajonit, dhe atë të BE-së.
Ndërsa Sekretari i Shtetit gjerman, Asmussen ka theksuar se me këtë marrëveshje është bërë një hap i rëndësishëm përpara në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në politikat sociale, në bashkëpunimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të reja të punës. “Kjo marrëveshje në terma më konkretë ka të bëjë fillimisht me përllogaritjen e të gjitha periudhave të sigurimit social të punëmarrësve, qofshin këta gjermanë apo shqiptarë. E thënë në terma më konkretë, nëse një punëmarrës shqiptar apo punëmarrës gjerman punon për një periudhë 5- vjeçare, 2 prej tyre në Gjermani dhe 3 prej tyre në Shqipëri, periudhat e sigurimeve shoqërore do të kenë mundësi të llogariten në pretendimet e tij për pension”, – tha Asmussen.
I pyetur nga mediat lidhur me mundësinë e përfitimit të azilit politik nga shqiptarët që shkojnë në Gjermani për arsye jopolitike, Asmussen u shpreh se shanset që ata të përfitojnë janë vetëm 0.2 për qind. “Për të gjithë këtë kategori njerëzish ka rrugë ligjore për të ndjekur, për të siguruar mundësinë e qëndrimit të tyre në Gjermani, sikurse mund të jetë mundësia e përfitimit të kartës blu të BE-së, apo mundësia e gjetjes së një vendi pune në listën e 140 profesioneve të munguara apo në të cilat në Gjermani ka mungesa të theksuara. Pra, pikërisht edhe ky grup tjetër njerëzish, të cilët shfrytëzojnë mundësitë ligjore për të siguruar të drejtën e tyre të qëndrimit në Gjermani, janë përzemërsisht të mirëseardhur atje”, – tha Asmussen.
KOHA JONË SONDAZH

