Koçi: Klani “Berisha” ka në dorë frenat e gjyqësorit aktual

Flet për “Koha Jonë”, zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi: Si përfunduan të “fortët” në radhët e politikës

 Intervistoi: Redjon Shtylla

 Historia e përgjimeve, reforma zgjedhore, dekriminalizimi  dhe shumë probleme pa zgjidhje deri tani në vend, kanë tronditur jo pak situatën politike dhe vetë politikanët. Në një intervistë për “Koha Jonë”, z.Koçi ka nënvizuar se një pajisje e tillë nuk ekziston, por është klani “Berisha”, ai, i cili ka në dorë frenat e gjyqësorit aktual dhe ky fakt është me interesa jetike për të. E përsa i përket ligjit të dekriminalizimit, për zv.ministrin e Mbrojtjes, duhet një veprim i agjencive të ligjit që do të garantonin drejtësi të pastër për verifikimet e formularëve. Si kryetar i PSV ‘91( Partia Socialiste e Vërtetë e ‘91), për reformën zgjedhore, ka deklaruar se: “Jam kundër listave të hapura në sistemin zgjedhor. Sepse kjo do t’i hapte rrugën përfshirjes në lista të një numri të madh të “fortësh”, e të padënuar më parë që do ta shqyenin procesin zgjedhor”,- ka nënvizuar kreu i PSV91.

Ngjarja e aksidentit ajror në Grizhë, ju si Ministri e Mbrojtjes, keni përfunduar hetimin administrativ për atë ngjarje. Shkarkimi i shefit të Sigurisë së Farkës, me motivacion, të shkeljes së rëndë disiplinore, a e përcakton atë përgjegjës kryesor për aksidentin tragjik, si zyrtari i fundit që firmoste lejen e fluturimit?

Ky shkarkim nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me aksidentin. Sepse në të kundërt do të kishim të bënim me detyrimin për të bërë kallëzim penal apo për të pasur ushtrim të kompetencave të Policisë Ushtarake. Hetimi administrativ nxori përtej shqyrtimit të rrethanave të mundshme, implikuese për mospërmbushje të detyrimeve ligjore nga personeli ushtarak gjatë planifikimit, përgatitjes dhe urdhërimit të misionit stërvitor. Edhe fakte të tjera që kishin të bënin me disiplinën e munguar nga individë të caktuar. Rezultoi që ushtaraku në fjalë, atë ditë nuk ka qenë në detyrë, por diku tjetër, në angazhime profesionale private.

Po në lidhje me angazhimet dytësore të personelit të ministrisë, si pilotë në fluturimet e kompanive private.  A janë të ligjshme të tilla dypunësime dhe a kemi informacione që mund jenë dhe raste të tilla si e z.Lame?

Rasti në fjalë ishte flagrant. Dypunësimi ishte ushtruar në kushtet e braktisjes së detyrës ushtarake. Sa herë do të ndeshen raste të tilla, atëherë rezultati do të jetë i njëjtë: lirim nga detyra.

 Debati për ekzistencën e pajisjes përgjuese shpesh herë ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e institucioneve të larta. Në dijeninë tuaj edhe pse çështja është në hetim, a mund të disponojë Shqipëria një pajisje të tillë?

Përdorimi i pajisjeve të tilla mund të realizohet vetëm në përputhje me ligjin dhe nga agjenci të kufizuara shtetërore apo ligjzbatuese. Dhe procesi duhet të jetë në çdo rast i autorizuar nga prokurori. Në të kundërt do të kishim rast paligjshmërie, rrjedhimisht të ndëshkueshme nga ligji. Në rastin konkret siç është bërë edhe publike, kemi të bëjmë me një pajisje jo përgjuese dhe që është përdorur vetëm për qëllime trajnimi. Jam i bindur që zhurma politike rreth rastit, është pjesë e planit të opozitës për të sfumuar dhe zhvendosur vëmendjen publike nga nevoja për të përdorur të gjitha energjitë e politikës te reforma në drejtësi. PD po përdor gjithë potencialin e saj për të ruajtur status që në përbërjen e gjyqësorit shqiptar. Ata nuk munden të pranojnë çlirimin e drejtësisë nga kapja politike. Klani Berisha ka në dorë frenat e gjyqësorit aktual dhe ky fakt është me interesa jetike për të. Nga ana tjetër, PD-ja gjykon se kryerja e reformës në drejtësi do të çojë në hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE dhe ky proces për të konsiderohet sukses i qeverisë e jo i shoqërisë shqiptare. Pra, kemi të bëjmë me llogaritje meskine partiake në kurriz të interesit kombëtar.

Një tjetër angazhim i Shqipërisë si anëtare e koalicionit është ngritja e një qendre ekselence nga NATO për radikalizmin. Çfarë synon ndërtimi i qendrës dhe si do të funksionojë?

Qendra e Ekselencës për Luftëtarët e Huaj përbën një përgjigje që vendet e NATO-s i japin fenomenit të “Foreign Fighters”. Kjo kategori e militantëve të dhunshëm që janë angazhuar në emër të ISIS dhe në interes të tij përbën një rrezik të madh për sigurinë e vendeve tona pas kthimit të tyre në shtetet, ku ata janë rezidentë të përhershëm. Ministria jonë e Mbrojtjes duke iu përgjigjur këtij fenomeni dhe rreziqeve që kërcënojnë shoqëritë tona, përgatiti projektin e Qendrës së Ekselencës dhe për këtë, pas një lobimi me vendet partnere, mori edhe mbështetjen e duhur. Pra, qendra nuk i shërben vetëm vendit tonë, por sigurisë së të gjitha vendeve të NATO-s dhe partnereve të saj. Rajoni ynë fatkeqësisht ka qenë një vatër furnizimi me individë të tillë, që do të thotë se fenomeni këtu është i prekshëm, konkret dhe potencial në rrezikshmëri. Studimi, analiza, përcaktimi i karakteristikave dhe tendencave kriminale që shoqërojnë këtë kategori, janë të domosdoshme për të organizuar përgjigjen adekuate me platforma dhe ndërhyrje komplekse. Ato garantojnë siguri për qytetarët e vendeve tona.

A janë të kërcënuar shqiptarët nga grupet e ndryshme terroriste, duke pasur parasysh që janë dhënë sinjale nga ISIS se, Europa do të goditet përgjatë muajit të Ramazanit?

Potencial rreziku ka për çdo vend që është pjesë e koalicionit kundër shtetit islamik (që në fakt do ta quaja haptazi anti-islamik). Por nuk ka informacione për rrezik eminent që të synojë vendin tonë. Megjithatë, të gjitha agjencitë e sigurisë si: SHIK, Policia e Shtetit dhe FA, janë në gatishmëri. Në veprim dhe koordinim, për të zbuluar e pastaj neutralizuar përpjekje të mundshme.

Si Kryetar i PSV’91, si do t’i gjykonit formularët e vetëdekriminalizimit të politikës dhe të zyrtarëve të lartë? A kemi një qeveri të sigurt dhe të besueshme?

Nuk mendoj se vetëdeklarimi është shpëtimi i shoqërisë nga kriminalizimi i politikës. Gjithmonë kam theksuar se, për këtë duhen platforma komplekse, të menduara mirë e jo për të bërë vetëm shou, për të tërhequr pëlqimin e publikut për arsye elektorale. Besoj se ka nevojë për ndërhyrje në ligje të tjera, që përcaktojnë sjelljen dhe funksionimin e partive politike, apo që garantojnë pastërtinë e proceseve zgjedhore. Sidomos na duhet një veprim i agjencive të ligjit që garantojnë drejtësi të pastër. Po të kemi drejtësi të pastër, nuk do kemi kriminelë në politikë.

Më problematikë për ligjin në fjalë rezultojnë disa nga kryebashkiakët e majtë? Si pjesë e koalicionit maxhoritar, pse mendoni që ka përfshirje në strukturat e zgjedhura lokale të personave me probleme me drejtësinë?

Inkriminimi i politikës i ka rrënjët te proceset zgjedhore të viteve ‘90-të, kur PD-ja i mbushi komisionet zgjedhore me kriminelë, ordinerë, që në vend të lapsit personat me kobure, uleshin në tavolinat e qendrave të votimit. Dalëngadalë u krijua bindja se në komisione duheshin dërguar njerëz të “fortë”, rezistentë dhe të papërkulshëm nga presionet fizike apo kërcënimet serioze. Mund t’u përmend jo vetëm proceset zgjedhore të ‘96-ës, por edhe atë të ‘97-ës, por edhe atë të vitit 1994, ku në zgjedhjet e pjesshme vendore në Libofshë, për shembull, u rrahën deputetët e opozitës dhe u gjakosën komisionarët e PS-së. Duhet pranuar se në zona të caktuara, garantimi i zgjedhjeve të rregullta dhe numërimi i votave nuk garantohej dot nga shteti, por nga kandidatët. Gjykoj se kjo ka qenë njëra nga shtysat që në raste të veçanta politika iu dorëzua individëve të “fortë”. Kjo solli pastaj komprometime të vetë politikës dhe kulturës politike të shoqërisë. Është dashur një rezistencë parimore ndaj këtij fenomeni nga të gjitha krahët e politikës. Prandaj unë jam kundër listave të hapura në sistemin zgjedhor. Sepse kjo do t’i hapte rrugën përfshirjes në lista të një numri të madh të “fortësh”, e të padënuar më parë që do ta shqyenin procesin zgjedhor.

SHKARKO APP