Kreu i PD-së: Rama dhe Balluku duan të falimentojnë me çdo kusht Portin e Durrësit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se nën drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës nga Belinda Balluku, Porti i Durrësit është kthyer në një institucion kredidhënës.
Më tej, Berisha shtoi se po bëhen përpjekje nga qeveria për falimentimin e Portit të Durrësit dhe operacionet tregtare të këtij porti do t’i kalojnë shumë shpejt porteve të vendeve fqinje.
“As nënshkrimi dhe përmbushja e marrëveshjeve të transaksionit nuk janë të sakta. Kompania konstaton se qeveria apo binomi Rama-Balluku mashtrojnë. Kompania thotë se kompania do të sjellë përfundimin e afatit të koncesionit para afatit të saj 30-vjeçar. Sipas relacionit shpjegues të projektligjit, projekti nuk do të pengohet. Gjithashtu thuhet se në Porto Romano do të zhvendoset aktiviteti i Portit të tanishëm të Durrësit. Por në Porto Romano nuk ekziston porti. Nëse kompania përgjegjëse e projektit e padit qeverinë shqiptare, shqiptarët duhet të paguajnë edhe 200-300 milion euro haraç.
Me portin janë vërsulur Rama-Balluku-Vengu për ta falimentuar sa më parë. Me një akt të padëgjuar, porti është shndërruar në një institucion kredidhënës. I jep 5 milionë euro portit të Vlorës, i jep 4 milionë euro Albcontrolit. Duan ta falimentojnë me çdo kusht.
Blihen makineri të reja, miliona e miliona euro, nuk përdoren. Porti, falë investimeve shumë serioze që janë bërë, sot ka një kapacitet përpunues prej 8 milionë ton në vit.
Gjer tani, ai ka arritur në shifrën 4.8 milionë ton. Tani çfarë ndodh?
Anijet do devijohen në Igumenicë, Selanik dhe në Tivar. Të gjithë këtë devijim, nuk e paguan njeriu që shëtit me avion me dhomë gjumi luksoze. Ai pasurohet me apartamentet që po shiten që në ajër, pa themel. E paguajnë qytetarët e thjeshtë, e paguajnë në mallra dhe gjithçka që blejnë. A mund të veprojë një njeri në këtë mënyrë? Vetëm ai që është verbuar, që nuk ka të ngopur në të vjedhur mund të veprojë kështu.
Prandaj ne të gjitha këto detaje dhe çështje madhore për Portin, duhet t’ua bëjmë të qartë shqiptarëve se çfarë po ndodh. Nuk njohim bllokim më në Parlament ne. Ndaj edhe parashikohet një betejë parlamentare shumë e fuqishme. Duhet zotërinj deputet të mbrojmë interesat e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Berisha.