Kryeministri Rama në Cernobbio në edicionin e 52-të të Forumit “Intelligence on the World, Europe and Italy”

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në edicionin e 52-të të Forumit “Intelligence on the World, Europe and Italy”, një prej takimeve më të rëndësishme të dialogut politik, ekonomik dhe strategjik në Itali, që zhvillohet në Cernobbio, në brigjet e Liqenit të Komos.

Forumi mbledh çdo vit në një prej qendrave më prestigjioze të debatit ndërkombëtar drejtues të lartë politikë e institucionalë, përfaqësues të botës së biznesit, ekonomisë dhe financave, si dhe ekspertë e personalitete të njohura nga Evropa dhe më gjerë. Në këtë tryezë, ku diskutohen zhvillimet që përcaktojnë të ardhmen e kontinentit, prania e Shqipërisë përfaqësohet këtë herë përmes kryeministrit Edi Rama.

Rama do të jetë pjesë e panelit “Agjenda për Evropën”, në sesionin kushtuar “Rajonit të Mesdheut”, një hapësirë debati që merr rëndësi të veçantë në një kohë kur Mesdheu nuk është më vetëm një hapësirë gjeografike që lidh Evropën me Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, por një prej nyjeve kryesore të zhvillimeve të reja gjeopolitike, ekonomike dhe të sigurisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në këtë panel, kryeministri shqiptar do të jetë së bashku me Kryeministrin e Kroacisë dhe Presidentin e MED9, Andrej Plenković, ndërsa diskutimi do të moderohet nga ish-Kryeministri i Italisë, Paolo Gentiloni. Prania e dy kryeministrave të vendeve të Adriatikut e vendos në qendër të vëmendjes edhe dimensionin e Evropës Juglindore, Ballkanit Perëndimor dhe marrëdhënieve të këtij rajoni me projektin evropian.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në fokusin e Forumit janë disa prej pyetjeve më të mëdha me të cilat përballet sot kontinenti: çfarë roli do të ketë Evropa në një rend ndërkombëtar që po ndryshon me shpejtësi, si do të ndërtojë konkurrueshmërinë e saj ekonomike, si do të përballojë sfidat e reja të sigurisë dhe në ç’mënyrë do të ruajë kohezionin e saj përballë tronditjeve gjeopolitike.

Në këtë kuadër, Mesdheu shfaqet si një prej hapësirave strategjike të Evropës së re. Konfliktet në Lindjen e Mesme, siguria energjetike, migracioni, tregtia, lidhjet infrastrukturore dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor e kanë bërë këtë hapësirë gjithnjë e më të rëndësishme në llogaritjet strategjike të Evropës.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në një debat të tillë vjen në një moment kur procesi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor është rikthyer fuqishëm në agjendën e Bashkimit Evropian, ndërsa rajoni shihet gjithnjë e më shumë si pjesë e arkitekturës së sigurisë dhe stabilitetit të kontinentit.

Përveç sesionit mbi Mesdheun, në Forum do të diskutohen edhe disa prej çështjeve themelore që përcaktojnë debatin aktual evropian: projekti evropian midis integrimit dhe sovranitetit, me perspektivat e Francës dhe Italisë; nevoja për të rindërtuar besimin dhe kapërcyer përçarjet në një Evropë të përballur me trazira të reja gjeopolitike; rruga drejt rritjes ekonomike dhe konkurrueshmërisë; si dhe arkitektura e mbrojtjes dhe sigurisë së Evropës në një epokë të re gjeopolitike.

Në tërësi, Forumi i Cernobbios pritet të shërbejë si një nga ato hapësira ku politika, ekonomia dhe gjeopolitika takohen përtej kufijve kombëtarë. Në një Evropë që po përpiqet të ripërcaktojë vendin e saj në botë, debati nuk lidhet më vetëm me zgjerimin apo integrimin ekonomik, por me pyetjen më të gjerë se çfarë Evrope do të jetë në gjendje të mbijetojë, të konkurrojë dhe të projektojë ndikim në rendin e ri ndërkombëtar.

Dhe në këtë debat, Mesdheu – me historinë, sfidat dhe potencialin e tij – po rikthehet gjithnjë e më shumë në qendër të hartës strategjike të Evropës.
A.Vataj/ KJ

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?