Kryeministri grek: Fondet u harxhuan për interesat e Greqisë

Skandali i financimeve sekrete të mediave, gazetarëve dhe kishës në Shqipëri e Maqedoni ka vënë në lëvizje qeverinë greke. Kryeministri Aleksis Cipras u shpreh i hapur për një hetim parlamentar jo vetëm për 1 milionë eurot e dhëna për dy vendet fqinj, por për të gjitha fondet e posaçme që ministritë kryesore i disponojnë sipas ligjit.

Madje ai sfidoi të gjithë kritikët për të hetuar për çdo euro të shpenzuar. “Ne krijuam një transparencë dhe mburojë në kornizën institucionale. Nuk ka më përdorim të pamatur të fondeve të veçanta pa nënshkrim dhe nëpër qese të zeza të fondeve majtas dhe djathtas. Fondet e veçanta janë të nevojshme. Ata duan të dëmtojnë qeverinë dhe politikën tonë të jashtme, por nuk do të lejoj askënd të dëmtojë vendin. Kushdo që dëshiron mund të vijë për tu informuar në kryeministri apo në Ministrinë e Jashtme, sepse tani kam dy zyra, për t’u informuar për çdo euro të shpenzuar”,- tha kryeministri grek.

Skandalin e nxori në dritë portali Iefimerida si dhe gazeta Dhimokratia. Ndaj portalit prokuroria e Athinës ka nisur hetimet për rrjedhje të informacionit nga institucionet shtetërore si dhe ndërhyrje në interesat kombëtare.

Partia opozitare Demokracia e Re e ka quajtur një sulm të dhunshëm ndaj medias dhe qeveria duhet të kuptojë se kërcënimet ndaj shtypit nuk frikësojnë askënd.

Sipas opozitës qeveria përçmon të vërtetën. Në deklaratë thuhet se ekzekutivi dëshiron ti mbyllë gojën portalit Iefimerida pas zbulimit të fondeve sekrete të Ministrisë së Jashtme, me të cilat janë financuar media e gazetarë në Shqipëri dhe Maqedoni.

Ndërkohë gazetarët kanë për të ditur se në ditët në vijim do në nxjerrin të dhëna në lidhje me destinacionin përfundimtar të 1 milion eurove që kishin si synim influencën në pasqyrimin e lajmeve në interes të shtetit grek si dhe për lobim politik dhe fetar.

SHKARKO APP