Koçiu krah kryetarit Beci nga Shiroka: Nisim procesin e dezinsektimit, vijon deri në tetor në të gjithë Shqipërinë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, së bashku me kryetarin e bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik, shpalli nisjen procesin e dezinsektimit, një program kombëtar që do t’i kushtohet tërësisht shëndetit publik, për të parandaluar sëmundjet infektive që transmetohen nga mushkonjat në territoret me pushues.

“Kemi ardhur me gjithë strukturat përgjegjëse për të filluar programin kombëtar që i dedikohet uljes së dendësisë së mushkonjave në territoret ku kemi pushues, sidomos në Shkodër të cilën jam e sigurt që këtë vit do jetë destinacion turistik jo vetëm për pushuesit vendas, por edhe për të huajt”, u shpreh Koçiu.

Ky është një proces që nis nga muaji maj e vazhdon deri në shtator-tetor. Monitorimi entomologjik i vazhdueshëm do të kryhet çdo dy-tre javë, në varësi edhe të situatës.

“Nga Shkodra do të shkojmë në Lezhë do të zbresim në Durrës, në Fier, do të shkojmë në Vlorë. Pra në të gjithë zonën me një sipërfaqe me mbi 300 hektarë, ku janë laguna, pellgje, ku janë sigurisht edhe kanale apo zona të cilat kanë prezencë të larvave apo të mushkonjave. E gjitha për të siguruar një sezon turistik të qetë”, nënvizoi Koçiu.

Ajo kërkoi bashkëpunimin e ngushtë edhe me qeverisjen vendore, për të punuar në mënyrë të koordinuar, me qëllim që të sigurohet një mjedis me kushte higjieno-sanitare të përshtatshme, që siguron për pushuesit një sezon të këndshëm pushimi.

SHKARKO APP