Kryemadhi: Sfida jonë madhore, zgjedhje si në Kosovë ku fiton sovrani
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka uruar klasën politike në Kosovë, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që për të treguan sukses demokratik. Kryemadhi tha se shumë e qartë se tashmë ekziston një sfidë madhore, sfida e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si ato që zhvilluan vëllezërit tanë në Kosovë, ku fiton sovrani.
”Në emër të LSI dhe si kryetare e saj, do të dëshiroja të uroja të gjithë klasën politike të Kosovës dhe qytetarët kosovarë që treguan maturi në zgjehdjet e djeshme. Ato qenë një tregues i shkëlqyer i pjekurisë demokratike që kanë arritur qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë, një proces shembullor. Ky standart i lartë i zgjedhjeve do të ndikojë drejtpërsëdrejti në njohjen e mëtejshme dhe rritjen e statusit ndërkombëtar të Kosovës. Vlera e këtij procesi zgjedhor rritet akoma më shumë po të krahasosh cilësinë e tij me zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri, ku pamë shfaqjet më të ulëta të trafikimit të votës me paratë e drogës dhe krimit, vjedhjen e pasurisë publike dhe shfrytëzimin e administratë dhe Policisë në favor të mazhorancës për të deformuar vullnetin. Dëshiroj të shikojë sa më parë konstitutimin e qeverisë. Është shumë e qartë se para Shqipërisë tashmë ekziston një sfidë madhore, sfida e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si ato që zhvilluan vëllezërit tanë në Kosovë, ku fiton sovrani”.
Deklarata e plotë
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe si kryetare e saj, do dëshiroja të uroja të gjithë klasën politike të Kosovës por mbi të gjitha qytetarët kosovarë të cilët treguan një maturi në zgjedhjet e djeshme. Zgjedhjet e djeshme në Republikën e Kosovës ditën e djeshme ishte një tregues i shkëlqyer i maturisë demokratike që kanë arritur qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë. Ai ishte një proces zgjedhor shembullor, ku spikati kultura e lartë demokratike, një ballafaqim i mirëfilltë i alternativave, i ideve dhe i ideve për qeverisjen e së ardhmes të Kosovës të denja për një demokraci të konsoliduar europiane. Ky standard i lartë i zgjedhjeve, jam e bindur që do të ndikojë drejtpërdrejtë në njohjen e mëtejshme dhe rritjen e statusit ndërkombëtar të Kosovës.
Vlera e këtij procesi zgjedhor rritet akoma më shumë po të krahasosh cilësinë e tij, me zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri ku pamë shfaqjet më të ulëta të trafikimit të votës, me paratë e drogës e të krimit, vjedhjen e pasurisë publike, implementimin dhe shfrytëzimin e administratës publike, Policisë së Shtetit në favor të mazhorancës për të deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. I uroj përzemërsisht vëllezërit tanë të Kosovës për përgjegjshmërinë dhe maturinë politike në këtë proces zgjedhor, i cili në perceptimin tim nuk ka fitues dhe humbës por ka një kontribut të gjithsecilit për të fitoren e Kosovës!
Dëshiroj të shikoj sa më parë krijimin e qeverisë, konstituimin e instucioneve të dala nga këto zgjedhje për t’i shërbyer qytetarëve të Kosovës dhe për të realizuar me sukses sfidat që qëndrojnë përpara saj, në drejtim të antarësimit të saj të mëtejshëm në të gjitha organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, dhe veçanërisht në përparimin e integrimit të saj në Evropë dhe procesin që jam e bindur që të bëhet me të njëjtën maturi dhe kulturë politike që shoqëroi zgjedhjet e djeshme.
Është shumë e qartë që para Shqipërisë tashmë ekziston një sfidë madhore, ashtu sic edhe u përcaktua nga Bundestagu Gjerman, sfida e realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si ato që zhvilluan vëllezërit tanë në Kosovë, ku nuk fitojnë partitë politike por fiton sovrani, fitojnë qytetarët. Mazhoranca duhet t’i japi fund estradës dhe lojërave politike dhe duhet të reflektojë sepse qytetarët shqiptarë partnerët tanë ndërkombëmtarë, SHBA, BE, Gjermania dhe të gjithë partnerët europianë, nuk mund të gënjehen më me këto lojëra por presin që të vendosim në vendin e duhur themelet e demokracisë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Opozita e Bashkuar tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin e saj për reformën zgjedhore dhe realizimin e zgjedhjeve të reja. Të cilat konsistojnë direkt në zgjedhje të lira dhe të ndërshme me një qeveri tranzitore që u garanton shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jo më, vazhdimin e lidhjes së politikës me krimin e organizuar dhe bandat kriminale. Tashmë kjo është rruga e vetme për të nxjerrë vendin nga kriza dhe për të realizuar gjithësecili përgjegjësitë para Shqiptarëve.