Kryeministri nga Abu Dabi: Së shpejti, eksportojmë energji në vendet e Bashkimit Europian
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Abu Dabi, ku pritet të firmoset një marrëveshje trilaterale për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë.
Para takimit, Rama ka ndarë lajmin se Shqipëria shumë shpejt do të eksportojë energji në vendet e Bashkimit Europian.
“Përshëndetje nga Abu Dabi, për pak do të vendosim një tjetër gur kilometrik në rrugën tonë drejt pavarësisë energjetike, së bashku me kryeministren e Italisë, miken e shtrenjtë Giorgia Meloni, me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, një mik i posaçëm, Mohammed bin Zayed, për marrëveshjen trilaterale, për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe rritjen e prodhimit të energjisë diellore në Shqipëri. Lidhja do të ketë një pronësi të trefishtë e nga ana tjetër do të mbështetet nga investimet domethënëse të përbashkëta, në rritjen e kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë dhe në funksion të ambicies tonë për t’u bërë të pavarur nga importi, por na jep një rol së shpejti si eksportues në Bashkimin Europian”, ka thënë Rama.
“Shqipëria është sot vendi me kapacitetin më të lartë të vetëprodhuesve familjarë apo biznese nga energjia diellore në rajon. Energjia diellore ka kaluar nga 0% në 10% të prodhimit tonë të brendshëm politik dhe plani ynë është të arrijmë në 30% brenda mandatit tonë të katërt”, shtoi më tej kryeministri.