Kryemadhi flet për “Koha Jonë”: Ndryshimi do të vijë në 25 prill. Është koha për një qeverisje që vendos të parat interesat e shqiptarëve

Bisedoi: Herion Mesi

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në një intervistë dhënë për “Koha Jonë” bën bilancin e vitit që lamë pas dhe flet për pritshmëritë e saj politike gjatë këtij viti që pritet të kulmojë me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Kryemadhi shprehet se ne si shqiptarë kemi nevojë të kthejmë faqen për të nisur një kapitull të ri, për të lëvizur në një drejtim tjetër dhe zgjedhjet e 25 prillit përfaqësojnë mundësinë për të gjithë shqiptarët që ta bëjnë këtë realitet. E pyetur lidhur me përfaqësimin e Opozitës në këto zgjedhje, Kryemadhi deklaron se ka shumë pak peshë forma si opozita do të garojë, pasi sido që të jetë, Opozita do të jetë e bashkuar dhe do të sjellë ndryshimin për të cilin Shqipëria ka nevojë. Ajo thekson se pakënaqësitë me Ramën dhe qeverisjen e Rilindjes vazhdojnë dhe shqiptarët do të mbështesin realizimin e ndryshimit, pavarësisht nëse opozita do të ketë një listë të përbashkët, apo do të garojë me lista alternative.

Intervista e plotë

Zonja Kryemadhi, si ishte 2020-ta dhe si i gjeti 2021-shi shqiptarët?

Në këtë ndërrim vitesh emocioni i vetëm që ka pushtuar të gjitha shtëpitë shqiptare është urimi që viti i ri të sjellë ditë më të mira, më shumë shëndet, punë dhe mundësi për të gjithë. 2020-ta ka qenë një vit i brishtë për të gjithë ne. Kemi parë impaktin që COVID-i ka pasur tek vendi ynë dhe mbarë bota. E gjendur me një qeverisje të papërgjegjshme, Shqipëria pësoi rritje të papunësisë, çmime më të larta, më pak mundësi dhe më shumë emigracion të profesionistëve dhe të rinjve. Shumica e familjeve shqiptare po vuan sot për mbijetesë. 2021-shi do të sjellë shpresë të re, energji të re dhe më shumë mundësi. Për këtë jemi të angazhuar tërësish. Kemi nevojë të kthejmë faqen për nisjen e një kapitulli të ri, për të lëvizur në një drejtim tjetër dhe zgjedhjet e 25 Prillit përfaqësojnë mundësinë për të gjithë shqiptarët që ta bëjnë këtë realitet.

Gjykata Kushtetuese që nga fundi i vitit që sapo lamë pas është shtuar me dy anëtarë të rinj, emërimin e të cilëve ju e keni përshëndetur publikisht, dhe tashmë numëron shtatë anëtarë në radhët e saj, në fakt çdo do të thotë kjo për vendin, përtej kushtëzimit të ngritjes së saj me çeljen e negociatave me BE-në?

Qëndrimi im ka qenë i plotë për zhvillimin pozitiv të emërimeve të anëtarëve të radhës në Gjykatën Kushtetuese. Inkurajoj me forcë si gjatë këtyre viteve, ngritjen sa më parë të të gjitha institucioneve të pavarura që ka shkatërruar Rilindja, sepse nuk mund të ketë Republikë pa institucionet themelore të saj. Pa institucione funksionale nuk ka prosperitet ekonomik, nuk ka integrim por emigrim. Të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit presin të shohin integritetin e institucioneve në veprim dhe angazhimi im personal do të jetë ai që, pas zgjedhjeve të kemi një shtet që bazohet tek institucione që i shërbejnë të gjithë qytetarëve njësoj, sepse kështu shqiptarët mund ta rishohin vendin tonë si shtëpi për të ndërtuar të ardhmen.

Kur na ndajnë 4 muaj nga zgjedhjet parlamentare, si do të jetë përfaqësimi i Opozitës në listat zgjedhore? Do jetë e bashkuar në një listë të vetme përballë PS-së, apo…?

Opozita e Bashkuar ende po i finalizon këto detaje, por ky është një formalitet që bën shumë pak diferencë në rezultatin final që ne presim nga zgjedhjet e 25 Prillit. Pakënaqësitë me Ramën dhe qeverisjen e Rilindjes vazhdojnë thellohen dhe shqiptarët do të mbështesin realizimin e ndryshimit, pavarësisht nëse opozita do të ketë një listë të përbashkët, apo do të garojë me lista alternative. Dhe sa i takon LSI-së, ne jemi bashkuar me PD-në kundër qeverisjes aktuale dhe dështimeve të Rilindjes për krijimin e vendeve të punës, kundër shumatores së premtimeve të pa mbajtura të Ramës dhe për t’i dhënë një mundësi tjetër shqiptarëve ndaj asaj të largimit prej vendit. Kam takuar gjatë kësaj kohë qytetarë të ndryshëm në të gjithë vendin dhe e kam parë nga afër situatën e dëshpërimit ku shumica e shqiptarëve e gjejnë veten. Shumë gjejnë vështirësi për të pasur standarde bazike jetese. Kësaj gjendje duhet t’i japim fund njëherë e mirë dhe ndaj kemi bërë gati politikat e duhura, të cilat do t’i detajojmë për publikun përgjatë vitit të ri dhe përmes implementimit të tyre në qeverisje do të krijojmë vende pune të mirë-paguara, do t’i ofrojmë rinisë shqiptare alternativa për ta bërë Shqipërinë shtëpi në vend të largimit për të gjetur mundësi jashtë. Pra, dhe njëherë, ka shumë pak peshë forma se si opozita do të garojë. Sido që të jetë, ne do të jemi të bashkuar dhe do të sjellim ndryshimin që Shqipëria ka nevojë.

Sipas analizave shqetësuese të publikuara së fundmi nga IFIMES, mazhoranca qeverisëse ka rreth 2 miliardë euro gati për t’i përdorur për zgjedhjet e ardhshme. Sa të kërcënuar ndiheni ju si Opozitë për këtë fakt? Dhe si do të parandalohet fenomeni i shit-blerjes së votave, një krim ky tashmë i njohur zyrtarisht edhe nga Gjykata e Dibrës, me hetimin mbase të pjesshëm të dosjes së famshme “184”?

Asgjë nga këto të dhëna nuk vjen më si surprizë, por kërcënimi nuk vjen për opozitën, por për qytetarët shqiptarë. Qytetarët tanë meritojnë të drejtën për të zgjedhur ata që dëshirojnë të udhëheqin vendin tonë. Ata meritojnë që zëri i tyre të dëgjohet, por fatkeqësisht, Rama dhe qeverisja e Rilindjes nuk e kanë lejuar këtë. Ata zgjedhin të injorojnë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve shqiptarë në mënyrë që të mbërthehen pas pushtetit me çdo lloj mjeti. Por unë e mbështes besimin tim tek populli shqiptar. Shqiptarët janë votues që dinë të zgjedhin më të mirën për veten dhe familjen, e ata do duhet të vendosin nëse janë të kënaqur me kushtet aktuale ku po jetojnë apo nëse duan ndryshim. Pra, ne jo vetëm kemi nevojë për një investigim të plotë mbi këto akuza, të cilat, nisur nga e kaluara e Ramës dhe Rilindjes me gjasa janë të vërteta, por ne kemi nevojë që qytetarët e vendit të qëndrojnë fort për të drejtat e tyre, sepse vetëm përmes ndryshimit ne do të jemi të aftë të krijojmë më shumë mundësi për të gjithë shqiptarët këtu në vendin tonë.

Pse duhet që shqiptarët t’ju votojnë ju si Opozitë dhe jo Edi Ramën që kërkon mandatin e tretë?

Kjo është një pyetje e thjeshtë. I pyes shqiptarët nëse janë më mirë tani apo 4 vite më parë? A keni më shumë punë tani krahasuar me 4 vite më parë? A janë çmimet më të ulëta sesa ishin 4 vite me parë? A po largohen tani më shumë shqiptarë se ç’largoheshin 4 vite më parë? Në të gjitha këto çështje, Rama dhe qeverisja e tij kanë premtime të pa mbajtura. Ata kanë qeverisur për interesat e tyre personale dhe jo në interes të qytetarëve. Opozita qëndron për ndryshim dhe LSI në veçanti do të fokusohet në detaje për të krijuar punësim me paga të larta, këtu në Shqipëri. Ne duam të krijojmë një mjedis ku shqiptarët të dëshirojnë ta kthejnë vendin tonë në shtëpi dhe jo të largohen për të gjetur mundësi. Dhe ne kemi politikat e duhura që adresojnë specifikisht punësimin e të rinjve, që do të ndihmojnë në uljen e kostos së jetesës, dhe që do u ofrojnë grave shqiptare ndihmën që kanë nevojë për të mbajtur familjet e tyre. Nëse mendon se je më mirë tani sesa 4 vite më parë, atëherë vazhdo mbështet Ramën. Por nëse nuk je më mirë sot se dje, atëherë të duhet ndryshim dhe ne përfaqësojmë atë ndryshim që sjell më shumë mundësi dhe që e kthen Shqipërinë të ndihet sërish si shtëpi.

SHKARKO APP