Kryemadhi: Grabitja e tokës së Teatrit Kombëtar, akt kriminal. Autorët do përballen me qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cilëson kalimin e tokës së Teatrit Kombëtar në administrim të Bashkisë së Tiranës për të ndërtuar kulla, si një akt skandaloz dhe kriminal.

Në një reagim në Facebook, Kryemadhi shprehet se qeveria e oligarkëve dhe ata që kanë firmosur këtë manovër ligjore do të përgjigjen para drejtësisë.

“Ditën e Europës, ditën e vlerave, ditën e civilizimit dhe të ngadhënjimit mbi të keqen shkatërrimtare, qeveria e oligarkëve bëri aktin e radhës të grabitjes së tokës së Teatrit Kombëtar duke ia kaluar Bashkisë së Tiranës. Ky veprim i qeverisë së PPP-ve është një akt skandaloz dhe i turpshëm! Edi Rama po përdor mashën e tij, Erion Velinë për të nxjerrë nga zjarri “gështenjat” që vlejnë 200 milion euro!”,- deklaron kryetarja e LSI.

Kryemadhi shton se “Asnjë manovër ligjore nuk mund ta zhbëjë këtë vepër kriminale, autorët e së cilës do të përballen jo vetëm me qytetarinë e Tiranës dhe Shqipërisë, por edhe do t’i çojmë përpara drejtësisë! Vlerat historike, qytetare dhe kombëtare do të triumfojnë përballë babëzisë së Rilindjes!”.

Vendimi për kalimin e pronës së Teatrit në administrim të Bashkisë së Tiranës u publikua në mbrëmjen vonë të së premtes (8 maj 2020). Akti i qeverisë ka sjellë reagime të ashpra nga politika dhe nga përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se qeveria ka kryer një akt lufte ndaj qytetarëve. “Ndërkohë që shqiptarët presin zgjidhje për krizën që ka pllakosur, Rama gjen kohë vetëm për të grabitur. Kalimi i TK në pronësi të kryebetonierit të mafias është akt lufte ndaj artit dhe qytetarisë dhe provokim ndaj BE dhe përfaqësuesve të saj në vigjilje të Ditës së Europës”,- shprehet kreu i Partisë Demokratike në një reagim në Twitter.

Artistët kanë paralajmëruar protestë këtë të shtunë, ora 12.00, dhe u kanë bërë thirrje përfaqësive ndërkombëtare që të reagojnë.

 

SHKARKO APP