Kryeministri: Nuk ka më ndërtime pa kamera 24 orë online dhe me sisteme GPS!
Kryeministri Rama ka filluar një lëvizje dhe kontroll ndaj bashkive dhe institucioneve qendrore për efikasitetin e tyre. Ai ndër të tjera sot bëri të ditur se Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka hartuar një rregullore të re që detyron kompanitë ndërtuese të pajisin kantierët e tyre me kamera online 24 orë në ditë dhe me sisteme GPS, për të ndjekur në kohë reale lëvizjet e mjeteve, materialeve ndërtimore dhe menaxhimin e mbetjeve.
“Çdo ndërtim me qëllim fitimi duhet të jetë i monitoruar. Kjo është në funksion të transparencës dhe ndalimit të evazionit,” tha Rama, duke shtuar se teknologjia do të ndihmojë edhe në ndalimin e ndërtimeve pa leje.
Një tjetër masë e paralajmëruar nga kryeministri është forcimi i rolit të arkitektëve në procesin e ndërtimit. Ai paralajmëroi ndëshkime të ashpra për ata arkitektë që bashkëpunojnë me ndërtues për të shkelur lejet.
“Arkitektët që shkelin lejet nuk do të kenë më licencë dhe do të përballen me pasoja penale, si në çdo vend normal. Leje shfrytëzimi pa firmën e arkitektit nuk do të jepet më,” tha ai.
Në përfundim, Rama theksoi nevojën për rregull të plotë edhe në lidhjen e energjisë elektrike dhe ujit, duke propozuar që asnjë ndërtim pa leje të mos mund të lidhet me këto shërbime në mënyrë të paligjshme.
KOHA JONË SONDAZH

