Kriza politike, ambasada holandeze bën thirrje për dialog: Të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhje
Apelit për dialog që diplomatët e huaj në Tiranë i drejtojnë klasës politike, i është shtuar edhe zëri i ambasadës holandeze në Shqipëri.
Duke komentuar zhvillimet aktuale politike në vend, ambasada holandeze përcjell mesazhin se palët duhet të angazhohen në dialog.
Në një deklaratë për mediat, ambasada e Holandës bën apel që të gjitha partitë politike në vend të marrin pjesë në zgjedhje.
Sakaq, në deklaratë theksohet se këto zgjedhje duhet të bëhen sipas standardeve ndërkombëtare.
Ambasada holandeze u drejtohet edhe krerëve të partive politike, duke theksuar se “liderët duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre për stabilitetin në Shqipëri”.
Njoftimi i ambasadës së Holandës:
Pas konsultimeve me ambasadën e ShBA dhe ambasadën e delegacionit të BE, Holanda i bën thirrje të gjitha forcave politike të vazhdojnë të angazhohen në një dialog për t’u siguruar që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe pjesëmarrjen e të gjithë palëve politike.
Të gjithë liderët politikë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për stabilitetin e vendit.
Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje me ofertë të gjerë politike. Edhe pse zgjedhjet pa opozitën do të ishin për të ardhur keq, ato do të vlerësohen sipas meritave të tyre bazuar në standardet ndërkombëtare.
Duke marrë parasysh reformën në drejtësi të mbështetur nga 90% e qytetarëve shqiptarë dhe ndryshimet kushtetuese të bëra me konsensus në korrik 2016, ambasada e SHBA dhe delegacioni i BE presin progres real në përmbushjen e 5 prioriteteve për hapjen e negociatave. Kjo duhet të përfshijë rezultate të besueshme në luftën kundër drogës dhe dekriminalizimit të politikës.
KOHA JONË SONDAZH

