Kreu i PD: Kjo ishte larje hesapesh, e vërteta s’po zbardhet
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka komentuar kërkesën e prokurorisë për arrestimin e dy deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku.
“Për ne nuk vjen si një hap i papritur. Me Ilir Metën si kryetar Kuvendi, e vërteta nuk ka asnjë shans të zbardhet. Ajo që ka ndodhur është ajo që porositi kryeministri Edi Rama,” tha Basha.
“Pyetjet mbeten: nëse Rama, Meta e Tahiri, pse nuk e bënë këtë gjashtë muajsh, kur e dinin këtë.
Pse e lanë Fatjon Skënderajn të largohej në Gjermani dhe shkuan dhe e rikthyen sërish.
Ka shumë pse, e sotmja vetëm i shton pse-të, vëçanërisht kur kërkesa për dorëheqjen e Ilir Metës i ka kaluar kufinjtë e Shqipërisë”.
I pyetur nëse do votojnë për heqjen e imunitetit ndaj deputetëve, Basha tha: “Ne jemi parti e shtetit ligjor. Është e paimagjinueshme për ne që të bllokojmë hetimin. Çdokush do të japë llogari përpara drejtësisë”.
“Protestat e PD dhe qytetarëve do të vazhdojnë edhe më të fuqishme, për kauzën e dekriminalizimit. Kjo e sotmja është një larje hesapesh. Kjo aferë shkon përtej këtyre individëve”.