KS mblidhet të premten, Meta: Arrestimin e Balilit ma kërkuan në SHBA
Të martën u bë e ditur se kur do të mblidhet Këshilli i Sigurisë për ‘çështjen Balili’.
“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare ditën e premte, më datë 3 shkurt 2017, ora 12.00, në Institucionin e Kreut të Shtetit,” thuhet në njoftimin e shkurtër.
Ndërkohë, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, sqaroi se përse ka kërkuar thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Lidhur me çështjen e policisë, unë kam qenë mbështetës i fortë i Policisë së Shtetit, edhe kur ajo është sulmuar nga horra e banditë në mes të bulevardit,” tha Meta, që e kritikoi policinë për çështjen e kanabisit.
Ai tha se arrestimin e Balilit ia kanë kërkuar në SHBA.
“Gjatë vizitës në SHBA, ku u prita nga ndihmëssekretari i Departamentit të Shtetit për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, pata një bisedë të shkëlqyer në vijim të bisedës sonë të parë, para reformës në drejtësi ku ai më kërkoi me insistim që të punoja për konsensus, përveç fjalëve të mira që kam marrë prej tij, më ka thënë se i vetmi shqetësim konkret dhe më ka kërkuar që të tërheq vëmendjen e autoriteteve për mosarrestimin e Balilit si një shqetësim mes dy vendeve.
Nuk ka vend tjetër, përveç Këshillit të Sigurisë Kombëtare, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, ku mblidhen të gjitha institucionet dhe diskutojnë çështje të mprehta. Nëse dikush ankohet se nuk është çështje e mprehtë, unë mendoj se nuk e ka të drejtë, ndaj e kam kërkuar këtë mbledhje,” tha Meta.
Ai shtoi se kjo kërkesë bëhet më e fortë pasi tashmë SHBA ka një president të ri.
“Donald Trump ka prioritete të qarta për forcimin e kufinjve, për rritjen e shpenzimeve për NATO-n, për luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër drogës,” tha Meta.
KOHA JONË SONDAZH

