Kreshnik Spahiu: Nëse nuk realizohet votimi elektronik, opozita t’u rikthehet shesheve

Aleanca Kuq e Zi shpreh idenë e krijimit të një fronti të gjerë opozitar, edhe me parti të majta, si e vetmja garanci e një ere të fortë ndryshimesh në vend

Intervistoi: Herion Mesi

Partia Demokratike gjatë këtyre 3 viteve e gjysmë në opozitës ka qenë më e suksesshme në bulevard se sa në sallën e Parlamentit dhe për këtë arsye në këto muajt e fundit ajo duhet t’i grisë mandatet e deputetëve dhe t’u rikthehet shesheve. Është kjo thirrja e aleatit më të ri të opozitës së bashkuar, Kreshnik Spahiu.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, kryetari i Aleancës Kuq e Zi shprehet se, çështja e votës së lirë në Shqipëri është çelësi i mungesës së demokracisë dhe të një krize politike në vazhdim.

Dhe për këtë arsye ai kërkon që nëse nuk do të aprovohet votimi elektronik, duhet të bojkotohet Parlamenti dhe opozita parlamentare duhet të grisi mandatet, për të zgjedhur rrugën e shpërndarjes së këtij Parlamenti dhe rrëzimit të qeverisë, në mënyrë që të shkohet në zgjedhje pa Edi Ramën, Kryeministër.

Zoti Spahiu, Aleanca Kuq e Zi tashmë është pjesë e opozitës së bashkuar, cili do të jetë roli i opozitës në ditët në vijim?

Mendoj se koalicionet përcaktohen nga kauzat, nga idetë politike dhe nga aksioni politik. Gjë që do të thotë se, koalicionet janë fluide, nuk janë të përjetshme. Mendoj se ky është një moment historik politik për të ndërtuar themele të reja të një sistemi demokratik mbi bazën e votimit të lirë. Çështja e votës së lirë në Shqipëri është çelësi i mungesës së demokracisë dhe të një krize politike në vazhdim. Në një vend në të cilin nuk numërohet vota dhe deformohet sovraniteti popullor nuk mund të ketë as institucione dhe as qeverisje të mirë. Dhe për këto arsye kemi vlerësuar që të jemi pjesë e një aksioni të përbashkët politik për të ndryshuar Kushtetutën në raport me sistemin zgjedhor dhe me mënyrën e votimit dhe të numërimit të votave.

Përveç kësaj kauze tashmë të njohur, kur pritet që opozita të ketë një platformë të përbashkët elektorale që do të shërbejë dhe si një program qeverisës?

Tashmë është vendosur një agjendë dhe një tryezë permanente, e cila do t’i paraprijë javëve në vijim, pasi pas tre muajsh i bie që të fillojë dhe fushata elektorale, dhe duhet një konsolidim i qëndrimit: nëse do të ketë zgjedhje në qershor apo jo. Eksperienca politike na ka mësuar që zgjedhjet edhe mund të shtyhen në rast se Shqipëria është e papërgatitur për t’i garantuar votën e lirë qytetarëve. Ne jemi radikalë në këtë moment dhe kërkojmë që Partia Demokratike nëse nuk do të aprovohet votimi elektronik, duhet të bojkotohet Parlamenti dhe të grisi mandatet, për të zgjedhur rrugën e shpërndarjes së këtij Parlamenti dhe rrëzimit të qeverisë, në mënyrë që të shkohet në zgjedhje pa Edi Ramën Kryeministër.

Lidhur me këtë çështje është debatuar të hënën në grupin parlamentar demokrat, menjëherë pas takimit që ju si aleatë zhvilluat me kryetarin e PD-së, z. Basha, ku u vendos pikërisht mosdalja e opozitës nga Parlamenti. Por sa i shkon ky vendim i grupit të PD-së në lidhje me deklaratën që sapo thatë?

Unë shpreh mllefin e madh të partive opozitare. Ne nuk mund të ndërhyjmë në politikat e brendshme të Partisë Demokratike, pasi në fund të fundit, çdo parti ka një politikë brendshme. Politika e mos bojkotit, e prezencës në Parlament, nuk mendoj se ia ka rritur aksionet politike demokratëve apo opozitës. Përkundrazi, ia ka ulur ato. Realisht, PD-ja nuk është se ka bërë ndonjë performancë të shkëlqyer dhe ka qenë më e suksesshme në tubimet dhe në aksionin politik në rrugë. Unë mendoj që Lulzim Basha ka qenë më i suksesshëm si lider për të drejtuar protestat, se sa kur ka zgjedhur që grupi i tij parlamentar të jetë pjesë e debatit brenda në Kuvend. PD-ja dhe opozita kanë shkëlqyer më shumë në bulevard, se sa në sallën e Parlamentit.

Me këtë mungesë shkëlqimi në Parlament të PD-së, nënkuptoni rolin që merr ish-kryetari i kësaj partie, z. Berisha, duke qenë se dikur keni pasur dhe përplasje me të?

Përkundrazi. Unë do të thoja që Sali Berisha është zëri më i fortë i Partisë Demokratike, por i lënë vetëm nga ish-ministrat e tij, dhe një pjesë e nivelit të dobët parlamentar të deputetëve të tjerë. Berisha është zëri më i fuqishëm dhe më i domosdoshëm i demokratëve dhe do të thoja që një PD pa Sali Berishën nuk do të konceptohej sot. Dhe vlerësimi im për Berishën lidhet me mbështetjen që ai i jep PD-së, dhe lokomotivën që ai përdor. Por kjo nuk do të thotë në konceptin e raporteve që kemi ne me PD-në. Unë nuk do e konceptoja dot sot një grup parlamentar apo një PD pa Sali Berishën.

Jemi 5 muaj para zgjedhjeve parlamentare, dhe nëse koalicioni qeverisës nuk i ndryshon pozitat e tij, atëherë me shumë gjasë do të kemi sërish një super-maxhorancë edhe në këto zgjedhje. Cila do të jetë rruga, sipas jush, që do ju shpallë fitues juve si koalicion opozitar?

Besoj se pas ceremonisë së inaugurimit të Presidentit të ri të SHBA-së në Uashington, pas ndryshimit të trupit diplomatik, pas vënies në jetë të politikave të jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe pas një ripozicionimi të BE-së në raport me Shqipërinë, do të ketë një konfigurim të ri të maxhorancës, ku unë mendoj se LSI-ja dhe Ilir Meta nuk do të jenë pjesë e kësaj qeverie, por do të jenë pjesë e opozitës në zgjedhjet e ardhshme.

Ku e bazoni këtë z. Spahiu?

Unë kam një qëndrim për këtë çështje: ku LSI-ja duhet ti bashkohet opozitës së bashkuar kundrejt një fronti anti- Rama për ta izoluar Edi Ramën, dhe duke i bashkuar të gjitha energjitë me Partinë Demokratike dhe LSI-në, si mënyra e vetme për të pasur një fitore të suksesshme në zgjedhjet e 18 qershorit.

Por ka një problem në këtë që ju thoni, pasi z. Basha ka deklaruar publikisht se nuk do të bëjë koalicion me LSI-në. A nuk mendoni që një marrëveshje e tillë do të ketë efekt negativ tek qytetarët? Sa moral do të ketë në këtë lloj bashkëpunimi që ju thoni?

Unë mendoj se nëse LSI-ja do të ndahet nga amoraliteti i qeverisjes “Rama”, nëse LSI-ja do të bëhet denoncuese ashtu siç ministri Ylli Manjani deklaroi se kjo qeveri nuk ka ardhur në pushtet me Shpëtim Idrizin, por me Ben Blushin, do të thoja që të gjithë faktorët opozitarë duke filluar nga Ben Blushi dhe Ilir Meta, nga Gjergj Bojaxhiu tek Vangjel Dule dhe sigurisht bashkë me AK-në që është e vetmja forcë e aksionit në terren, do të garantonin absolutisht një rrotacion politik shumë të fortë dhe një erë ndryshimesh. Dhe unë besoj, që në fund të fundit edhe vetë Partia Demokratike do të bëjë llogaritë e saj elektorale dhe do të jetë e hapur për këtë koalicion të gjerë.

Deri tani cituat faktorë që mund të ndikojnë nga jashtë koalicionit aktual opozitar, por a ka e djathta një platformë reale që të fitojë votën e qytetarëve shqiptarë, në mënyrë që ajo të fitojë e vetme këto zgjedhje?

Mendoj se nuk ka shqiptar sot që të mos pranojë se reformat ekonomike, institucionale, politike, financiare, fiskale të së djathtës i kanë krijuar gjithmonë një jetë më të mirë se reformat e majta. Në Shqipëri, po ndodh një eksod i dytë, më i egër se ai i viteve ‘90-të, sepse largimi i mbi 100 mijë shqiptarëve në vit është i paprecedentë në histori, dhe me këto reforma të dështuara të së majtës, me rritjen e çdo lloj takse, që nga taksa e pronës, pasurisë, e pastrimit, e bashkisë, e territorit, janë shndërruar në pranga për jetën e shqiptarëve dhe Shqipëria është shndërruar në një burg të madh, ku me qeverisjen e së majtës është e pamundur të jetosh. Për këtë arsye, besoj se shqiptarët janë të bindur se e djathta ka një platformë më të saktë për një jetesë dhe një minimum jetik më të garantuar. Ato 1 milionë shqiptarë që nuk sigurojnë dot bukën e gojës, do ta bëjnë të mundur vetëm me ardhjen e së djathtës në pushtet.

Ju jeni një njohës i mirë i sistemit të drejtësisë, por edhe duke pasur parasysh që një nga kërkesat kryesore të opozitës është dhe dekriminalizimi i listave të kandidatëve për deputetë, apo administratës aktuale, sipas jush a ka vullnet që të zbatohet ky ligj?

Jo. Është tërësisht një reformë e dështuar kjo. Turpi i parlamentit shqiptar ka qenë votimi i Vetingut, për faktin se ata bënë një reformë për pastërtinë e figurës vetëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët do të kalojnë në sitën e antikorrupsionit dhe kontrollit politik, por këta nuk e bënë vetingun edhe për ministrat dhe deputetët. Këta janë të gatshëm të kontrollojnë nipat e stërnipat e gjyqtarëve, por jo vëllezërit apo familjarët e Edi Ramës Kryeministër, Ilir Beqajt ministër apo Taulant Ballës deputet. Reforma dhe pastërtia duhet të fillojë nga themelet e shtetit që është politika. Në se ne vëmë dy standarde: për drejtësinë ndryshme, dhe politikën ta mbajmë llum, atëherë nuk kemi bërë asgjë veçse kemi shkatërruar themelet e shtetit. Një pemë e kalbur nga rrënjët dhe trungu nuk mund të nxjerrë frute në institucionet e tjera.

 

SHKARKO APP