”Krim i pastër zgjedhor”, Topalli denoncon për votimin e emigrantëve në Greqi: Të ndërhyjë OSBE
Selia blu vijon që të denoncojnë shkeljet që sipas tyre po ndodhin me procesin e votimit të emigrantëve në Greqi. Drejtuesja politike për Diasporës në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli, pohon se me shërbimin postar në fqinjin jugor, po ndodh një krim elektoral. ”Ajo që po ndodh në Greqi është totalisht një kapitull i një krimi zgjedhor”, tha Jozefina Topalli.
Postimi i plotë
Sipas raportimeve të shumta dhe dëshmive të qytetarëve në terren, njerëz të paidentifikuar po paraqiten në pikat zyrtare të shërbimeve dhe marrin zarfa votimi pa paraqitur asnjë dokument identifikimi. Më pas i plotësojnë dhe i dorëzojnë pa firmë dhe pa asnjë dokument shoqërues. Kjo është një shkelje flagrante.
Kjo është një kriminalizim i procesit zgjedhor dhe një përpjekje për të manipuluar vullnetin qytetar. Kur vota jepet në errësirë, pa kontroll, pa identitet, pa përgjegjësi ajo nuk është më votë. Ajo është abuzim. Është deformim i demokracisë. I bëj thirrje zyrtarisht misionit të OSBE/ODIHR që të ketë një fokus të veçantë mbi këtë situatë. Menaxhimi ekstra-ligjor që po i bëhet procesit në Greqi është alarmant dhe kërkon vëzhgim të rreptë ndërkombëtar.
I kërkoj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të kryejë menjëherë një auditim të plotë të logjistikës së transportit dhe dorëzimit të zarfeve të votimit – nga Shqipëria në Greqi dhe anasjelltas. Duhet të dimë:
-Kush i ka marrë zarfat?
-Si janë shpërndarë?
-Kush i ka dorëzuar?
-A janë respektuar rregullat dhe transparenca? Në një kohë kur qytetarët kërkojnë më shumë besim dhe drejtësi, ne nuk mund të heshtim përballë manipulimit. Demokracia nuk mund të jetë peng i mashtrimit. Vota është e shenjtë. Vota është e secilit. Jo e abuzuesve.
KOHA JONË SONDAZH

