Kryemadhi: Duhen zgjedhje të lira dhe të ndershme

Pas takimit me Presidentin Meta, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Endrit Braimllari, tha në një prononcim për gazetarët, se duhen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nga ana tjetër, Kryemadhi theksoi se si LSI ata do të zbatojnë çdo dekret të Presidentit në lidhje me datën për zgjedhjet e përgjithshme të 2021.

”Dua të theksoj që si kryetare e LSI-ja kam dashur që zgjedhjet të zhvilloheshin para dy vitesh. Nuk është çështje date, por duhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. I bëmë të qartë presidentit se LSI-ja do të zbartojë çdo vendim të presidentit që është kushtetues dhe do marrim pjesë në çdo proces zgjedhor. Unë mendoj që sot takimi ishte vetëm për datën e zgjedhjeve, Është e rëndësishme që shqiptarëve t’u japësh një datë. Çdo detaj i vogël, është vetëm vonesë dhe të tallesh me qytetarët. Duhet të jepet një datë zgjedhjesh që të lëvizin gjërat. Prandaj sa më shpejt zgjedhjet, aq më mirë. Duhet një përmbysje e një sistemi të kaluar dhe krijimin e një sistemi të ri”.

Prononcimi i plotë i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi

Pyetje: Ndjesia që iu la takimi i parë zyrtar me Presidentin dhe çfarë date i propozuat?
Kryemadhi: Dua të theksoj që për LSI, zgjedhjet duhej të ishin bërë 2 vite më parë. Jemi shumë vonë. Nuk është çështje date, është çështje e dhënies së shqiptarëve të të drejtës për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për t’i dhënë mundësinë shqiptarëve që një orë e më përpara të jenë anëtarë të BE.
I bëmë të qartë Presidentit që LS do të zbatojë çdo vendim dhe dekret të Presidentit që është kushtetues, do të marrë pjesë në çdo proces zgjedhor që do t’u garantojë qytetarëve qeverinë e ardhshme, atë qeveri evropiane për të cilën kanë aspiruar prej shumë kohësh.

Pyetje: Diskutuat çështje të tjera me Presidentin veç datës së zgjedhjeve?
Kryemadhi: Mendoj që sot takimi ishte vetëm për datën e zgjedhjeve dhe për aq kohë sa ne menduam që ishte e domosdoshme, gjë më të rëndësishme se sa t’u japësh shqiptarëve një datë që shqiptarët po e presin prej kohësh, është ajo që thash pak më arë që shqiptarët duhet t’i kishin bërë zgjedhjet 2 vite më parë, por megjithatë çdo detaj i vogël që mund të thotë ç‘bëri e sotmja apo e nesërmja është vetëm vonesë dhe vetëm të tallesh me hallet e shqiptarëve. Mendoj që një datë e zgjedhjeve do të krijonte mundësinë e zhvillimit të gjërave. Është ajo që kemi thënë dhe që themi gjithmonë, sot situata ekonomike në Shqipëri, mungesa e mundësive për të rinjtë dhe të rejat për t’u punësuar. Ka me qindra dhe mijëra studentë që po lënë shkollat, po lënë studimet dhe po largohen për shkak të varfërisë. Mjekët dhe infermierët që janë në kushte të tmerrshme në spitale, sepse qeverisë tonë nuk i leverdis të shkurtojë administratën dhe kabinetin e kryeministrit, e të shtojë numrin e infermierëve, mjekëve apo edhe të sanitarëve në spitale për t’u shërbyer të sëmurëve, janë disa gjëra që sa më shpejt të bëheshin zgjedhjet, aq më shumë do të përshpejtonin zgjidhjen e problemeve. Mendoj që zvarritja kaq shumë e këtij procesi do të jetë kosto shumë e madhe për qytetarët shqiptarë. Ndërsa për politikën mos u shqetësoni, sa më shumë të zgjasë Këshilli Politik, sa më shumë të zgjasin diskutimet për Kodin Zgjedhor, sa më shumë të zgjasin teknikalitetet e proceseve të tjera, aq më jetëgjatë do të jenë politikanët në televizione dhe asnjë nuk do të flasë për më shumë punë për shqiptarët, asnjë nuk do të flasë për më shumë mundësi për të rinjtë dhe të rejat e shqiptarët, por do të flasin për imazhin e tyre.
Prandaj aq më shpejt zgjedhjet, aq më mirë dhe për ju vetë sepse dhe ju keni nevojë për të dëgjuar diçka më shumë dhe ju keni nevojë për një status gazetari që të iu garantoj jo vetëm vendin e punës, por që do të iu garantojë dhe ditët e pleqërisë sepse në fund të fundit të gjithë në çdo vend të botës, njerëzit punojnë për të derdhur kontribute dhe për të pasur një pension dhe për të pasur një pleqëri të mbarë. Sot asnjë nga ne nuk ka një pleqëri të mbarë në këto kushte që jemi.
Prandaj ne na duhet një përmbysje e një sistemi të kalbur për të ndërtuar një sistem të ri.
Pyetje: A do të keni garanci në këto zgjedhje?
Kryemadhi: Unë mendoj që garancia më e madhe është fuqia që kanë shqiptarët për të ndryshuar. Nuk ka garanci më të madhe për çdo parti politike se sa përkrahja e qytetarëve. Mos harroni dhe në 1992 Partia e Punës kishte Ministrinë e Brendshme me 25 mijë policë, kishte ushtrinë me 400 mijë ushtarë, por kur erdhi puna shqiptarët e përmbysën me 80% Partinë e Punës në 1992.
E vetmja garanci është zemra, e çdo Kryetari partie, zemra e çdo politikani, zemra e çdo deputeti për t’u përballur me krimin për ta rrëzuar dhe për të ndërtuar atë sistem vlerash, i cili i mungon Shqipërisë.
Pyetje: Si e lexuat letrën e ambasadores amerikane?
Kryemadhi: Unë mendoj që letra e ambasadores Yuri Kim është shumë e domosdoshme për ta lexuar jo vetëm ne, por ne si LSI e kemi lexuar gjithmonë se kemi pasur asnjëherë problem, por për ta lexuar dhe media dhe sidomos Partia Socialiste dhe dua të iu theksoj se dhe në sondazhet e Partisë Socialiste, por dhe në të gjitha angazhimet e tjera, Lëvizja Socialiste për Integrim është Partia e të rinjve dhe të rejave. Në listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ka patur ndonjëherë asnjë lloj kandidati problematik, siç thuhet në atë që është e domosdoshme, por nëse ne do të shkojmë drejt listave të hapura do të jenë qytetarët ata që do ta vendosin deputetin, përsëri kryetarët e partive do të kenë në dorë kandidatët, por Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë një proces krejt tjetër të përzgjedhjes së kandidatëve të cilët do ta mësoni më vonë.
Një batutë në fund, besoj se do të jeni dakord me Edi Ramën i cili ka përjashtuar datën 2 maj si ditë e bardhë…
Kryemadhi: Sigurisht ditët e Zotit, janë ditët e Zotit kështu që është një gjë shumë e domosdoshme dhe nuk mendoj që duhet të merremi me gjëra kaq të vogla. Unë mendoj se si do bëjmë që të hapim vende të reja pune të rinjve dhe të rejave.
Pyetje: Do ju shohim shpesh në Presidencë znj. Kryemadhi, keni thyer një traditë sot.
Kryemadhi: Besoj se sot është një nga vizitat e mia të rralla në Presidencë si kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në fakt Kryesia e Partisë vendosi që të vija unë për shkak se është një ditë shumë e rëndësishme për të vendosur një datë për zgjidhjen përfundimtare të krizës politike e cila e ka kapur prej 30 vitesh Shqipërinë. Faleminderit

SHKARKO APP