Kryeministri Edi Rama: Protesta ka shqetësime reale të qytetarëve që duhen dëgjuar
Kryeministri Edi Rama në edicionin e tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus Shërbimin Publik për një Shqipëri Europiane u ndal edhe tek protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër investimit në Zvërnec, duke theksuar se ato përmbajnë shqetësime reale të qytetarëve që duhen dëgjuar dhe kuptuar.
Rama tha se “duke qenë se jemi në një moment specifik intensiv të rrugëtimit tonë si shoqëri që solli një epsiod nga shumë episode që ne po mbledhim për të lexuar si duhet protestën e bulevardit në atë pjesë të saj që ajo protestë ka rëndësinë e vet themelore që është zëri dhe janë shqetësimet reale të qytetarëve”.
“Ajo që unë e quaj ujë i pastër dhe i rrjedhshëm i protestës nën atë koren e zezë të asaj që për fat të keq është pjesa e zhurmshme dhe e dukshme, ku janë mbledhur gjithë dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë. Në atë rrjedhë të madhe njerëzish ka shumë për të mësuar”, tha Rama.
Kryeministri Rama tregoi rastin e nënës së një mikut të tij, e cila kishte dalë në protestë pasi ndihej e fyer dhe e poshtëruar nga sjellja e administratës shtetërore.
Rama tha se ky episod tregon thelbin e zemërimit të shumë qytetarëve, të cilët shpesh përballen me mungesë njerzillëku nga punonjësit publikë.
“Nëna e një shokut tim kishte dalë në protestë dhe i biri ishte alarmuar kur i thanë, sepse ajo është në një moshë të caktuar. Ishte kthyer në shtëpi dhe e kishte pyetur të ëmën në protestë dhe ajo i tregon thelbin e zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Për një arsye apo një tjetër të natyrës shëndetësore asaj i duhet të shkojë në mënyrë periodike në poliklinikë dhe duke qenë si ajo ka edhe tjetër që e dinë praktikën e mjekut që duhet të kujdeset për ta. Njerëzit shkojnë atje që në orën 5 ose 6 të mëngjesit. Nëse presin që mjeku të vijë dhe shpresojnë të parët në radhë të kenë mundësinë që ai ti shikojë sepse mjeku e para nuk vjen në orar, vjen gjithmonë 1 ose 2 orë më mbrapa.E dyta mjeku nuk nuk rri deri në fund të orarit pasi trajton tre, katër, ikën dhe kjo grua në moshë del në protestë sepse është e fyer. Ky është një poshtërim dhe ndjenja e poshtërimit nga shteti yt dhe nga njerëzit që paguhen për të të shërbyer ty, është një ndjenjë që të bën të kuptosh që është kulmi”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “njerëzit nuk ndjehen të fyer dhe të poshtëruar thjeshtë dhe vetëm sepse nuk e zgjidhin dot një hall sepse jo çdo hall është i zgjidhshëm në rrugë administrative sepse ne e kemi parë që shumë halle kërkojnë zgjidhje gjyqësore sepse administrata s’mund të bëhet gjykatë, sepse nëse administrata do të bëhej gjykatë, nëse qeveria do të bëhej gjykatë, nëse kryeministri do bëhej gjykatës atëherë mund të bënte pesë të mira, por mund të bënte dhe 5 mijë të këqija”.
“E për këtë arsye janë të ndara gjerat, por përtej fakti që e zgjidh apo se zgjidh, ai mjeku nuk është i detyruar me ligj as me zakon që të shërojë një sëmundje të pashërueshme, por ai mjeku është i detyruar që njeriut të sëmurë t’i ofrojë të gjithë komfortin që vjen nga njerzillëku. Mungesa e njerzillëkut është një mungesë të cilët njerëzit nuk janë të disponuar ta tolerojnë, me të drejtë. Dhe natyrisht që këta nuk janë shumica për fat të mirë sepse ne nuk mjaftohemi vetëm me çfarë shikojmë, siç mendojnë disa me çfarë shikojmë në raporte. Ne bëjmë përpjekje për të kuptuar si funksionon administrata edhe kur është jashtë vëmendjes sonë. Si funksionon një spital edhe kur nuk jam unë që shkoj atje për një vizitë apo inspektim dhe atje përgatiten te gjithë se po vjen kryeministri, apo ministri”.
Rama u shpreh se “me strukturën e antikorrupsionit dhe me ndihmën e mekanizmave të tjerë, ministrja ndjek ecurinë e këtyre marrëdhënieve edhe me vizita dhe kontrolle që janë komplet të pa lajmëruara dhe nuk rezulton që në spitale norma ose normalja është kjo që thashë për atë mjekun, por nuk ka rëndësi. Nuk ka rëndësi sepse mjafton t’i ndodhë dikujt, nuk ka nevojë ‘’të tërhiqen zvarrë’’ të gjithë njerëzit që kanë diçka për të thënë, mjafton ‘’të tërhiqet njëri zvarrë’’ siç ndodhi në atë momentin skandaloz dhe kjo rezonon me të tjerët sepse kjo nëna, kjo gjyshja nuk tërhiqet zvarrë fizikisht, por tek ai njeriu që tërhiqet zvarrë atje, ndihet pjesë sepse ndërkohë është ky mjeku këtu që ‘’i tërheq zvarrë” atë dhe moshatarët, bashkëmoshataret e saj që me të drejtën e Zotit dhe me të drejtën që u jep fakti që kanë kontribuuar për këtë vend, kërkojnë atë shërbimin minimal”.
Më tej kreu i qeverisë tha se “duhet që sistemi të të mbrojë dhe fiks ajo që po ndodh sot në Shqipëri dhe që humbet në mjegullën dhe në tymin e shumë gjërave që bëhen bashkë, është që sistemi për herë të parë, po lufton me korrupsionin”.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

