Kryeministri i Sllovenisë pret Metën/ Kreu i Shtetit: Avokate e Shqipërisë për integrimin në BE
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është pritur këtë të martë nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Janša. Përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar edhe fotot gjatë takimit, Kreu i Shtetit shkruan se vlerëson marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, të qëndrueshme dhe me ecuri pozitive ndër vite, në të gjitha fushat me interes reciprok.
Gjatë takimit Meta ka falënderuar kryeministrin për mbështetjen e dhënë nga Sllovenia në procesin e Integrimit Europian, duke shtuar se ajo do të mbetet një avokate e Integrimit për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Në fund të postimit të tij, Presidenti shkruan se është i rëndësishëm bashkëpunimi i ngushtë rajonal dhe thellimi i reformave të brendshme, me qëllim final integrimin evropian. Pasditen e djeshme është zhvilluar në Slloveni samiti i Brdo-Brijunit, i cili shënon edhe 10-vjetorin e kësaj nisme rajonale për bashkëpunim.