Kryeministri Rama sjell mbrëmjen solemne të “Urdhri i Skënderbeut” në qindvjetëshin e tij
Nga Albert Vataj
Në një kohë kur vëmendja publike shpesh shpërndahet mes lajmesh të shpejta dhe polemikash kalimtare, ka momente që kërkojnë ndalesë, heshtje dhe respekt. Një prej tyre është përkujtimi dhe nderimi i atyre që me veprën e tyre kanë ndërtuar themele të qëndrueshme për shtetin, dijen dhe kujtesën kombëtare. Pikërisht në këtë frymë erdhi edhe mirëmëngjesi i sotëm i Kryeministrit Edi Rama, i cili u hap me pamje dhe mesazhe nga mbrëmja solemne e 100-vjetorit të “Urdhrit të Skënderbeut”, një akt simbolik që lidh historinë me përgjegjësinë e së tashmes.
Mirëmëngjesi i sotëm i Kryeministrit Edi Rama erdhi me këto momente vlerësimi nga mbrëmja solemne “Urdhri i Skënderbeut” në qindvjetëshin e tij. Në postimin e tij video përcillet kjo mbrëmje vlerësimi dhe mirënjohjeje, për të gjithë ata, vepra dhe kontributi i të cilëve është një udhë krenarie dhe shembulli, përkushtimi për të vendosur në themelet aktit të misionit.
Në Pallatin e Kongreseve u përkujtua më 10 dhjetor, në një mbrëmje solemne, 100-vjetori i Urdhrit të Skënderbeut.
Në këtë mbrëmjen, ku ishin të pranishëm Presidenti i Republikës Bajram Begaj si dhe kryeministri Edi Rama, u zhvillua ceremonia e dekorimit të 24 personaliteteve me të tre urdhrat kombëtarë: Urdhrin Suprem të Shqiponjës, Urdhrin e Skënderbeut dhe Urdhrin e Lisit Akademik.
Dy medaljonët e parë të 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut, Kryeministri Edi Rama i shpërndau për Artan Lamen dhe Filip Rrumbullakun, duke ia dorëzuar familjarëve të tyre ndërsa i cilësoi dy shërbestarë të papërtuar të reformës kuptimplotë të titujve të nderit.
“Dy burra që nuk janë më, por që me pasionin dhe dijen e tyre mbi fushën e urdhrave, medaljeve e shenjave dhe zakoneve të tjera të shtetit, do të kujtohen si bartës besnikë të një amaneti shtetëror, që dukej i varrosur përgjithmonë nën këmbët e injorancës me pushtet. Sonte, Republika u shpreh familjeve të tyre mirënjohjen e saj për të ndjerët”, tha Rama.
Gjatë ceremonisë Begaj dekoroi 22 personalitete të tjerë.
Me Urdhrin Suprem të Shqiponjës, Presidenti i Republikës, kryetar i urdhrit, me propozim të Kryeministrit, dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, dekoroi me “Yllin e Madh”, ish-presidentin Alfred Moisiu, kirurgun Besim Elezi dhe Seit Mansakun, gjuhëtar dhe akademik.
Me “Urdhrin Suprem të Shqiponjës”, Presidenti i Republikës, kryetar i urdhrit, me propozim të Kryeministrit, dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, dekoroi “Oficeri i Madh” studiuesin Aurel Plasari, historianin Pëllumb Xhufi dhe Francesco Altimari-n, studiues arbëresh në fushën e albanologjisë.
Me “Oficer i madh” u dekoruan edhe Matteo Mandala, studiuesi i letërsisë arbëreshe si dhe Ernesto Madeo.
Me “Urdhrin e Lisit Akademik”, Presidenti i Republikës kryetar i urdhrit, më propozim të Kryeministrit, dëgjuar kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar “Ylli i Madh”, Ismet Elezin si dhe Abaz Hoxhën.
Me “Urdhrin e Skënderbeut”, Presidenti i Republikës, kryetar i urdhrit, më propozim të Kryeministrit, dëgjuar kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar Shpresa Gjongecajn, me titullin “Komandant”. E njëjta dekoratë u dha për Zyber Dushkun, Etleva Domin dhe Fioralba Cakonin.
“Urdhri Suprem i Shqiponjës”, Presidenti i Republikës, kryetar i Urdhrit, me propozim të Kryeministrit, dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar “Kalorës” Igli Taren.
“Urdhri i Skënderbeut”, Presidenti i Republikës, kryetar i Urdhrit, me propozim të Kryeministrit, dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar “Oficer” zonjën Mimoza Dhëmbi.
Presidenti i Republikës, kryetar i Urdhrit, me propozim të Kryeministrit, dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar me titullin “Kalorës” Ajet Jatën dhe Adriana Hysenajn.
Me titullin “Kalorës” u nderuan gjithashtu Edor Kabashi, Kastriot Aliko, Gjovalin Bica dhe Liljana Luani.
Kjo mbrëmje nuk ishte thjesht një ceremoni dekorimesh, por një akt kujtese dhe orientimi moral. Një rikujtim se shteti nuk ndërtohet vetëm me ligje dhe institucione, por edhe me njerëz që i shërbejnë atij me dije, integritet dhe përkushtim. Në 100-vjetorin e “Urdhrit të Skënderbeut”, nderimi i këtyre personaliteteve shndërrohet në një mesazh të qartë: se vlerat që mbijetojnë janë ato që lihen trashëgimi, dhe se mirënjohja publike mbetet një nga format më fisnike të drejtësisë historike.
KOHA JONË SONDAZH

