Kryeredaktori i gazetës “Dita” thbotë se pse e sulmon Saimir Tahirin

 
 
 
Adrdian Thano, ka shpjeguar se përse kjo gazetë po e sulmon Ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahirin.
Thano thotë se gazeta ka prova se Tahiri ka qenë duke pushuar në një hotel luksoz në Korfuz, ka pushuar atje me persona që janë përzier në kultivimin e kanabisit në Tepelenë, ka familjarë të përzier me trafikun e hashashit në Fier, vazhdon të mbajë në detyrë persona që kanë abuzuar me tendera publike, ka bërë emërime nepotike dhe pavarësisht gjithë këtyre ai vazhdon të heshtë.
 
Sqarimi i plotë i kryeredaktorit të gazetës “Dita”
 
“Këto ditë dëgjoj në mënyrë të përsëritur: çfarë ka Dita me Sajmir Tahirin. Meqë këtë pyetje ma bëjnë edhe lexues, të cilët janë me mua që në numrat e parë të Ditës e madje më herët qysh prej Shekullit, mendoj kam detyrimin t’u përgjigjem me këtë shënim të shkurtër.
 
Këtë vit mbush 20 vjet që merrem me mediat. Kam drejtuar gazetat më të mëdha në vend. Ndoshta nuk i kam thënë të gjitha të vërtetat, por nuk ia kam dalë mbanë duke gënjyer. Do ishte e pamundur. Kush mendon që do hedh në erë 20 vjet zanat për të gënjyer sot për dikë që nuk i kishte dirsur mustaqja kur unë kam nisur këtë punë, e ka gabim.
 
Me përgjegjësi të plotë u them sot lexuesve të Ditës që me Sajmir Tahirin nuk është tepruar. Madje ka ende shumë për të thënë. Si kryeredaktor i gazetës dhe jo vetëm, kam arsye të forta për të besuar që emri i ministrit të rendit është përzier në trafikun e hashashit.
 
Ne kemi kritikuar më parë edhe ministra të tjerë. Më herët Ilir Beqajn për tenderat. Ai u përgjigj publikisht. Më pas Haxhinaston për sinjalistikën. Sektori i kritikuar u përgjigj publikisht. Edhe Edi Ramën disa herë. U përgjigj publikisht me anë të një interviste.
 
Sajmiri mendon se do t’ia hedhë duke heshtur. Ai e di që ka një armë të fortë në krah: Berishën. Pse e them këtë? Sepse urrejtja plotësisht e përligjur popullore për Berishën është një mburojë thuajse e sigurtë për abuzimet e rivalëve të tij politikë. Njerëzit ende nuk shohin dot qartë për shkak të tij.
 
Po mua nuk më kalon rruga nga lagjia e Berishës. Kur ne merreshim me Berishën Sajmiri strukej me kapele dhe syze në lokalet e zgëqta të Komunës së Parisit.
 
E akuzoka edhe Berisha Sajmirin për drogën?
 
Shfrytëzoka Berisha artikujt tanë?
 
U dukërkemi në një linjë me Berishën duke gudulisur Sajmirin?
 
Më vjen keq nëse është kështu po ne nuk mundemi t’i bishtojmë asaj për të cilën jemi të bindur.
 
Për çfarë jemi të bindur…
 
1 – Sajmir Tahiri ka qenë  në Korfuz siç kemi raportuar.
 
2 – Ka qenë aty me persona të cilët janë përzier në situata presioni mbi shefa policie për të selektuar plantacionet e hashashit në Tepelenë.
 
3 – Ka familjarë të përzier në trafikun e hashashit në Vlorë.
 
4 – Vazhdon të mbajë në detyrë zyrtarë që kanë vjedhur në tendera.
 
5 – Nuk mund të besojmë që 2 milion e kusur euro me të cilat po ribëhet e gjithë Ministria dhe 71 milionë euro të tjerë të taksapaguesve që janë caktuar për ministrinë që drejton do mirëmenaxhohen nga të njëjtët që janë dyshuar apo provuar tashmë si abuzues.
 
6 – Ka bërë emërime nepotike duke anashkaluar ligjin e gradave.
 
Sa për Berishën, ai nuk duhet të ishte sot aty në ballkonin e denoncuesit por diku tjetër. Të gjithë e dimë se ku. Dhe Saimiri është njëri nga ata që e ka shkelur tashmë premtimin për të çuar Berishën atje ku ka vendin. Sajmiri është njëri nga ata që ka kaluar fshirësen mbi regjistrin e krimeve të Berishës bashke me të tjerët që ka sipër e poshtë vetes.
 
Ne kemi shpresuar e vijojmë të shpresojmë që kallëpi me të cilin u prodhua berishizmi të thyhej; që të shkëputej shteti nga krimi, e jo të kalonim nga modeli që shteti kontrollon dhe përdor krimin në modelin që krimi kontrollon dhe përdor shtetin
 
Ne shohim sot që paraja dhe krimi vazhdojnë të bashkëjetojnë dhe të shpjegojnë njëri tjetrin.
 
Ne shohim që Tirana e batakçinjve dikur kurtizane e Saliut, sot drekon e darkon me rilindasit, kurse ne “ekstremistët” që kërkojmë të venë gjërat atje ku u tha që do venin, jemi njerëz të bezdisshëm e të dalë mode.
 
Paraja si opium i ka dehur të tërë. Shumë “rilindas” të rinj në moshë e në detyra na janë verbuar si fluturat mbi poç. Dikush duhet t’u shpjegojë sa lehtë vjen rrënimi: mësohesh të shikosh të tjerët tek e bëjnë të ligën, mësohesh ta lejosh të kalojë pa ndërhyrje, më pas fillon ta miratosh dhe në fund arrin ta bësh edhe vetë.
 
Që të mos e zgjas më: Se çfarë ka bërë Sajmiri dhe kush e ka marrë peng ministrin për mua është e qartë si një e goditur me grusht.
 
Për lexuesit që më pyesin si e pse, do jetë e qartë pasi të marrë kohën e vet.
 
Sa për Ditën ajo më mirë të sundojë në luftë se të shërbejë në paqe”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?