Kryeministri duhet të shkojë për respekt të Mikut të Madh të shqiptarëve, Amerikës dhe për t’i treguar dhëmbët Armikut më të madh të shqiptarëve, Serbisë

Grenell deklaroi, pas akuzës ndaj presidentit Thaçi, se mezi pres të shtunën ardhjen e kryeministrit kosovar dhe presidentit serb në Uashington për bisedimet. Presidenti Thaçi anulloi vizitën e tij nga akuzat e prokurorisë speciale të Hagës. Ndërsa në LDK e kryeministrit Hoti ka plasur sherri. Lutfi Haziri si nënkryetar tha për median se kryeministri Hoti nuk duhet të shkojë sepse delegacioni pa Thaçin nuk ekziston. Të tjerë shprehen se kryeministri duhet të shkojë, pasi siç edhe ka  deklaruar ai është kryetar delegacioni.

Prej një kohe të gjatë ka ekzistuar një tension në mes të Thaçit dhe Hotit, se cili prej tyre do t’i prijë delegacionit gjatë bisedave në Washington, të ndërmjetësuar nga Shtëpia e Bardhë.

Takimi i 27 qershorit është vënë në pikëpyetje, sepse brenda LDK’së janë rritur zërat që Hoti të mos shkojë fare, meqë aty nuk do të jetë Thaci.

Mirëpo a nuk do të ishte një tërheqje e tillë shumë banale, marrë parasysh faktin që Hoti vazhdimisht ka thënë që ai do t’i prijë dialogut. Nëse e ka pasë sinqerisht, atëherë shtrohet pyetja, tash kur Thaci nuk është, tash kur ai edhe de facto edhe de jure është shef i delegacionit, përse duhet të tërhiqet?

Brenda LDK’së ka edhe zëra të tjerë që thonë se mëgjithatë ai takim duhet të zhvillohet në Shtëpi të Bardhë, sepse kur LDK kishte vendosur që të shkonte atje, ky subjekt politik i kishte besuar Shtëpisë së Bardhë e jo Presidentit Thaci.

Tash kur kanë mbetur edhe shumë pak ditë deri në momentin kur duhet të takohen shqiptarët dhe serbët në Shtëpi të Bardhë, Kosova është krejtësisht në mjegull. Ky do të duhej të ishte momenti i Hotit, por mbetet të shihet nëse do ta shfrytëzojë.

Të mos shkosh te Shtëpia e Bardhë ku ata po presin miqtë është një guxim i madh dhe në aspektin gjeostrategjik një idiotsi e madhe, sepse tavolina është shtruar nga Grennel. Kryeministri duhet të shkojë për respekt të Mikut të Madh të shqiptarëve, Amerikës dhe për ti treguar dhëmbët Armikut më të madh të shqiptarëve, Serbisë.

Sot reagoi dhe DASH.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Gjykatën Speciale për Kosovën dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’i përmbahen mandatit të tyre ndërkohë që avancon kjo çështje përmes sistemit të drejtësisë.

“Njoftimi është rezultat i një procesi që vazhdon prej 20 vjetësh,” tha zëdhënësi, i cili bëri komente për Zërin e Amerikës, në kushte anonimiteti.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se ngritja e akuzave e njoftuar nga Prokurori i Specializuar është një hap përpara për procesin e realizimit të drejtësisë dhe ripajtimit në Ballkanin Perëndimor. Njoftimi është esencial për avancimin e shtetit ligjor dhe drejtësisë për viktimat në Kosovë, si dhe për vendin, që të kapërcejë këtë periudhë të tmerrshme dhe të bashkohet me komunitetin euro-atlantik,” tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Pra Amerikanët thonë se drejtësia të vazhdojë të hetojë Thaçin, ndërsa ne të vazhdojmë punën për Marrëveshjen e madhe Serbi-Kosovë.

 

SHKARKO APP