Kryeministri Rama dhe kryeministri Mitsotakis takohen miqësisht

Vizita e shkurtër në Tiranë e kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka shërbyer edhe për shkrirjen e akujve mes tij dhe homologut shqiptar Edi Rama. Pas ceremonisë së varrimit të kryepeshkopit Anastas, të dy kryeministrat kanë pirë edhe një kafe në ambientet e një hoteli në Tiranë. Në një prononcim të shkurtër për mediat greke, kreu i qeverisë së Athinës është shprehur se çdo problem duhet të zgjidhet me dialog.
“Sigurisht që kemi marrëdhënie të mira dhe duhet të kemi marrëdhënie të mira. Ne jemi shtete fqinje dhe çdo problem duhet ta zgjidhim me dialog”, – tha Mitsotakis në një deklaratë për televizionin shtetëror grek ERT që e pyeti se çfarë kishte biseduar me Ramën.
Ndërsa kreu i qeverisë shqiptare tha se kishin konsumuar një kafe dhe kishin folur si miq.
“Ne jemi miq. Ai erdhi këtu dhe unë kam nderin të jem një mikpritës i mirë. Kështu pimë një kafe, folëm për gjëra të ndryshme dhe nuk kam çfarë të ndaj me ju. Nuk ka asnjë problem. Gjithçka është në rregull”, – tha Rama.