Kruja, zëri i kushtrueshëm i historisë që kuvendon përmes dëshmive dhe shpirtit në çdo hap dhe për çdo vizitor
Në një postim të fundit në rrjetet sociale, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka ndarë pamje të gjalla nga një ditë e zakonshme, por shpërthyese, në zemrën muzeore të Krujës — një qytet që prej kohësh nuk është thjesht destinacion, por shndërruar në një stacion të domosdoshëm të përkatësisë sonë shpirtërore e identitare.
Në çdo orë të ditës, nën diellin e pjekur të korrikut, rrugicat e lashta të Pazarit të Vjetër gumëzhijnë nga zërat e turistëve vendas dhe të huaj, që ndërthuren me aromën e drurit të punuar, tingujt e shqipes së gdhendur në stofra dhe gurë, dhe me hijen e krenarisë historike që reflekton në çdo gur kalldrëmi. Kruja nuk është vetëm një qytet që vizitohet — ajo jetohet, ndjehet dhe ruhet në kujtesën e çdo udhëtari që shkel në pragun e saj.
Ministri Gonxhja e përshkruan me fjalë të thjeshta por të fuqishme: “Rrugicat plot turistë, traditë dhe histori të Pazarit të Vjetër të Krujës”, duke i dhënë zë një realiteti që shpaloset çdo ditë: Kruja është sot një pol i gjallë i trashëgimisë kulturore shqiptare, ku historia nuk është një relike, por një përvojë e përditshme.
Qendra muzeore e Krujës — që përfshin Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeun Etnografik dhe vetë Pazarin Karakteristik — ka shënuar një rritje domethënëse të vizitorëve nga janari deri më sot, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas drejtorit të qendrës muzeore, Mehdi Hafizi, Kruja ka mirëpritur mbi 95 mijë vizitorë, prej të cilëve 50% janë turistë të huaj.
Në këtë peizazh ndërkombëtar të interesit dhe kureshtjes, dallojnë vizitorët nga Polonia, Spanja, Franca, Azia dhe vende të tjera, të cilët jo vetëm e eksplorojnë qytetin, por e përjetojnë atë si një kthim pas në kohë, në epokën e trimërisë, artizanatit dhe mikpritjes shqiptare.
Dikur destinacion për udhëtime njëditore, Kruja po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një strehë për qëndrime më të gjata, falë zhvillimit të strukturave akomoduese që i japin mundësi turistëve të zhyten më thellë në përvojën që ofron qyteti. Pazari i Vjetër, me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ofron punime artizanale unike, që bartin në vete gjurmët e një kulture që nuk ka pranuar të zbehet nga koha.
Por asnjë vizitor nuk largohet nga Kruja pa prekur gjurmët e Skënderbeut në Muzeun Kombëtar që mban emrin e tij, apo pa u ndalur në Muzeun Etnografik, ku përmes objekteve të jetës së përditshme, historia merr frymë.
Kruja, si një fortesë e kujtesës kombëtare dhe e krenarisë sonë historike, vijon të ruajë jo vetëm lavdinë e së kaluarës, por edhe të ushqejë gjallërisht vetëdijen për të ardhmen — si një model i turizmit kulturor, ku identiteti nuk është vetëm i shkuar, por përditësohet me çdo hap që hedh një vizitor mbi kalldrëmet që dinë të tregojnë histori.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

