Kryemadhi: Të ndalojmë revanshin antidemokratik të Kryeministrit

Projekti i qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar duke miratuar ligj të veçantë për marrjen e tokës publike ka zbuluar një skemë të qeverisë që po përdoret edhe për prona të tjera. Me anë të ligjeve të tilla, si ai i Teatrit Kombëtar, Parlamenti ka aprovuar projekte të diskutueshme që favorizojnë kompani private, por që bien ndesh me interesat e qytetarëve. Kjo formë e re e ligjeve “speciale” është zgjedhur për të shmangur përgjegjësinë direkte të personave që përfitojnë, si dhe përgjegjësinë personale të kryeministrit dhe qeverisë. Nëse një ditë do të hetohet për këto vendimmarrje që kanë brenda korrupsion, prokurorisë do t’i duhet të marrën nën hetim gjithë parlamentin dhe jo ata që e kanë ideuar. Kjo është një lojë djallëzore e kryeministrit Rama, pasi edhe mbaron punë miqve të tij, dhe nesër nuk e kap ligji.

Praktikisht përgjegjësia individuale e atyre që kanë realizuar kontrata të tilla nuk mund të kapet penalisht, pasi do thonë nesër kur të vijë drejtësia apo rrëzohet nga pushteti se “ e ka miratuar Kuvendi!”. Rrëzimi i këtyre nismave të qeverisë në rrugë ligjore është e pamundur, për shkak se Gjykata Kushtetuese nuk funksion. Edi Rama kastile e nxori jashtë loje gjykatën kushtetuese që të ketë duart e lira.

Mesa duket kjo periudhë pa gjykata dhe me koncesione që votohen me procedurë të përshpejtuar do të vazhdojë derisa Rama të jetë në pushtet. Një tjetër rrugë normale për të bllokuar këtë vendimmarrje është Parlamenti. Por  deputetët e PS votojnë në rresht çdo ligj që sjellë qeveria kurse opozita nuk ka votat ta ndalojë, por vetëm formalisht mund të votojë kundër.  Kuvendi është kthyer në një noter i orekseve të qeverisë dhe biznesmenëve të ndërtimit, që vitet e fundit kanë grumbulluar miliarda lekë në duart e tyre. Janë një grup i vogël biznesmenësh që rrijnë te kryeministri dhe ndajnë e përlajën çka duan ata. Natyrisht kryeministri firmos. Por firmën e legjitimon me votë në Kuvend.

Për të frenuar këtë batërdi ligjore dhe shkelje kushtetuese nuk ka më rrugë ligjore. Prokuroria nuk heton kur flitet për afera korruptive në qeveri, Gjykata Kushtetuese nuk ekziston. Prokurorinë  e ka nën kontroll. Në këtë situatë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka bërë apel për gjithë qytetarët që të reagojnë për të ndalur qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Kryetarja e LSI-së denoncoi rastin e banorëve të Kasharit, të cilët rrezikojnë të humbasin pronat dhe shtëpitë për shkak të një projektvendimi të qeverisë. Ironia është se vendimi ende nuk është miratuar, por kjo nuk e ka penguar policinë që të shkojë që dje për të bllokuar pronat e ligjshme të banorëve. Mënyra sesi po veprohet është e njëjtë me ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar. Duke publikuar dhe imazhet ndërhyrjes së policisë në Kashar, Kryemadhi thotë se nuk ka mënyrë tjetër për të reaguar ndaj Ramës, përveçse të protestohet fort  duke e rrëzuar me forcën e popullit. “Në mënyrë arbitrare policia është në krah të grabitësve të pronës së familjeve shqiptare, që e kanë blerë atë në përputhje me ligjet në fuqi. Ende pa hyrë në fuqi ligji, sejmenët e Edi Ramës po i turren pronave dhe shtëpive të shqiptarëve duke vjedhur ç’të mundin. Ngjarja flagrante e shënuar sot në Kashar është vetëm fillimi i një procesi që Edi Rama e ka projektuar dhe ka nisur t’a zbatojë që nga Teatri Kombëtar e më tutje”,- deklaron Monika Kryemadhi.

Me tone të ashpra, Kryemadhi shprehet se Kryeministri Edi Rama po tregon se është një grabitës që nuk ndalet para asgjëje. Ndërsa shton se është detyrë e gjithë qytetarëve që ta ndalojnë. Kryetarja e LSI-së deklaron se ky është momenti për të reaguar dhe për të mos pranuar këtë lloj qeverisje. “Kjo monstër politike që nuk njeh më asnjë kufi në vjedhje dhe grabitje duhet ndalur në mënyrë urgjente! Papërgjegjshmëria dhe perversiteti i tij, jo vetëm politik, prej kohësh po shkatërron, jo vetëm çdo normë, ligj e moral, por tashmë po gllabëron edhe pronat e ligjshme të shqiptarëve. Ky është momenti kur shqiptarët duhet të ngrihen dhe ndalojnë dorën e këtij satrapi, të cilin nuk e ndal dot as drejtësia e komanduar nga ai vetë”,- deklaroi kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Apeli i kryetares së LSI vjen në kohën kur qeveria ka bërë fakt të kryer prishjen e Teatrit Kombëtar. Ndërkohë artistët kanë deklaruar se nuk do të lejojnë që qeveria të veprojë dhe do të mbrojnë me jetët e tyre godinën historike. Protestës së artistëve u janë bashkuar qytetarë të shumtë, si dhe gjithë forcat opozitare.

Apeli i LSI: Të ngrihemi dhe ta rrëzojmë me çdo mjet kryeministrin. Opozita nuk do të pranojë të futet në zgjedhjet vendore me Ramën kryeministër, kështu që këtë vjeshtë planet janë për ta rrëzuar me çdo mënyrë.

Q.Xh.

SHKARKO APP