Koalicioni i majtë.Partitë e vogla listë kërkesash për Ramën
Koalicioni zgjedhor i Partisë Socialiste është ende i paformalizuar, kur kanë mbetur më pak se 48 orë nga regjistrimi i tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të 2013-s dhe zgjedhjet vendore të 2015-s, kur partitë e koalicionit të majtë u mblodhën disa herë derisa nënshkruan marrëveshjet individuale të tyre të bashkëpunimit me PS-në, për zgjedhjet e 18 qershorit nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.
Sekretari për Organizimin e Burimeve Njerëzore dhe Marrëdhëniet me Koalicionin, Musa Ulqini, ka zhvilluar kontakte të vazhdueshme me partitë e vogla aleate të Partisë Socialiste për të konfirmuar prezencën e tyre në koalicionin zgjedhor me PS-në në zgjedhjet e 18 qershorit.
Disa kryetarë partish të majta thanë dje për “Panorama” se ata janë kontaktuar nga Ulqini, nga i cili kanë marrë garancinë se do të jenë përsëri bashkë në koalicion. Madje, disa prej tyre kanë kërkuar dhe takime me Kryeministrin Rama, si të pakënaqur nga zbatimi i marrëveshjes së 2013-s me Partinë Socialiste.
Disa nga kryetarët e partive aleate kanë kërkuar punësim të anëtarëve të tyre, kërkesë që, sipas tyre, është marrë seriozisht nga kreu i qeverisë.
Në këtë mënyrë, Kryeministri Rama u ka marrë atyre konfirmimin se këto parti do të mbeten në koalicionin e majtë pa marrë ndonjë premtim tjetër bashkëpunimi elektoral. Mësohet se kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, pjesë e këtij koalicioni, po tenton që të jetë pjesë e listës së deputetëve të PS-së në qarkun e Tiranës, ndërsa nuk dihet se çfarë do të ndodhë me aleatët e tij tradicionalë, si Paskal Milo, Petro Koçi, Spartak Ngjela, Ervin Mete, Gjergj Koja etj.
KOHA JONË SONDAZH

