Kreu i Kushtetueses, Dedja flet pas vendimit për Vettingun: Na anatemuam si pengues
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja hedhi poshtë akuzat se Institucioni që ai drejton ka penguar reformën dhe tregon se shqyrtimi i ligjit të Vettingut është bërë brenda tre muajve ndërkohë që një proces i tillë mund të merrte dhe një vit kohë.
Gjatë një tryeze për reformën në drejtësi, Dedja tha se gjyqësori nuk është “delja e zezë” e vendit, pasi ai është pjesë e një sistemi.
Dedja: Gjykata Kushtetuese është anatemuar si penguese e kësaj reforme. Kemi dëgjuar komente nga më ekstremet. Nuk ka qenë Gjykata Kushtetuese ajo që ka vonuar këtë reformë, por dua të përmend se kjo cështje deri në përfundimin e vendimit përfundimtar ka marrë më pak tre muaj kohë përfshi dhe kohën për të pritur përgjigjen e Komisionit të Venecias.
Gjykata ka qenë e impenjuar në maksimum dhe jo për ta bllokuar apo për ta vonuar. Për sa i përket Vettingut, Gjykata Kushtetuese i ka bërë vlerësimet e këtij ligji. Unë e kam të ndaluar të bëjë komente mbi vendimin e Gjykatës. U kërkua një këshillë miqësore nga Komisioni i Venecias, i gjithë pranuar si një organ i besueshëm.
Komisioni i Venecias në shqyrtimin e këtij ligji nëse është konform Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ka analizuar edhe problematikat e këtij ligji që janë publikuar në vendimin e Gjykatës. Në kushtet e Shqipërisë, të reformës në drejtësi dhe të asaj që i duhet vendit, e ka quajtur një ligj të domosdoshëm për realitetin shqiptar për të kaluar këtë problematikë që ka shfaqur pushteti gjyqësor në Shqipëri.
Vërtetë pushteti gjyqësor ka problematikat e saj, por nuk mund të jetë i vetmi, delja e zezë e këtij vendi. Patjetër që ka probleme, pafund, por është pjesë e këtij sistemi.
KOHA JONË SONDAZH

