Kolegji ndryshoi konkluzionet, por jo shkarkimin e Gurali Brahimllarit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit
Ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Gurali Brahimllari, një nga gjyqtarët më të mirë dhe profesionist dhe kurajoz në Shqipëri, është përjashtuar përfundimisht nga sistemi gjyqësor. Një vendimet më të padrejta nga Reforma e Drejtësisë mbetet edhe ky vendim ndaj zotit Brahimllari, i cili ka ka dhënë dënime me burg të përjetshëm ndaj bandave më të rrezikshme në Shqipëri. Ishte ky gjyqtar që nuk u tërhoq nga asnjë presion nga bandat që dënoi, ndërsa sot ai gjendet pa imunitet dhe pa mbrojtje nga shteti.
Shteti hodhi në rrugë një prej gjyqtarëve, siç thamë më kurajoz ndaj krimit të organizuar.
Redaksia e KOHA JONE
Po botojmë shkrimin e BIRN për vendimin e KPA
Kolegji ndryshoi konkluzionet, por jo shkarkimin e Gurali Brahimllarit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit
Ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Gurali Brahimllari korri disa fitore me ankimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por nuk arriti të përmbyste vendimin e shkarkimit të marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 21 qershor 2019.
Sipas vendimit të arsyetuar, Kolegji vlerëson ndryshe nga Komisioni lidhur me pasuritë e krijuara para vitit 2002 dhe i konsideron jo penalizuese gjetjet për pasuritë e krijuara në vitin 1995, kur Brahimllari nuk e kishte filluar ende detyrën. Gjithashtu, Kolegji ka pranuar si të ligjshme të ardhurat e bashkëshortes nga klinika dentare, të cilat nuk ishin konsideruar më parë prej Komisionit.
Për krijimin e një apartamenti me sipërfaqe 36 m2 në Tiranë me vlerë 1.5 milion lekë, subjekti ka deklaruar si burime të ardhurat nga pjesa takuese e shitjes së një apartamenti nga bashkëshortja në shumën 400 mijë lekë; të ardhura nga aktiviteti i saj si stomatologe në periudhën janar 1996 – dhjetor 1998, si dhe nga paga e tij si ndihmësgjyqtar efektiv në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kuçovë. Ndërsa në vitin 2003 janë deklaruar kursimet nga pagat e tij dhe të ardhurat e bashkëshortes si stomatologe.
Brahimllari ka shpjeguar se e ka blerë këtë pasuri në gusht të vitit 1997 me sipërfaqe fillestare 20 m2 dhe se ka ndërtuar një shtesë me sipërfaqe 16 m2, me leje ndërtimi të Bashkisë Tiranë të vitit 1998.
Komisioni ka arritur në përfundimin se Brahimllari kishte deklaruar në mënyrë të pasaktë vlerën e shpenzuar për ndërtimin e shtesës, si dhe ka konstatuar mungesë të burimeve.
Subjekti e ka kundërshtuar këtë konkluzion, duke pretenduar se Komisioni nuk ka vlerësuar me objektivitet provat dokumentare të depozituara prej tij, si dhe nuk ka përfshirë në analizë të ardhurat e bashkëshortes si stomatologe për periudhën janar-mars të vitit 1998 në shumën prej 216.667 lekësh dhe të ardhurat e tij nga bursa në Shkollën e Magjistraturës, në shumën prej 44 mijë lekësh.
Ndryshe nga KPK, Kolegji vlerëson se këto të ardhura përmbushin standardet e ligjshmërisë, ndërsa pasaktësitë në deklarime janë konsideruar të palidhura me mungesën e burimeve financiare për të justifikuar pasuritë.
Kolegji vëren se analiza në KPK është kryer për periudhën 1996-1998, duke përfshirë blerjen e pasurisë me sipërfaqe 20 m2 në 97-ën në shumën 980 mijë lekë dhe shtesën për vlerën 298 mijë lekë. Sipas KPA, Komisioni duhej që në analizën për shtesën 16 m2 të kishte përfshirë dhe të ardhurat e bashkëshortes për tre muajt e parë të vitit 1998, si dhe ato nga bursa e Shkollës së Magjistraturës, prej nga rezulton balancë pozitive.
KPA ka vlerësim të ndryshëm dhe për një apartament me sipërfaqe 116 m2 të blerë nga subjekti në nëntor të vitit 2000 për çmimin 3 milionë lekë. Si burim për këtë pasuri, Brahimllari ka deklaruar një depozitë në shumën 4 milionë lekë të krijuar me të ardhurat nga aktiviteti i bashkëshortes si stomatologe në periudhën janar 1999 – gusht 2000 dhe të ardhurat nga shitja e një apartamenti të përfituar nga privatizimi në Kuçovë, për vlerën 850 mijë lekë.
Komisioni ka konstatuar një balancë negative në shumën 186 mijë lekë për këtë pasuri, pasi nuk ka përfshirë të gjitha të ardhurat nga klinika dentare për vitin 2000 në shumën 312 mijë lekë, ato nga bursa e Shkollës së Magjistraturës për periudhën 1999-2000 në shumën totale 397 mijë lekë, si dhe të ardhurat nga interesat e depozitës. Ndërsa Kolegji vlerëson se duke konsideruar gjithë të ardhurat e deklaruara nga subjekti që kanë rezultuar të ligjshme, ai ka pasur mundësi për kryerien e investimit.
Megjithëse në analizën përfundimtare Kolegji konsideron se Brahimllari nuk ka shpjeguar bindshëm gjithë burimet financiare që kanë shërbyer për blerjen e një një apartamenti me garazh dhe papafingo me sipërfaqe 250 m2 në Tiranë, vlerëson ndryshe nga KPK lidhur me një prej burimeve të deklaruara, të ardhurat nga shitja e klinikës dentare në Kuçovë në vitin 2012 për çmimin 4 milionë lekë.
Nga hetimi ka rezultuar se klinika është ndërtuar sipas lejes së ndërtimit të vitit 1995 në funksion të punës si dentiste të bashkëshortes.
Duke i vlerësuar në tërësi pasuritë e krijuara para vitit 2003, përfshi edhe ndërtimin e klinikës, KPK ka arritur në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të të ardhurave në shumën 951 mijë lekë. Po ashtu, KPK ka vlerësuar se Brahimllari ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me vlerën e shpenzuar për ndërtimin e klinikës.
Subjekti i ka kundërshtuar këto konstatime duke pretenduar se ka patur burime të ligjshme për ndërtimin e Klinikës. Ai e konsideron jologjik dhe kontradiktor konkluzionin e KPK-së se të ardhurat nga klinika neutralizojnë shpenzimet familjare. Brahimllari ka sjellë në vëmendje se për periudhën para vitit 1996 shpenzimet konsiderohen në masën 40% të të ardhurave.
Nga analiza e kryer në Kolegj për gjithë pasuritë e krijuara deri në vitin 2002, duke u pranuar të ardhurat e krijuara nga aktiviteti i bashkëshortes dhe puna e subjektit të provuara me dokumentacion ligjor, si përllogaritur shpenzimet për jetesë dhe krijimin e pasurive, sipas vlerave të pranuara nga Komisioni, ka rezultuar një balancë negative totale në shumën 243 mijë lekë.
Kolegji konstaton se pasuritë ku janë gjetur probleme prej KPK-së, janë krijuar në kohën kur subjekti i rivlerësimit nuk kishte filluar të ushtronte funksionet gjyqësore, në vitin 1995. Sipas trupit gjykues, nisur nga ky fakt, balanca negative në analizën financiare nuk mund të shërbente si një shkak për të konsideruar problematike krijimin e pasurive deri në vitin 2002, në një nivel që do të konsiderohej si një shkak shkarkimi për subjektin e rivlerësimit.
Në të njëjtën linjë, Kolegji arsyeton edhe mbi konkluzionet për deklarime të pasakta të arritura prej Komisionit lidhur me kostot e këtyre pasurive. Sipas KPA, përderisa ka rezultuar i paqartë përcaktimi i kostove të këtyre pasurive edhe pas hetimit administrativ, do të ishte e paarsyeshme dhe e padrejtë të konkludohej për deklarime të pasakta.
“Kolegji e shqyrtoi këtë situatë edhe në kontekst të analizës së parcelizuar të përshkruar më sipër, në përputhje me parimet e proporcionalitetit dhe objektivitetit, sipas parashikimit të nenit 52, pika 1 e ligjit nr. 84/2016, dhe nuk e konsideroi atë si të mundur për kualifikimin e një deklarimi të pamjaftueshëm,” argumenton Kolegji dhe e vlerëson të pambështetur në ligj dhe në fakte qëndrimin e Komisionit për këto pasuri në vlerësimin tërësor të tyre.
Po ashtu, nuk janë gjetur probleme dhe për një klinikë dentare në Tiranë me sipërfaqe 74.32 m2, të porositur në vitin 2004 për vlerën 93 mijë euro. Komisioni kishte arritur në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit kishte bërë deklarim të pasaktë në deklaratën “veting”, duke arsyetuar se një depozitë në shumën 1.5 milionë lekë e ka përdorur si burim për një tjetër destinacion, konkretisht për blerjen e aparturave dentare.
Subjekti ka shpjeguar se është përdorur një tjetër depozitë, ndërsa ajo në vlerën 1.5 milionë lekë është deklaruar gabimisht. Nisur nga fakti se kjo pasaktësi ka rezultuar e pashoqëruar me problematika të tjera referuar burimeve të ligjshme të krijimit të pasurisë në fjalë, Kolegji vlerëson se kjo pasaktësi nuk mund të ngrihet në nivelin e një shkaku shkarkimi.
Problemet shkarkuese
Pavarësisht rrëzimit të një pjese të mirë të konkluzioneve të Komisionit, Kolegji konkludon se subjekti nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e disa pasurive të tij.
Për blerjen e një apartamenti + papafingo + garazh në Tiranë me vlerë 160 mijë euro, Kolegji konkludon pamjaftueshmëri për kryerjen e disa pagesave. Konkretisht është konstatuar balancë negative në shumën 899 mijë lekë për pagesën e një shume 10 mijë euro në vitin 2008, si pjesë e një kësti prej 49 mijë euro.
Ndërkohë, Kolegji e ka rrëzuar Komisionin për një hua të marrë prej subjektit nga vëllai i bashkëshortes A.S. në shumën 19 mijë euro, me qëllim shlyerjen e këstit 49 mijë euro. Sipas KPA, është provuar se huadhënësi ka pasur të ardhura të mjaftueshme.
Për pagesën e një kësti në shumën 41 mijë euro të paguara në vitin 2009, Brahimllari ka rezultuar në pamundësi në vlerën 2.1 milionë lekë. Po ashtu, Kolegji konkludon se subjekti nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e dy huave të marra nga vëllai B.B në shumat 2 milionë lekë dhe 10 mijë euro, si dhe 1 milion lekë nga vëllai tjetër P.B., që kanë shërbyer për shlyerjen e çmimit të apartamentit 250 m2.
Ndërkohë, nga analiza financiare për periudhën 2010-2016 të kryer në Kolegj është gjendur balancë negative totale në shumën 749 mijë lekë.
Në përfundim, balanca negative e përgjithshme ka rezultuar në shumën 3 milionë e 793 mijë lekë dhe është klasifikuar si shkarkuese, duke vulosur lënien në fuqi të vendimit të shkarkimit për Brahimllarin. /Reporter.al/