Kolonel Pashaj: I vetmi shpëtim për paktin me Greqinë është qëndrimi i Presidentit në mbrojtje të Kushtetutës
“Grupi Negociator tani e ka për detyrë që të dalë para shqiptarëve me një dëgjesë publike. Mungesa e transparencës është as më shumë dhe as më pak, por një Pakt Detar- 2 i fshehtë”
Kolonel Myslim Pashaj e sheh me shqetësim mungesën e transaprancës nga ana e qeverisë shqiptare për paktin detar me Greqinë. Në një intervistë “Koha Jonë”, Kolonel Pashaj i cili ishte ndër oponentët kryesorë të marrëveshjes së vitit 2009 thotë se “mungesa e transparencës është as më shumë dhe as më pak, por një Pakt Detar- 2 i fshehtë”. Lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama se marrëveshja mund të miratohet dhe pa pasur funksonale Gjykatën Kushtetuese, Pashaj deklaron se pa këtë gjykatë “kalohet drejtpërdrejt në Parlament dhe Pakti merr formën fundore…Të Pushtimit me Marrëveshje!!!”. I pyetur mbi qëndrimet e Presidentit dhe kryeministrit për këtë çështje, Myslim Pashaj.
Pyetje: Profesor Pashaj, në disa intervista që keni dhënë për median javët e fundit keni hedhur dyshime për dëmtim të interesave të vendit tonë në marrëveshjen e re që po negociohet me Greqinë. Ju deklaroni se draft- marrëveshja mund të jetë realizuar nën diktatin e palës greke. Nëse rezulton kështu, kemi të bëjmë me kapitullim të ekspertëve tanë, apo pakti është negociuar në nivelet e larta qeveritare dhe negociatat janë formale?
Mediumet greke komentojnë kurse këtu ndër ne nga burime të ndryshme, por edhe nga studimi i një autori grek kumtohet se Pala Shqiptare ka dorëzuar një Draftmarrëveshje. Kjo do të thotë se Negociatat kanë nxjerrë përfundimet e para, çka do të thotë se gjithë pretendimet e trajtuara në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë janë shqyrtuar janë negociuar, është hartuar një vijë e re hartografike dhe kjo përcjellje çon drejt një version final…
Kjo e tëra është bërë pa transparencë, askush nuk di çështjet themelore dhe rivlerësimin e tyre. Kurrkund në botë nuk ndodh diçka e tillë.
Presidenti i Shqipërisë me të drejtë mbahet tek Kushtetuta dhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kurse nga të shumtët e sotëm që ishin të paktët e djeshëm në Parlament thuhet se s’ka nevojë për Gjykatën Kushtetuese! Kalohet drejtpërdrejt në Parlament dhe Pakti merr formën fundore…
Të Pushtimit me Marrëveshje!!!
Këto gjëra ndodhin vetëm këtu.
Është një çështje për të cilën është debatuar aq shumë dhe që na ka ndarë. Kur çështja kombëtare më shumë se kurdoherë tjetër duhet të na bashkojë. Mungesa e transparencës është as më shumë dhe as më pak, por një Pakt Detar- 2 i fshehtë. Si na i nxë goja këtë? Kur aq më tepër unë kam qenë në grupin që mbrojtëm Paktin Detar-1 në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, e cila votoi 9: 0.
…Ka pasur mbledhje e takime, por a ka pasur Negociata sipas të gjithë standardeve ndërkombëtare? Përgjigja nuk mund të jepet, sepse Qeveria ka një hermetizëm. A janë negociuar pikat thelbore të kthimit dhe rrëzimit të asaj marrëveshjeje nga Gjykata Kushtetuese? Ky vendim i lartë Kushtetues qëndron si një barrierë reale ligjore për Draftmarrëveshjen që është dërguar palës tjetër.
Pyetje: Ju keni qenë oponent i pavarur në Paktin Detar-1, por edhe në ekipin që bëri oponencën në Gjykatën Kushtetuese. Për cilat argumente dhe shkelje bëhet fjalë.
Në radhë të parë, hullija që jep Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj është shumë e qartë. Gjithçka që kishte lidhje me procesin dhe procedurat Kushtetuese ishin të gatshme, filluar qysh me plotfuqinë e Presidentit, e më tej. Nga këto që po shohim del se këto procedura nuk janë ndjekur.
Ka pasur mbledhje e takime, por a ka pasur Negociata sipas të gjithë standardeve ndërkombëtare? Përgjigja nuk mund të jepet, sepse Qeveria ka një hermetizëm.
Pyetje: A janë negociuar pikat thelbore të kthimit dhe rrëzimit të asaj marrëveshjeje nga Gjykata Kushtetuese?
Ky vendim i lartë Kushtetues qëndron si një barrierë reale ligjore për Draftmarrëveshjen që është dërguar palës tjetër.
Si oponent i pavarur më duhet të ballafaqoj argumentet me të cilat kam përfaqësuar kundërshtimin në Gjykatën Kushtetuese të kësaj çështjeje që kishte lidhje me pushtimin e Detit Jon të Shqipërisë në vitin 2009. Nga axhenda dhe intervistat e Ministrit të Jashtëm të Greqisë del se Negociatat janë bllokuar. Më interesojnë aspekte teknike dhe ligjore, unë nuk flas për Diktat Politik, se nuk është e fushës sime. Në atë Draft, del se nuk është negociuar për:
- Zbatimin e Nenit 15 të UNCLOS-82 për zbatimin e Parimit “Equitable Solution” = “Ekite-së”
- “S’është negociuar për Hapësirën Ekonomike Eksluzive në Otranto ( Fqinjët Grekë kanë thënë: E panegociueshme!)
- As Barketën që është cekinë shkëmbore shqiptare ( Fqinjët Grekë kanë thënë: E panegociueshme! )
- As për Gjirin e Sarandës ( që sipas burimeve greke, ka qënë pjesërisht e negociueshme!!!)
- As për efektet e Ishujve dhe shkëmbinjve detarë, në krahasim me Dheun Kontinental (Fqinjët Grekë kanë thënë: E panegociueshme)”
Ky është Mjerimi tragjik shqiptar!
Nëse nuk janë përvijuar këto që cekëm më sipër, atëherë çfarë i çon Kryeministrit të Shqipërisë, Presidentit të Republikës, Parlamentit, ky grup negociator? Ja ky është aktualisht shqetësim i të gjithë shqiptarëve, se sipas të gjitha gjasave: Deti është Lëshuar (Hapësirë Detare e lëshuar= Det i pushtuar me marrëveshje).
Prandaj del nevoja e tejdukshmërisë së kësaj Draftmarrëveshje dhe Grupi Negociator tani e ka për detyrë që të dalë para shqiptarëve me një dëgjesë publike siç u bë edhe herën e parë.
Pyetje: Cila do të ishte rruga e përcjelljes së draftmarrëveshjes, sipas Jush?
Pas hartimit të Draftit, duhej bërë një shkurtesë relatimi për:
- Opinionin shkencor-teknik- ligjor si dhe Shoqërinë Civile të cilat kanë forumet e tyre shkencore dhe ligjore që e skanojnë Rezultatin dhe kryejnë oponencën si një filtër për opinionin shqiptar.
- Për Shtabin e Përgjithshëm të FA të Shqipërisë.
- Për Këshillin e Mbrojtjes dhe Presidentin të Republikës.
Integriteti Territorial i Shqipërisë nuk është i Qeverisë por i gjithë Shqiptarëve.
Pyetje: Qëndrimet e Presidentit dhe Kryeministrit për rolin që duhet të ketë Gjykata Kushtetuese në këtë marrëveshje, i dëmtojnë apo i ndihmojnë negociatat?
I vetmi shpëtim është qëndrimi i Presidentit me plotfuqinë e tij në mbrojtje të Kushtetutës e cila ka një nen të posaçëm për Marrëveshjet Ndërkombëtare. Presidenti iu ka thënë shqiptarëve se do të ndjekë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe kjo është ylli polar i Paktit Detar- 2, udha e shtetit modern shqiptar që ruan integritetin territorial të vendit dhe nuk arrin që të shesë hapësirat e tij për përfitime politike.
Intervistoi: Mili Xhani