Klosi takon homologen çeke, memorandum bashkëpunimi për arsimin profesional dhe pensionet

 

 

Shqipëria dhe Çekia kanë rënë dakord që të intensifikojnë më tej bashkëpunimin e tyre në një sërë fushash, si arsimi profesional, zhvillimi i turizmit dhe në njohjen e pensioneve. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi zhvilloi sot një takim me homologen e tij çeke, ministren e Punës dhe Çështjeve Sociale, Michaela Marksova, me të cilën bisedoi në lidhje me forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy vendeve tona. Për këtë qëllim, ata nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi, me anë të të cilit Shqipëria dhe Çekia janë angazhuar që të hedhin hapa  konkretë në fushat që mbulojnë ministritë përkatëse.

Swiss Digital Desktop Reklama

Më pas të dy ministrat udhëtuan drejt Beratit, ku morën pjesë në përurimin e ndërtesës së rikonstruktuar të shkollës “Avdyl Avdia”, kopshtit, qendrës shëndetësore, si dhe qendrës komunitare të komunitetit rom në fshatin Moravë, të banuar kryesisht nga popullsi rome, ndërtesë e cila u dëmtua gjatë përmbytjeve në fillim të vitit 2015. Në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie, ministri Blendi Klosi u shpreh se gjatë bisedimeve me ministren çeke ishin prekur një sërë çështjesh të rëndësishme dhe me interes për vendin tonë, siç janë arsimi profesional dhe kualifikimi i krahut të punës. “Ne sot patëm një diskutim shumë të gjerë me ministren për disa nga prioritetet dhe bashkëpunimin midis dy institucioneve tona, ku natyrisht ndër më të spikaturit është bashkëpunimi në formën e shërbimit të punësimit, për të pasur mundësi që të ofrojmë shërbime të kualifikuara për qytetarët shqiptarë që duan të trajnohen për tregun kombëtar të punës, por edhe për tregun europian të punës”, – u shpreh ministri Klosi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se një pikë tjetër e diskutimeve ishte edhe nxitja e turizmit social, i cili do u mundësojë turistëve të huaj të qëndrojnë në vendin tonë për një periudhë të gjatë. “Patëm ide shumë interesante për bashkëpunimin në fushën e turizmit social, për të pasur mundësi që të kemi zhvillim të zonave, dhe Berati është një nga prioritetet tona të turizmit social, ku grupe të caktuara të qytetarëve europianë mund të vijnë në qytetet tona turistike, jo vetëm për një periudhë të shkurtër, por për të pasur mundësi që të jetojnë këtu për periudha të zgjatura”, – tha Klosi.

Ai ka bërë të ditur dhe një lajm tjetër të mirë për të gjithë ata shqiptarë që gjatë këtyre viteve jetojnë dhe punojnë në Çeki. Ministri Klosi është shprehur se me Çekinë është rënë tashmë dakord dhe në ditët në vijim pritet të nënshkruhet marrëveshja për njohjen dhe bashkimin e viteve të punës dhe kontributeve shoqërore për efekt pensioni dhe shërbimesh të tjera. “Në kuadër të bashkëpunimit dhe në kuadër të marrëveshjes që ne kemi për sa i përket njohjes së pensioneve, kemi rënë tashmë dakord dhe së bashku do të firmosim një marrëveshje për njohjen e pensioneve. Gjë shumë e rëndësishme kjo për gjithë qytetarët shqiptarë, por edhe për ata çekë, të cilët kanë mundësi bashkëpunimi dhe njohje të siguracioneve të periudhës së punës në të dyja vendet tona”, – u shpreh ministri Klosi.

Ndërkohë ministrja çeke, Michaela Marksova, në fjalën e saj ka theksuar se është e nevojshme që investime të tilla t’i shërbejnë komunitetit rom për ta integruar atë me pjesën tjetër të shoqërisë. “Shpresoj që kjo qendër do t’i shërbejë fshatit për shumë vite dhe kjo do t’u japë fëmijëve mundësi që më pas të vazhdojnë studimet e larta. Është shumë e rëndësishme që fëmijët ta duan kopshtin dhe shkollën, në mënyrë që të kenë dëshirë më vonë të vazhdojnë studimet”, – tha ministrja çeke.

 

 

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?