Kryeministri Rama: Parakalim turistik në Tiranën e pushtuar si asnjë vit më parë nga vizitorët e huaj

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, edhe në këto ditë të nxehta korriku gjallëron nga turistët e huaj, që kanë zgjedhur ta vizitojnë atë.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga parakalimi turistik në Tiranën e pushtuar si asnjë vit më parë nga vizitorët e huaj.
Tirana po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion turistik për qytetarë, jo vetëm nga vende fqinje, por edhe vende të largëta.

Turistët edhe në ditët e para të korrikut i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshit “Skënderbej” tek “Piramida”, në Bunk’Art, Xhaminë e Et’hem Beut, por edhe në muzetë e Tiranës, ku zbulojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.
Strategjia e Turizmit 2023-2027 për Tiranën ka për synim që kryeqyteti të kalojë nga një destinacion për vizita afatshkurtra, në një zgjedhje për të qëndruar më gjatë.
Në total në janar-maj numri i të huajve që erdhën në vendin tonë regjistroi shifrën mbi 3.3 milionë, apo 38.2 për qind më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Ndërsa muaji qershor ka shënuar rekorde fluturimesh nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit, me mbi 1 milion pasagjerë.

SHKARKO APP