Kryemadhi: Reforma u dakordësua me SHBA dhe BE

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh sot në emisionin “Opinion” se reforma zgjedhore ka marrë miratimin e SHBA dhe BE dhe kryeministri nuk ka asnjë zgjedhje tjetër, përveçse ta votojë.

Pjesë nga intervista e kryetares së LSI-së në emisionin “Opinion”

Kryemadhi: Unë jam e bindur që Rama do ta votojë me normalitetin e tij si gjithmonë, me atë që do të dakordësohet në Këshillin Politik. Sepse është një dakordësim i rakorduar i miratuar dhe i dakordësuar qoftë nga Bashkimi Europian, apo nga Sekretari i Shtetit zoti Pompeo. Reforma zgjedhore është një nga hallkat e një zinxhiri shumë të madh problematik që ka Shqipëria sot, por që është e vetmja hallkë që opozita ka qenë e përfshirë dhe që ka detyrimin e saj për sa i përket 15 kushteve të Bashkimit Europian.

Pyetje: Sot kryeministri ka folur edhe për shantazhe zonja Kryemadhi…

Kryemadhi: Unë nuk e di për çfarë shantazhesh mund ta ketë kryeministri, mund të ketë vetë ai problemet e tij.

Pyetje: Pse nuk po ecet me marrëveshjen?

Kryemadhi: E para njëherë duhet të kuptojmë diçka, që nuk është marrëveshje, është dakordësi. Çfarë do të thotë dakordësi? Dakordësi për të vendosur rregullat e lojës sesi ti do të shkosh në votim. Diskutojmë dhe hyjmë në një histori, që mundohemi ta maksimizojmë po themi betejën e saj. Beteja e reformës zgjedhore është një element i cili në momente të caktuara, dashje pa dashje kërkojmë që të largojmë vëmendjen nga problemet kryesore që kanë sot shqiptarët. Rama nuk arrin dot të përballojë atë ku 47% e bizneseve sot janë mbyllur për shkak të masave që ai vendosi për pandeminë.

I gjithë problemi qëndron se cila është garancia që jepet nga kjo dakordësi. Nuk është dakordësia ajo që garanton shit blerjen e votës dhe penalizimin e atyre. Unë nuk besoj që Kodi Zgjedhor, ajo për të cilën ne jemi dakordësuar, e cila është një nga kërkesat e Bashkimit Europian që në 2016 dhe është e vetmja pikë që përfshin opozitën në 15 kushtet. Sepse në 15 kushtet ju keni edhe një kusht tjetër, dosjen 339 dhe 184, keni shitblerjen e votës, dënimin e të tjera me radhë, të cilat nuk janë të përfshira në aspektin e angazhimit të opozitës. Opozita ka për detyrë që të fillojë një proces që të vijë depolitizimi i komisioneve, sepse asnjëri nga ju nuk thotë që opozita kërkoi depolitizimin e komisioneve. Dhe kur e kërkoi opozita këtë, mazhoranca tha kthehemi te komisionet e politizuara. Dhe asnjëri nuk ka pyetur çfarë ka ndodhur, pse ndodhi kjo?

Vendosja e identifikimit biometrik do të jetë një anë  tjetër. Është shumë e qartë. Nëse Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do t’i duheshin 30 minuta për të printuar listat e një qendre votimi, ajo biometrikja është vetëm një USB, e cila do të vendoset në një pajisje.

Pyetje: Nuk ndryshon gjë me blerjen e votës, sepse vota blihet 2 ditë përpara se të shkohet në votim…

Kryemadhi: Jo ndryshon ajo. Sepse ai e blen votën sepse Fevziu për shembull, në emër të familjes merr kartat e identitetit, plotëson firmat dhe numrat në listat emërore , dhe fut 10 fleta votimi, kur 9 janë emigrantë në Greqi dhe ai është vetëm në fshat. Dhe këtë gjë nuk e bën më dot, sepse nuk mund të gjejë shenjat e gishtërinjve të 10 anëtarëve.

Sa shenja gishtërinj ka në regjistrimin e identifikimit biometrik, aq fletë votimi do të jenë brenda. Goditja më e madhe me 10-15% të rezultatit nuk ka ndodhur në mes të Tiranës, ka ndodhur nëpër fshatra, ku unë ju jap rastin në Orenjë të Librazhdit, ku nuk gjen dot ujk dhe dhelpër e jo më të gjesh votues. Dhe ti në kutitë e votimit ke pasur 3500 fletë, që i bie që të gjithë emigrantët e fshatit janë kthyer dhe kanë votuar.

SHKARKO APP