Kryeministri Rama na çon në një udhëtim magjepsës dimri në rrugën Bogë-Theth
Kryeministri Rama ka zgjedhur ta nisë ditën me një “Mirëmëngjes” që nuk është thjesht përshëndetje, por një ftesë për soditje, një thirrje për t’u ndalur dhe për të parë. Videoja e publikuar në rrjetet e tij sociale, e xhiruar përgjatë rrugës Bogë–Theth, shndërrohet në një rrëfim vizual ku dimri nuk paraqitet si stinë e ashpër, por si gjendje shpirtërore, si një akt solemn i natyrës që vishet me bardhësi për të komunikuar me njeriun.
Ky udhëtim përmes veriut nuk është një kalim i zakonshëm nga një pikë në tjetrën. Është një zbritje e ngadaltë në thellësinë e një bukurie që nuk pisket, por flet me qetësi, me ritmin e borës që shtrihet mbi male, me heshtjen që merr formë. Rruga Bogë–Theth, e gjarpëruar mes Alpeve shqiptare, duket si një shteg meditativ, ku çdo kthesë hap një dritare të re drejt madhështisë së natyrës, sikur peizazhi të ishte një tekst i shenjtë që lexohet me sy dhe me frymë.
Bardhësia këtu nuk është boshësi, ajo është plotësi. Është një ceremonial i dritës dhe i qetësisë, ku mali, bora dhe qielli krijojnë një aleancë të rrallë harmonie. Në këtë magjepsje të bardhë, njeriu nuk ndihet as i vogël, as i humbur, por i pranuar, i ftuar të bëhet pjesë e një përjetësie që nuk ka nevojë për fjalë. Çdo pamje shpërfaqet si një premtim i heshtur se bukuria ende ekziston, e paprekur, e patjetërsuar, duke pritur vetëm syrin dhe shpirtin që di ta shohë.
“Mirëmëngjesi” i Ramës, në këtë kontekst, tejkalon gjestin e zakonshëm të komunikimit politik. Ai kthehet në një urim për paqe të brendshme, për kthim te thelbësorja, për rikujtim se vendi ynë nuk është vetëm histori dhe sfida, por edhe një poezi e gjallë gjeografike, e shkruar nga bora, nga shkëmbi dhe nga drita. Rruga Bogë–Theth, në këtë udhëtim dimri, shfaqet si një metaforë e rrugëtimit tonë drejt bukurisë, qetësisë dhe asaj ndjesie të pafundësisë që vetëm natyra di ta falë pa kushte.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

