Kreu i ARRSH: Zgjerimin e aksit rrugor Tiranë-Durrës do të fillojnë brenda muajit
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli bën të ditur se punimet për zgjerimin e aksit rrugor Tiranë-Durrës do të fillojnë brenda muajit.
Në një intervistë në medie, Gjyli tha se puna do të vijojë pa ndërprerje përgjatë 24 orëve dhe se nuk do të ketë ndërprerje të trafikut.
“Punimet për zgjerimin e këtij aksi do të fillojnë brenda muajit. Për të mos penguar trafikun e mjeteve puna do të vijojë pa ndërprerje 24/7 ku sipas grafikut të punimeve, puna më voluminoze dhe me mjete të rënda do të kryhet gjatë natës”, deklaroi kreu i ARRSH-së.
Segmenti i parë ku do të ndërhyhet është 6 km, nga kthesa e Kamzës deri në mbikalimin e Rinasit.
Përveç zgjerimit me dy korsi, Gjyli bën të ditur se i gjithë trupi i rrugës do të ribëhet me shtresa rrugore dhe asfaltike, për shkak se tashmë kjo rrugë ka mbaruar ciklin e jetës.
“Ajo ishte parashikuar për një fluks makinash prej 40 mijë mjetesh në 24 orë, ndërsa tani në pikun e fluksit shkon edhe 94 mijë mjete”, u shpreh ai.
Rehabilitimi dhe zgjerimi i të gjithë rrugës kushton 250 milionë euro.
ATSH