Kryemadhi tregon rastet e presioneve: Vetë administrata do të reagojë kundër keqqeverisjes
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një takim me gra në qytetin e Fierit, ka treguar raste të “presionit të administratës shtetërore mbi qytetarët”, të cilat tregojnë “frikën që kanë nga njerëzit e LSI-së”.
“Po më tregonin për në Belsh, një nga djemtë që merren me LSI. Kishte shkuar policia dhe e kishte marrë e shoqëruar për ta frikësuar për të mos punuar me ne. Në një farë mënyre jo vetëm që rrit agresivititetin kundër këtyre për të punuar, por tregon edhe frikën që kanë nga njerëzit e LSI.
Ai harxhon energji, kohë, paratë e shtetit për të bërë presion ndaj njerëzve dhe nga ana tjetër e shton urrejtjen e njerëzve ndaj tyre. Ti nuk fokusohesh kaq shumë për të më ndihmuar mua ndaj një krimineli, ndaj një vjedhje, ti më shumë fokusohesh të më kërcënosh mua politikisht se sa për të më ndihmuar mua për të krijuar mundësi punësimi.
Nëse do të kishim këtë përkushtim kaq të madh, që kanë për të kërcënuar njerëzit, ta kishin për të ju shërbyer njerëzve nuk do të ishim në këtë gjendje”, u shpreh kryetarja e LSI.
Kryemadhi nënvizoi se njerëzit që deri dje nuk kanë shkuar në votime “sot ndihen 3 herë të motivuar për të shkuar në votime”.
Sipas Kryemadhit, pjesa më e madhe e njerëzve “që na mbështesin vjen nga shtresa e mesme që ky e ka kthyer në shtresë të varfër”.
“Administrata publike, policia e shtetit, mësuesia, etj., i kanë futur në një darë, morsë shtrëngimi dhe kërcënimi e i ka kaluar çdo lloj niveli. Këta nuk e kuptojnë që një mësues nuk mund të jetë mësues nën presion, po të jetë i lirë që të lejojë nxënësit të bëjnë kreativitet.
Kur vijmë të bizneset me taksat, problematikat që kanë. Pastaj vijmë nga ana tjetër, te policia, ai drejtori që është lart në zyrë dhe është vetëm në komunikim me kryeministrin.
Por polici rri gjithë ditën në rrugë, përballet me bandat, problematikat, varfërinë, rrogë të papaguar. Ai është njeriu që e ndjen më shumë që problemi nuk i vjen nga popullit, por nga qeverisja.
Vetë administrata do të reagojë me një devotshmëri kundër qeverisjes.
Ne kemi këtu edhe dy kandidate, përveç meje dhe Kejdit kemi edhe Migenën dhe Blertën.
E kemi në aspektin që ne na duhet për të angazhuar gra e vajza në Fier. Edhe Kejdi është vajzë fierake, por ka një gjë tjetër që po ndjen qyteti i Fierit është se të rinjtë po ikin dhe nuk kthehen më“, tha Kryemadhi.