Kryeministri zbulon projektet për Shkodrën: Kryeqendra e veriut do të transformohet rrënjësisht

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar ditën e sotme projektet që sipas tij do të transformojnë Shkodrën dhe do të kenë një ndikim të madh në zhvillimin e rajonit.

Rama ka shprehur besimin se këto projekte, të cilat i janë besuar një arkitekti me çmime ndërkombëtare, do të ndryshojnë rrënjësisht pamjen dhe funksionimin e qytetit. Ai ka përmendur dy elementë të rëndësishëm: Muzeun e Kujtesës dhe Muzeun e Gjetheve, të cilët pritet të ndihmojnë në përmirësimin e imazhit të Shkodrës, si dhe krijimin e mundësive për më shumë turizëm dhe të ardhura për qytetin.

“Kemi dy projekte tepër ambicioze, që i janë besuar njeriut të duhur. Arkitektin që bën projektet e çmoj shumë, pasi ka marrë çmime prestigjoze ndërkombëtare. Ne po punojmë në Bashkinë e Shkodrës, që gjithçka të ndryshojë, sepse e dimë shumë mirë sesa impakt ka që të ndryshojë hyrja e qytetit dhe sa ndikon kjo në jetën e përditshme dhe imazhin e një vendi. Nuk e dyshoj që Muzeu i Kujtesës do të jetë hapësirë që do ketë shumë impakt, njësoj si Muzeu i Gjetheve. Padyshim që nga ky projekt, Shkodra do të ndryshojë imazhin e saj. Patjetër që do të ketë më shumë vizitorë e turistë, që do të thotë do të ketë më shumë të ardhura. Ne do të bashkëpunojmë me Bashkinë e Shkodrës për Muzeun, por barrën kryesore do ta mbajë qeveria. Në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, do ndërtohet edhe një parkim i madh nëntokësor. Dëshirojmë që të jetë infrastrukturë e tillë, që të lehtësojë barrën e trafikut. Kemi shumë plane që kryeqytetit të veriut t’i japim të gjithë mbështetjen për ta forcuar sa më shumë”, tha Rama.

SHKARKO APP