Komisioni i Vlerësimit/Papa: PD-ja po hapet edhe ndaj kritikëve. Po sjell diçka të re
Pedagogia dhe historiania Enriketa Papa është një nga 5 pjesëtarët e Komisionit të Vlerësimit që sipas saj synon ekipin më të mirë të mundshëm midis kandidatëve të PD-së në zgjedhjet e ardhshme.
”Përgjegjësia është jashtëzakonisht e madhe dhe rritet edhe më shumë kur në këtë proces na është dhënë detyra për të sjellë një listë sa më dinjitoze jo vetëm për zgjedhjet, por edhe për qeverisjen dhe pushtetin lokal. Do jenë njerëz të propozuar nga anëtarësia dhe kjo është risia më e madhe që sjell Partia Demokratike”,- tha në ”A2cnn”.
Për sa i përket principeve të procesit të filtrimit, Papa sqaron ato të domosdoshëm. ”Janë disa kritere, por kryesorja është pastërtia e figurës, një e shkuar pa problematika kriminale, mos qenia pjesë e strukturave të ish-sigurimit të shtetit, eksperienca dhe kontributi në parti, por kemi demokratizim edhe për emra që vijnë nga bota akademike. Do respektojmë natyrisht kuotën gjinore dhe të rinjtë, por do kemi vëmendje të madhe edhe për shtresën e të persekutuarve nga regjimi komunist”.
Sipas saj Partia Demokratike po korrigjon disa të meta që ka pasur, po sjell diçka të re, për mos të qenë thjesht një fasadë ku lideri vendos gjithçka. ”Po hapet partia edhe ndaj kritikëve, siç ka ndodhur me zotin Ruli, megjithëse ka kritikuar politikbërjen e partisë në këto 2-3 vitet e fundit. Liberalizimi i PD, ku anëtarësisë i është dhënë vendimmarrja, tregon se PD po ndryshon”.